Mungon memoriali në Lëndinën e Pikëllimit

  • 28 April 2016 - 21:08
Mungon memoriali në Lëndinën e Pikëllimit

Qeveria nuk e dha asnjë cent për projektin e memorialit në Mejë

Engjëll Berisha, nga shoqata "27 prilli Meje", thotë se, derisa pushteti komunal i ka kryer disa punë në rregullimin e infrastrukturës këtu, Qeveria qendrore ende nuk ka dhënë asnjë cent, edhe pse i ka premtuar 700 mijë euro, raporotn Gazeta Kosova Sot

E dhe tash, gati 17 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, problemi i personave të zhdukur kurrsesi të hiqet nga rendi i ditës. Kjo, as që ka si të bëhet, kur në Kosovë aktualisht si persona të zhdukur vazhdojnë të trajtohen madje 1.666 veta, familjarët e të cilëve, jo një herë, kanë pohuar se liria dhe pavarësia për ata ende nuk ka arritur. Në prag të Ditës Kombëtare të të pagjeturve, 27 prillit, këta familjarë përjetuan edhe një shqetësim shumë të papritur, shqetësim që nxiti informacion, që u bë publik një ditë para Ditës së të Pagjeturve. Sipas kësaj informate, në Klinë, pas plot 17 vitesh, u kthye i gjallë Sejdi Thaqi, që llogaritej si i zhdukur më 1999. Të dhë- nat komplete dhe detajet lidhur me këtë rast ende nuk janë qartë- suar, por nëse informacioni del i saktë, atëherë do të ishte kjo një "mrekulli" e paimagjinueshme

. Qerkini e merr me rezervë informatën nga Klina Mu ky rast ringjalli shpresat e familjarëve të 1.666 personave, që vazhdojnë të jenë në listën e të zhdukurve, se kjo "mrekulli" mund të përsëritët edhe tek ndonjë person tjetër, edhe pse, dorën në zemër, për momentin, më shumë parapëlqejnë të jenë të matur. Për këtë u bindëm të mërkurën në Meje të Gjakovës, ku u mbajt manifestimi qendror në kuadër të shënimit të Ditës Kombëtare të të Pagjeturve. "Nuk më duket fort e besueshme se ky person që, siç thuhet, është kthyer në familjen e tij pas 17 vitesh, të jetë i zhdukur në luftën e fundit. Nuk mund të bindem se ka mundësi që ky njeri, për 17 vite, nëse ka qëndruar në burgjet e Serbisë, nuk ka arritur të gjejë ndonjë mënyrë që të dërgojë ndonjë informatë për familjen e tij për t'u treguar se është gjallë", ka thënë në Meje, Bajram Qerkini, përfaqësues i familjeve të të zhdukurve të Kosovës, duke shtuar se shpresat e familjarëve se ndonjë nga të zhdukurit mund të jetë gjallë, kurrë nuk janë shuar, por, tash, pas këtij rasti, ato mund të rriten shumë më tepër. "Kjo mund të sjellë dëshpërim akoma më të madh nëse del se këto shpresa kanë qenë të kota, iluzion", ka thënë Qerkini. Shumë e matur është treguar edhe Nusrete Kumnova, kryetare e shoqatës "Thirrjet e nënave" në Gjakovë, e cila e ka të zhdukur djalin. "Nuk po di çka me thanë. Jam paksa e hutuar.

Do të ishte vetë mrekullia, nëse djali im, apo ndonjë i zhdukur tjetër, kthehet i gjallë. Një gjë e di se, derisa të mos i gjejmë trupat e tyre, shpresat se mund të jenë gjallë nuk do t'i humbim kurrë", ka thënë Kumnova. Politikanët vazhdojnë me të vjetrën, familjarët i kanë hallet e tyre Edhe këtë të mërkurë, sikurse edhe në 15 vitet paraprake, në Lëndinën e Pikëllimit në Meje, aty ku më 27 prill 1999, duke u ekzekutuar 376 veta, ishte kryer masakra më e madhe e luftës së fundit, ishin tubuar mijëra veta për të nderuar të rënët. Sikurse edhe herëve të tjerë, edhe kësaj here kishte aty edhe politikan lokal e qendror, duke përfshirë edhe presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, por edhe ndërkombëtar, respektivisht përfaqësuesi i BE-së për Kosovë, Samuel Zhbogar. Nuk ndryshoi as tradita e fjalimeve të tyre, por dukej se kjo nuk u bënte shumë përshtypje të pranishmëve, posaçërisht jo familjarëve të të vrarëve apo atyre që vazhdojnë të trajtohen si të zhdukur. Ata thuajse janë mësuar me këto fjalime, me ç'rast, zakonisht ka mjaft premtime, të cilat, së paku deri më tash, asnjëherë nuk janë përmbushur. Këtë e thotë edhe nënë Ryva nga fshati Dobrosh, që vazhdon ta ketë të zhdukur djalin, e cila ishte strukur në një kënd të masës me hallet e veta. "Ne mblidhemi këtu për t'u bërë nderim të rënëve, sepse sa për fjalime të politikanëve, ato nuk na duhen më, pasi tash e 16 vite ato po përsëritën gati të njëjta por rezultate konkrete nuk ka.

Fati i të zhdukurve kurrsesi të zbardhet, ndërsa shikoni edhe këto varreza. Kurrsesi të ngritet memoriali i premtuar, guri themeltar i të cilit është vendosur para gati 10 vitesh", ka thënë ajo. Sa i përket të parës, zbardhjes së fatit të të zhdukurve, edhe vetë presidenti Thaçi, duke iu drejtuar masës, e pranoi se për këtë u nevojitet mbështetja e ndërkombëtarëve, ndërsa për memorialin, Engjëll Berisha, nga shoqata "27 prilli Meje" thotë se derisa pushteti komunal i ka kryer disa punë në rregullimin e infrastrukturës këtu, Qeveria qendrore ende nuk ka dhënë asnjë cent edhe pse i ka premtuar 700 mijë euro. Për këtë arsye, madje është paralajmëruar mundësia e një proteste të këtyre familjarëve. "Po, është përmendur si mundësi, por ende nuk është marrë ndonjë vendim", ka thënë Berisha.

(Kosova Sot)