Sahatçiu është pjesë e historisë së qytetit

  • 14 February 2016 - 17:26
Sahatçiu është pjesë e historisë së qytetit

Qerimi: Për shkak të dashurisë që kisha për orëtarinë, edhe mbiemrin tim e bëra Sahatçiu

Mbi 25 biznese familjare në Gjilan do të përfitojnë nga një projekt i bashkëpunimit ndërkufitar që financohet nga Komisioni Evropian

Dhjetëra biznese familjare në Gjilan do të përfitojnë nga një projekt i bashkëpunimit ndërkufitar, që financohet nga Komisioni Evropian. Koordinatorja e projektit, Gëzime Idrizi thotë se në Gjilan do të përfitojnë 25 biznese që merren me zeje tradicionale. “Kjo është një ndihmë e veçantë për zejtarinë e Gjilanit, në kuadër të projektit për valorizimin e zejeve tradicionale dhe potencialeve të ekonomisë sociale në komunat Çair dhe Gjilan, që për qëllim zhvillimin e sipërmarrësisë”, thotë ajo. Shyqri Sahatçiu, orëtar, thotë se kjo është një mbështetje e madhe për zejtarët në këtë fazë dhe zejtarinë në përgjithësi, që si vlerë duhet të ruhet, sepse vitet e fundit është reduktuar tepër dhe rrezikon të zhduket në tërësi. Ai beson se meraklinjtë të orëve mekanike do të ketë derisa të jetojë njerëzimi. Ai e ka filluar këtë punë qysh si fëmijë 7-vjeçar dhe tani e ka kthyer në profesion e pasion të përhershëm nga i cili nuk po mund të ndahet as tani, edhe pse e ka trashëguar edhe te djali i tij Albani.  

Burrat malësorë i mbajnë orët edhe për hir 

Për dallim nga Rita Sahatçiu, e cila mbiemrin e saj e kthehu në Ora, Shyqeriu e mori mbiemrin Sahatçiu për treguar dashurinë ndaj këtij profesioni. Përndryshe, mbiemri i tij ishte Qerimi. Ai është i vetmi sahatçi në Gjilan që i punon me shumë përkushtim orët mekanike, ndonëse e pranon se tani ka më pak merakli në orët e vjetra të dorës dhe të xhepit.“Sahati me qostek i jep më shumë hir një burri të odave”, thotë Shyqa, i cili ndjen një kënaqësi të veçantë kur burra të tillë kthejnë në dyqanin e tij për të rregulluar orët, të cilët zakonisht i mbajnë të mbështjellë me një mindil, që t`i mbrojnë nga pluhuri dhe dëmtimet. Ndër vite, orët e xhepit kanë qenë ndër aksesorët më të rëndësishëm të një malësori, krahas kobures. Ai e shpjegon edhe mënyrën si punojnë orët mekanike. Orët e vjetra përbëhen nga një fushë e ndarë në dymbëdhjetë hapësira, mbi të cilat lëvizin tre akrepa. Ato punojnë me kurdisje, për dallim prej orëve digjitale që lëvizin me ndihmën e baterisë. Pikërisht ecja e orës e kishte bërë kureshtar Shyqën ende pa i mësuar as germat. “Isha bërë merak të dija se çka e shtyn një orë të lëviz. Një ditë, kur babai nuk ishte në shtëpi, e mora orën e murit dhe ia hoqa kapakun. E preka dhe e prisha. Çuditërisht, babai nuk më ndëshkoi për gabimin. Heshtja e tij më nxiti të mendoj se si mund t`ia rikthej jetën orës. Dhe ia arrita qëllimit”, rrëfen Shyqa. Fshati nisi të flasë se si Shyqa e kishte ndrequr sahatin e murit. Disa që nuk kishin ende orë në shtëpitë e tyre, nuk e besonin këtë. “Sahatet mundet m`i ndreq sall fabrika”, thoshin ata.  (Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)