Kur duart bëhen sy

  • 02 May 2016 - 18:44
Kur duart bëhen sy

Zdrukthëtari i verbër ferizajas është shembulli më i mirë se vullneti për punë e profesion nuk njeh kushte as mundësi. Dëshirat e të riut Daut Hoxha po bëhen realitet dita-ditës, ngase për asnjë minutë ai vetë nuk ndalet me gjithë vështirësitë e pengesat që has kjo kategori e njerëzve në rrethanat kosovare,shkruan gazeta Kosova Sot. 

Ai ka mbi 17 vjet që në biznesin e ngushtë familjar të zdrukthëtarisë e kalon një pjesë më të mirë të ditës, ku e gjen edhe prehjen dhe qetësinë e dëshiruar. "Ne biznesin familjar e kemi të trashëguar para luftës dhe unë me dëshirë shkoj e punoj aty prejse jam bërë për punë, që nga fillimi u kam ndihmuar vëllezërve. Nuk e kam pasur edhe të lehtë, por me vullnet arrihet gjithçka", nis tregimin Dauti, duke shtuar se nga të gjitha aktivitetet që bën edhe profesionin e zdrukthëtarit e ka mjaft për zemër. Ky zanatli ferizajas, ndonëse nuk sheh, thotë se është në gjendje ta matë hapësirën e punës dhe dërrasat me të cilat i duhet të punojë.

Ai më së shumti merret me gërryerjen dhe lëmimin e dyerve apo orendive të tjera, kur ato janë nga fundi dhe kjo i jep një kënaqësi të veçantë që të shijojë rezultatin e veprës së realizuar. "Unë me shumë dëshirë bëj gërryerjen e larave dhe shpesh i gjej edhe gabimet që kanë bërë punëtorët që i kanë pasur në dorë para meje këto punime druri, dhe u them se në këtë pjesë apo kudo që e prek e nuk më duket mirë keni gabuar. Shumicën e punëve që konsideroj që nuk janë bërë mirë mundohem t'i përmirësoj edhe vetë, por e kam të vështirë kur druri merr ngjyrë të zezë dhe atë nuk mund ta heq të tërën", flet me dashuri Daut Hoxha për profesionin e zdrukthëtarit të cilin e bën me fuqinë e duarve të arta.

Bota e duarve

Nëse bota për dikë me sy e duar duket e mangët, për ferizajasin Daut Hoxha vetëm me duar ajo duket komplete. Jo vetëm ai, por të gjithë personat e verbër e kanë pohuar disa herë se fuqia e prekjes dhe ndjesisë mundëson një njohje të veçantë të objekteve përreth .

"Ne me dorë ndjejmë shumë dhe kjo vërtetohet edhe nga një thënie e një shkencë- tari të njohur se dora e të verbrit është sy dhe me vetë faktin që ne lexojmë me duar e njerëzit e tjerë jo, kjo tregon fuqinë e tyre. Por edhe në punë, unë përmes duarve e siguroj hapësirën ku do të punoj për të mos u lënduar, sepse kur ka çarje në dërrasa është më problem dhe puna bëhet më e vështirë", tregon detaje të punës zdrukthëtari i veçantë ferizajas. Por, kënaqësia që i ofron puna atij në një copë dërrase nuk përfundon këtu brenda punishtes familjare.

Ajo bëhet edhe më e madhe kur puna ekspozohet në hapësira shumë më të mëdha. Dauti me kënaqësi rrëfen se njërin nga përjetimet më të mira të zanatit e ka pasur kur është përfunduar puna me dru tek restoranti i njohur ferizajas "Freskia" në fshatin Nerodime. Sa me shpresë aq edhe më frikë e kishte ndjerë këtë projekt ai, ndërsa përfundimi i punës i kujton një krenari të veçantë, ngase edhe ishte vepër e veçantë puna madhështorë e bërë aty.

Ndjek me dëshirë edhe studimet

Daut Hoxha, veç punëve në zdrukthëtari, ka një angazhim të shtuar edhe në udhëheqjen e shoqatës së personave të verbër në Ferizaj, si dhe në bashkëpunimet që ka kjo organizatë me institucionet dhe mekanizmat e tjerë. Dëshira dhe përkushtimi i tij është për një mobilizim më të mirë dhe përmirësim të kushteve për jetë e lëvizje pa pengesa edhe për personat e verbër. Madje edhe vetë thotë të ketë ambicie më të mëdha se sa ato që i ofron zanati. "Unë jam në përfundim të Fakulteti Juridik dhe në të ardhmen veten e shoh në një punë që ka lidhje me administratë, jo ndoshta shumë për vete sa për t'ua trasuar rrugën të tjerëve në mënyrë që ta kenë më të lehtë të studiojnë e të punojnë sikurse edhe personat e tjerë", thotë Dauti Hoxha.

Studimet tregon se janë sfiduese për kushtet në të cilat mësojnë personat e verbër në Kosovë, por ai nuk i ndahet botës së digjitalizuar, prandaj e ka më të lehtë që të gjej në alfabetin Brajl krejt çka i duhet. "Unë përdor edhe kompjuterin dhe kam mundësi t'i lexoj ato materiale që na i jep profesori. Kam një kërkesë për institucionet që të bëjnë më shumë për personat e verbër. Kam shumë dëshirë që të kemi literaturë në alfabetin e Brajl", pohon Dauti në bisedë për gazetën "Kosova Sot". Me gjithë premtimet e herëpashershme institucionale, një numër i madh i personave me aftësi të kufizuara në Ferizaj edhe më tutje bëjnë një jetë vërtet të kufizuar, pa pasur mundësi të gjejnë integrim, shkollim e punësimin e ëndërruar. Kjo kategori shpesh e ka dëshmuar se dëshira për suksese mund edhe aftësitë, por duhen rrugë e mënyra që vlerësimi të jetë vërtet i merituar.

(Kosova Sot)