Fondi Garantues ngjall shpresën e bizneseve

  • 02 May 2016 - 07:48
Fondi Garantues ngjall  shpresën e bizneseve

Osmani: Shans i mirë që bizneset të rrisim investimet kapitale 

Sipas ish-kryetarit të OEK-ut, Ismajl Kastrati, me themelimin e Fondit Garantues të Kredive gjithsesi se pritet që të ketë rritje të numrit të kredive komerciale, por edhe ulje të shkallës së kamatave komerciale. Sipas tij, edhe bankat komerciale nuk do të hezitojnë që të japin më shumë kredi, kurse një pjesë e këtyre bizneseve do të përfitojnë edhe nga Fondi Garantues i Kredive, shkruan sot Gazeta Kosova Sot

Themelimi i Fondit Garantues të Kredive, që u lansua ditë më parë nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës të përkrahur nga USAID-i amerikan, e kanë ngjallur shpresën te bizneset vendore se ky fond do të jetë si një shtysë shumë e fuqishme për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Në të njëjtën kohë, përfaqësuesit e AKB-së, afaristët, ish-drejtuesit e OEK-ut dhe ekspertë të financave janë shumë optimistë se pas krijimit të fondit, nga bankat pritet rritja e numrit të kredive dhe ulja e kamatave. Por, që të ndodhë kjo paraprakisht duhet që BQK-ja të përshtatë rregullativën në mënyrë që bankat komerciale ta kenë më të lehtë kreditimin. Me gjithë pyetjet e dërguara në adresë të krerëve të BQK-së dhe shumë bankave komerciale të vendit se sa janë ato të gatshme si banka komerciale që të rrisnin edhe më shumë numrin e kredive komerciale pas krijimit të Fondit për Garanci Kreditore, si edhe të ulin kamat e tyre, zyrtarët e tyre për dy ditë me radhë nuk kanë dhënë përgjigje në këto pyetje. Vjollca Dibra, këshilltare për media dhe komunikim në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, thotë se Fondi Garantues i Kredive vjet fillimisht ka pasur në dispozicion 18 milionë euro dhe për detyrë ka pasur që të adresojë veç të tjerash një nga barrierat kryesore të biznesit, që është qasja në financa. Dihet botërisht se për shkak të rrezikut të madh të perceptuar, bankat kanë procedura të gjata administrative, kërkojnë kolateral të madh, të cilat janë pothuajse të papërballueshme për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme. Fondi fillimisht do të mbulojë deri në 50 për qind të kolateralit, i cili vetvetiu do ta zbresë rrezikun për bankat.

Garancitë e kredive që sigurohen nga Fondi për institucionet financiare do të rregullohen me rregulloret e Bankës Qendrore të Kosovës dhe kontratat ndërmjet Fondit Garantues dhe institucioneve financiare". Ndryshe si u tha ditë më parë në lansimin e tij përmes këtij fondi llogaritet që në gjashtë vjetët e parë të rritet mundësia për kredi të reja për rreth 360 milionë euro, me të cilat mund të krijohen deri në 20 mijë vende të reja pune. Sipas të dhënave zyrtare, vlera e kredisë në 10 bankat komerciale që operojnë në Kosovë, ka arritur në mbi 1.9 miliard euro me një normë të interesit 8 për qind.

Balija: Fondi të mos ngarkojë bankat me tarifa të larta Petrit Balija, kryetar i Shoqatës së Bankave të Kosovës, thotë si shoqatë e kanë mbështetur krijimin e Fondit për Garanci Kreditore që nga iniciativat e para në këtë drejtim. Ky fond është mbështetur duke u bazuar në synimet e fondit për të zgjeruar dhe për të lehtë- suar kreditimin e NMV-ve dhe mikrobizneseve që është në dobi të zhvillimit ekonomik në Kosovë. " Megjithëse normat e interesit për kredi kanë rënë dukshëm në vitet e fundit, tanimë janë të krahasueshme me rajonin dhe nuk paraqet barrierë për qasje në financa, por ka raste kur bizneset nuk e posedojnë kolateralin e mjaftueshëm për të marrë kredi, prandaj ky fond do të lehtësojë kreditimin në këto raste", shprehet Balija. Ai shton se megjithatë i mbetet BQK-së që të bëjë përshtatjen e rregullativës në mënyrë që bankat ta kenë më të lehtë kreditimin përmes këtij fondi, me theks të veçantë në peshimin e riskut për këtë portofol të kredive që do të duhet të ishte minimal. Po ashtu, është me rëndësi të veçantë që fondi të mos ngarkojë bankat me tarifa të larta, në mënyrë që kostoja e këtyre kredive të garantuara të mos ngrihet. Balija thotë se fondi duhet të bashkëpunojë me të gjithë aktorët e përfshirë në mënyrë transparente për të shmangur problemet potenciale në funksionimin e tij dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të kapaciteteve për garantim të kredive.

Pritet ulje e kamatave Ish-kryetari OEK-ut, Ismajl Kastrati thotë për "Kosova Sot", se me themelimin e Fondit Garantues të Kredive gjithsesi se pritet që të ketë rritje të numrit të kredive komerciale, por edhe ulje të shkallës së kamatave komerciale. Sepse, sipas Kastratit, garanci e këtyre kredive të bizneseve është Fondi Garantues ndaj edhe bankat komerciale nuk do të hezitojnë që të japin më shumë kredi, e madje edhe që t'i ulin kamatat e tyre. Sipas Kastratit, nga një pjesë dhe përqindje të këtyre kredive të bizneset kosovare do të përfitojnë edhe nga Fondi Garantues i Kredive.

Eksperti i fushës së financave, Xhevat Meha thotë për "Kosova Sot", se rritja e numrit të sasisë së kredive që bankat tona komerciale po ua japin bizneseve, tani për tani nuk është i varur nga kreditë e këqija. "Kreditë e këqija në Kosovë janë larg më të ulëtat në rajon. Andaj, Fondi për Garanci të Kredive në afat të shkurtër do të ketë efekte minimale", thotë ai. Sipas Mehës, efektet e këtij fondi do të shfaqen në të ardhmen. Se sa dhe kur këto efekte do të arrihen, Meha thotë se kjo do të varet nga ndryshimi i kushteve për bërjen e biznesit e që kryekëput kanë të bëjnë me nivelin e zbatimit të ligjeve. Shahini: Shumë biznese nuk kanë kolateral të mjaftueshëm Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), Agim Shahini, thotë se është e natyrshme që pas krijimit të këtij fondi do të vijnë ditë më të mira për ekonominë kosovare, që do të thotë se pritet që të ketë rritje të numrit të kredive dhe ulje e kamatave nga ana e bankave komerciale. Sipas tij, bizneset e konsiderojmë këtë fond si shumë të qëlluar. "Fondi krijon një mundësi më të madhe për investime dhe krijimin e vendeve të reja të punës", u shpreh ai.

Tutje Shahini shton: "E keqja është se për momentin mbetet e paqartë mënyra e realizimit të tij, sepse nuk dihet se cilat janë ato biznese si edhe kritere të sakta të përfituesve nga ky fond". Shahini shtoi se " shumë biznese nuk kanë kolateral të mjaftueshëm për të paraqitur në bankat komerciale. Kjo kërkesë e bankave për marrjen e kredive vështirëson procedurat për marrjen e kredive dhe nëse për 50 për qind të kolateralit garanton banka, atëherë kjo ndikon në rritjen e zhvillimit të bizneseve". I lumtur për krijimin e këtij fondi, ka thënë se është edhe afaristi, Bashkim Osmani. Ai shprehet për "Kosova Sot" se prodhuesit shpresojnë se fondi i krijuar nga Qeveria e Kosovës do të rritë dukshëm numrin e kredive dedikuar bizneseve vendore dhe në të njëjtën kohë do të ndikojë në uljen e kamatave të kredive komerciale në bankat komerciale". Sipas Osmanit, ky fond është një shans dhe mundësi shumë e mirë që si biznese të rrisim investimet kapitale nëpër kompani. "Në të shumtën e rasteve bankat komerciale kanë kërkuar kolateral në vlerë tri herë më të lartë sa shuma e kërkuar për kredi. Natyrisht që kjo ka qenë pengesë, sepse përveç kësaj procedurat janë burokratike për miratimin e një kredie, pasi kërkohen sigurimi i një numri të madh dokumentesh. Por, edhe pas miratimit kostoja është e shtrenjtë, për shkak të kamatave të kredive", shprehet ai. Afaristi Osmani shtoi se krijimi i fondit do të ketë shumë pozitivitet dhe presin që të ketë qasje më të lehtë në bankat komerciale.

(Kosova Sot)