John Kerry sot viziton Tiranën

  • 14 February 2016 - 08:37
John Kerry sot viziton Tiranën

​Sekretarit amerikan i Shtetit, John Kerry, sot viziton Shqipërinë. Ai në Rinas, përveç anëtarëve të protokollit të shtetit dhe zyrtarëve të nivelit të dytë do të gjejë edhe presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani.

Pas mbërritjes në Rinas, shefi i diplomacisë amerikane do t’i drejtohet Kryeministrisë. Siç njofton zyra e kryeministrit, John Kerry do të takohet fillimisht me homologun e tij Ditmir Bushati dhe më pas do të kryejë takimin me kreun e qeverisë, Edi Rama.

Axhenda zyrtare përmban një deklaratë të përbashkët mes Kerryt dhe Ramës në orën 11.00 dhe menjëherë më pas, sekretari i Shtetit do të zhvendoset disa metra më tej, në hotel “Rogner”, ku do të zhvillohet takimi me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i shoqëruar nga 4 deputetë.

Gjatë mesditës së të premtes u fol për një takim të John Kerryt me Hashim Thaçin, por mediat në Shqipëri kanë konfirmuar se ky takim nuk është në agjendën e sekretarit amerikan të Shtetit.

09.00 Pritja në Rinas nga Presidenti

10.10 Takime me Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm

11.00 Deklaratë e përbashkët e Sekretarit Kerry me kryeministrin Rama

11.40 Takim me Kryetarin e PD, Lulzim Basha, në hotel “Rogner”.

Ngaora 7 e mëngjesit deri në orën 15 të drekës, do të këtë kufizime të segmenteve që nga Qafë-Kashari, në vijim, pjesa e autostradës Tiranë-Durrës, segmenti i Laprakës, Rruga e Durrësit dhe Bulevardi Dëshmorët e Kombit.

“Të bllokuar do të jenë dhe aksi rrugor sheshi Skënderbej- Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”- Sheshi “Nënë Tereza” dhe rrugët lidhëse me to. Gjitahshtu dhe rruga “Teodor Keko”, e njohur si Unaza e Re- Fabrika e Miellit- Bulevardi “Bajram Curri”- nga ura Teknologjike – Ura e Kualidimit – Ura e Drejtorisë Tiranë – Ura e Dajtit deri te ura e Rrugës së Elbasanit.

Aks tjetër i bllokuar është ai i bulevardit “Zogu i Parë” nga ministria e Drejtësisë deri tek sheshi “Skënderbej”.

Gjithashtu njoftohen të gjithë drejtuesit e mjeteve që do devijohet aksi rrugor i Kamzës deri tek shinat e Trenit”, njofton Policia e Shtetit.

Më shumë se 1500 efektivë janë angazhuar për mbarëvajtjen e vizitës së sekretarit Kerry, përfshirë edhe gardën e republikës dhe shërbimet inteligjente. Po ashtu për patrullimin nga ajri, në dispozicion do të jetë edhe një helikopter i ushtrisë.

(Kosova Sot)