Serbia firmos kontratë shtesë për armë ruse: kësaj radhe për helikopterë

  • 30 April 2016 - 10:19
Serbia firmos kontratë shtesë për armë ruse: kësaj radhe për helikopterë

Menjëherë pasi kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç shpalli politikën e tij proeuropiane në fjalimin e fitores së zgjedhjeve të 24 prillit, ministri i tij i Mbrojtjes firmosi një kontratë shtesë për armë ruse, duke blerë helikopterë luftarakë të prodhimit të fundit.

Gjatë vizitës që zhvilloi më Moskë, Zoran Gjorgjeviq firmosi një marrëveshje me homologun e tij rus, Sergei Shoigu, për të rregulluar mënyrën e pagesës së helikopterëve që janë vendosur të vijnë në Ballkan.

Sipas kontratës, që nga muaji maj mbërrin në Beograd ngarkesa e parë e helikopterëve rusë dhe në qershor vjen ngarkesa tjetër me dy të tillë.

Bëhet fjalë për të famshmit helikopterë transporti dhe sulmi MI-17, të cilët morën namin e madh gjaytë luftës së Afganistanit në fillim të viteve ‘80 të shekullit të shkuar.

Një burim i gazetës së Beogradit Danas, theksoi se një numër pilotësh dhe teknikësh kanë shkuar në Rusi për trajnim për të ngarë modelin M17.

Kur u pyetën në lidhje me koston e këtyre helikopterëve, qeveria refuzoi të jepte informacione, por të pritet që shuma të bëhet e ditur pas ardhjes së mjeteve.

Historia në lidhje me blerjen e pajisjeve ushtarake ruse arriti kulmin në fund të vitit të kaluar, pas një gare armatimi me Kroacinë.

Zagrebi vendosi të blejë disa sisteme raketore në SHBA dhe kjo bëri që Moska menjëherë të deklarojë se do t’i japë Beogradit sisteme raketore me rreze të mesme të prodhimit rus.

Serbia ka reaguar ashpër për faktin se Kroacia, e cila është anëtare e NATO-s, blen armatim të fundit dhe deklaroi se të njëjtën gjë do ta bëjë edhe ajo, por nga Rusia.

Ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Ante Kotormanoviq theksoi se “është e pamundur për të arritur në një politikë dialogu me mentalitetin që ka Rusia dhe Serbia”.

“Ne po praktikojmë sanksione kundrejt Rusisë, ndërsa ata blejnë armë në Moskë. Kjo është e papranueshme pasi ushqen tensionet dhe i jep shkelmin synimit për t’u bashkuar me BE-në. Serbia s’mund të ulet në dy karrige”, tha kreu i Mbrojtjes kroate.

Ekspertët për çështje ushtarake të këtij vendi  janë duke u përpjekur të sigurojnë se nuk ka arsye për panik, për shkak të se blerja e armëve nga ushtria kroate, siç thonë ata, bëhet për të modernizuar ushtrinë dhe nuk janë armë sulmuese.

Ndërkaq, zv/kryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq u takua sme ambasadorin rus në Beograd, Aleksandër Chepurin dhe diskutuan hapat e ardhshëm në zhvillimin e bashkëpunimit politik dypalësh dhe në zbatimin e marrëveshjes ekonomike midis Serbisë dhe Rusisë.

(Kosova Sot)