ERE dhe OSHEE manipuluan shifrën e borxheve?

  • 30 April 2016 - 23:24
ERE dhe OSHEE manipuluan shifrën e borxheve?

Përmes një shkrimi të koordinuar, mediat pro qeveritare kanë akuzuar liderin e opozitës, Lulzim basha se manipuloi shifrat zyrtare të Entit Rregullator të energjisë, për të sulmuar pa të drejtë OSHEE-në.

Artikulli, “çuditërisht” i njëjtë në të gjitha mediat afër qeverisë, i referohet denoncimit që kreu i opozitës i bëri rritjes së borxheve të pambledhura të OSHEE-së, si një tregues që rrëzon mitin e mirëmenaxhimit të kësaj kompanie.

Por, sipas gazetave dhe portaleve të majta, shifrat e deklaruara nga zoti Basha janë të pasakta dhe denoncimi i tij është një gafë.

Në fakt i gjithë artikulli që i përgjigjet liderit të opozitës, me gjasa është shkruar në zyrat e ERE-s ose OSHEE-së. Por edhe pse pretendojnë se kanë kapur në gafë liderin e opozitës asnjë nga këto dy institucione nuk ka dalë ta denoncojë vetë këtë publikisht, por kanë përdorur mediat pranë tyre. Arsyeja? Sepse si OSHEE ashtu edhe ERE e kanë manipuluar treguesin e borxhit.

Fakti i denoncuar nga lideri i opozitës është i vërtetë,. Borxhet e pambledhura të OSHEE u rritën vitin e kaluar pavarësisht trumbetimit për mirëmenaxhim. Por përmes një manovre financiare, që ka lidhje me shuarjen e detyrimeve të ndërsjellta brenda kompanive publike, ERE dhe OSHEE, e kanë deformuar treguesin e borxheve.

Si u manipulua borxhi

Në fund të vitit 2014, borxhet e pambledhura të Operatorit të Shpërndarjes ishin 71.4 miliardë lekë. Këto janë fatura të papaguara ndër vite nga të gjitha kategoritë e konsumatorëve, përfshirë familjarët, biznesin dhe entet publike.

Në raportin vjetor të 2015-ës, që sapo ka dërguar në Parlament, ERE thotë se në fund të vitit të kaluar, borxhi i pambledhur i OSHE zbriti në 68.8 miliardë lekë.

Në pamje të parë duket se OSHEE është mirëmenaxhuar dhe ka arritur të ulë me 2.6 miliardë lekë borxhin e pambledhur.

Por e vërteta është ndryshe.

Borxhet e OSHEE vazhduan të rriteshin edhe gjatë 2015-ës me mbi 1 miliardë lekë ose 10 milionë dollarë.

Më konkretisht, sipas vetë raportit të Entit Rregullator, gjatë vitit 2015 OSHEE faturoi në total 61.78 miliardë lekë energji elektrike, por arriti të arkëtojë, bashkë edhe me faturat e prapambetura të viteve të tjera, vetëm 60.7 miliardë lekë.

Kjo do të thotë se realisht borxhi i pambledhur i OSHEE është shtuar edhe me mbi 1 miliardë lekë të tjera vitin e kaluar. Por për të krijuar iluzionin e mirëmenaxhimit Enti dhe OSHEE kanë përfshirë në këtë shifër edhe shuarjen e detyrimeve të ndërsjellta mes OSHEE dhe KESH apo enteve të tjera publike.

Shifra e detyrimeve të ndërsjellta mes kompanive publike që u fshinë me marrëveshje për vitin e kaluar është 3.6 miliardë lekë. Kjo ka bërë që treguesi i borxheve të ulet në mënyrë fiktive me po kaq edhe pse ky është një raportim i pasaktë.

Kjo pasi ERE ka raportuar vetëm borxhet që OSHEE kishte për të mbledhur nga kompanitë e tjera publike, por nuk ka raportuar detyrimet qe ajo kishte ndaj tyre duke çuar në shtrëmbërimin e llogarive dhe krijuar kështu iluzionin se OSHEE ka arritur të ul borxhin, ndërkohë që e vërteta është krejt tjetër.

(Kosova Sot)