Instituti i Onkologjisë ende pa shërbime të brahiterapisë

  • 12 February 2016 - 22:25
Instituti i Onkologjisë ende pa shërbime të brahiterapisë

Institutit të Onkologjisë do t’i duhet ende kohë për të filluar me shërbimin e brahiterapisë.

Instituti i Mjekësisë së Punës, që ka bërë matjet nga shtatori i vitit të kaluar, ka rekomanduar Institutin e Onkologjisë për disa intervenime në hapësirat ku do të përdoret ky aparat për shkak të burimit të madh të rrezeve, raporton KTV.

Për këtë shërbim, pacientët paguajnë mijëra euro, derisa aparatura është blerë para dy vitesh dhe qëndron jashtë funksionit.

Me këtë kryhen rrezatimet në mënyrë të sofistikuar, duke kursyer qelizat e shëndosha dhe rrezatuar maksimalisht tumoret kryesisht gjinekologjike.

Tash drejtori i SHSKUK-së thotë se janë shumë afër për të filluar, derisa përmend se duhet të pajisen me licencë. Por, në Agjencinë për Mbrojtjen nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore tregojnë se matjet kanë filluar të bëhen vetëm para disa muajsh.

Kryeshefi i agjencisë, Beqir Mezelxhiu, ka treguar se matjet kanë filluar nga 8 shtatori i vitit të kaluar, pas kërkesës dhe për të njëjtat Instituti i Mjekësisë së Punës ka lëshuar raport më 13 janar të këtij viti me disa rekomandime.

Ndryshe, shefja e shërbimit të brahiterapisë në Institutin e Onkologjisë, Emine Disha, thotë se janë gati sa i përket institutit për të filluar punën.

Thotë të kenë trajnuar stafin në Turqi e Hungari, për të realizuar punën me këtë aparaturë, derisa shton se përkrahja u duhet edhe pas fillimit të punës nga institucionet.

Megjithatë, KTV-ja merr vesh se stafi nuk është trajnuar dhe të njëjtëve u duhet ende përvojë për të punuar me një aparaturë të tillë.