Gashi: Veseli t’i sjellë depuetët e PDK-së në Kuvend, LDK e gatshme për zgjedhje

  • 29 April 2016 - 19:41
Gashi: Veseli t’i sjellë depuetët e PDK-së në Kuvend, LDK e gatshme për zgjedhje

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se për bindjen e tij nuk ka vullnet nga Partia Demokratike e Kosovës që deputetët e saj të jenë në seanca të Kuvendit të Kosovës.

Ai ka përmendur seancën e fundit, kur megjithëse të nënshkruar ishin 72 deputetë, prezent në sallë ishin rreth 50 nga ta, duke theksuar se kjo për mendimin e tij paraqet qëndrim politik, jo diçka tjetër, njofton Klan Kosova.

“Kuvendi i Kosovës në gjendjen e krijuar politike do të duhej të kishte në seancë 89 deputetë. Mendoj se nëse ka vullnet prej dy partnerëve të koalicionit, por mesa duket, nuk ka vullnet nga PDK-ja që deputetët të jenë në seancë. Dhe nëse shkohet me një agjendë të shpejtë të Kuvendit, mund të vijmë tek një gjendje e re politike”.

“Zgjedhjet si opsion janë gjithmonë, por në rastin konkret nuk mund të thuhet. Mënyra se si kryetari i Kuvendit e interpreton mungesën e kuorumit është tregues i diçkaje. Nëse ai thotë se 72 deputetë e kanë nënshkruar prezencën dhe pak mbi 50 janë në seancë, atëherë kjo shpreh një gjendje të caktuar sepse mungesa në seancë është qëndrim politik. Dhe unë do ta trajtoja mungesën e deputetëve në seancën e sotme si qëndrim politik dhe jo si çështje financiare”.

Gashi ka kërkuar nga ushtruesi i detyrës të kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, që të kujdeset që deputetët e kësaj partie të jenë preznet në seancat e Kuvendit.

“Kadri Veseli nuk e di se si do të veprojë, por ai duhet të marrë përgjegjësi si kryetar i PDK-së dhe t’i sjellë deputetët e kësaj partie në Kuvend. LDK është parti e madhe dhe serioze, gjithmonë e gatshme për zgjedhje”.

(Kosova Sot)