Këto janë procedurat e zgjedhjes së presidentit të ri

  • 12 February 2016 - 18:43
Këto janë procedurat e zgjedhjes së presidentit të ri

Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë se tashmë kemi hyrë brenda periudhës ku duhet të bëhet zgjedhja e presidentit, sepse mandati i Jahjagës përfundon më 6 prill e zgjedhja e presidentit të ri duhet të bëhet 30 ditë përpara, që do të thotë se zgjedhja duhet të bëhet deri më 7 mars.

Krasniqi ka thënë se duhet të ketë të paktën dy kandidatë që të nis procedura e zgjedhjes së presidentit të ri.

“Kandidat për president mund të jenë qytetarë të tjerë që nuk kanë të bëjnë me parti politike. Çdo shtetas që ka mbi 35 vjet dhe ka 30 nënshkrime mund të nominohet. Duhet të jenë të paktën 2 kandidatë si dhe jo më shumë se katër", tha Krasniqi, në një intervistë për “Info Magazine” në Klan Kosova.

“Në raundin e parë zgjedhja e presidentit duhet të bëhet me dy të tretat. Kuorumi bëhet kur në sallën e kuvendit gjenden 80 deputetë e Kushtetuesja ka përcaktuar se deputetët janë të obliguar të qëndrojnë”.

“Nëse nuk zgjedhet në raundin e parë kalohet në raundin e dytë, nëse nuk merr 2/3 organizohet raundi i tretë me dy prej kandidatëve me më shumë vota, në raundin e tretë duhet të jenë 61 deputetë që votojnë për zgjedhjen e presidentit”, ka thënë Krasniqi.

“Situata është goxha e acaruar, kemi një subjekt-bllok opozitar që e kundërshtojnë si kandidatë që shihet me marrëveshje, Thaçin, dhe një insistimi i këtyre të fundit që zgjedhja të bëhet para datës 17 shkurt dhe nëjkohsësisht një protestë e opozitës”.

Ai ka thënë se janë përmendur skenar të ndryshëm si ajo e sallës alternative. Një gjë e tillë mund të ndodh, mirëpo në këtë rast do të kishim një president që do të kontestohej e në këtë rast e kemi edhe shembullin e Jahjagës.

“Ne vazhdimisht jemi treguar të paaftë ti zgjedhim marrëveshjet politike. Intervenimi ndërkombëtar nuk është i dëshiruar, mirëpo po shihet se kjo gjë është e pashmangshme sepse vet po i ftojmë, e kjo do të ishte një hap prapa në shtetëndërtimin, ka thënë Krasniqi.