Qeveria e dështimeve thelloi papunësinë

  • 03 May 2016 - 07:53
Qeveria e dështimeve thelloi papunësinë

Shifrat rrëzojnë projeksionet mashtruese zyrtare

Njohësi i çështjeve të ekonomisë në Kosovë, Ibrahim Rexhepi, ka thënë se Qeveria e tanishme ka dështuar në krijimin e një ambienti të përshtatshëm për investime dhe punësim. “Qeveria nuk hap vende pune, por krijon ambient për zhvillim, rritje ekonomike dhe përmirësim të gjendjes sociale, përmes punësimit dhe programeve të tjera. Këto asnjërën nuk i ka arritur kjo qeveri”, ka thënë ai.

Qeveria e koalicionit, LDK-PDK, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, vazhdon që të lavdërohet se Republika e Kosovës e paska rritjen ekonomike më të lartën në rajon. Mirëpo, ekspertët e ekonomisë, analistët dhe deputetët opozitarë, thonë se me gjithë këto lëvdata, prapëseprapë me rritjen ekonomike prej vetëm 3.5 për qind në vit nuk mund të luftohen papunësia dhe varfëria që e kanë kapluar vendin. Premtimet për 200 mijë vende të reja, analistët po i shohin vetëm si premtime elektorale dhe të parealizueshme nga ana e Qeverisë kosovare. Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga opozita, Enver Hoti (Nisma), tha se vetëlavdërimet qeveritare nuk pinë ujë. “Me një rritje ekonomike vjetore vetëm  3.5 për qind nuk luftohen papunësia dhe varfëria që e kanë kapluar vendin”, ka theksuar ai. Deputeti Hoti përkujtoi se në dhjetor të vitit 2014 PDK-ja e Hashim Thaçit me LDK-në e Isa Mustafës patën nënshkruar marrëveshjen e bashkëqeverisjes për vitet 2014-2018. “Ky koalicion në fushatë elektorale dhe në fillim të mandatit të tij premtoi shumë vende pune për kosovarët, por sipas njohësve të ekonomisë ende nuk po shihen aktivitete ekonomike, të qeverisë të cilat do të mund të përmbushnin premtimin e dhënë gjatë fushatës elektorale për krijimin e qindra vendeve të reja të punës”, u shpreh më tej Hoti.

Treguesit rrëzojnë lavdet e Qeverisë

Se papunësia në Kosovë ende mbetet alarmuese e tregojnë edhe të dhënat që kanë dalë nga regjistrimi i popullsisë më 2012, ku në mes tjerash thuhej se nga 1 milion e 800 mijë banorë rezidentë gati gjysma e popullatës e aftë për punë, apo 44.9 për qind, janë të papunë. Kurse 55 për qind llogaritet papunësia tek të rinjtë nga mosha 15 deri në 24 vjeç. Shkalla e lartë e papunësisë dhe varfërisë Kosovën e ka përcjellë që nga përfundimi i luftës së fundit. Ndërkaq, pikërisht situata ekonomike ka qenë një nga arsyet që Kosova në fund të vitit të kaluar është ballafaquar me rritjen e migrimit të qytetarëve të saj, të cilët kanë kërkuar azil në vendet e Bashkimit Evropian. Në një raport të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, thuhet se shkalla e papunësisë në Kosovë është 35 për qind. Nënkryetari i BSPK-së, Alush Sejdiu, në një prononcim për ‘Kosova Sot’, duke i konsideruar shifrat e ASK-së joreale, thotë se sipas hulumtimeve të kësaj sindikate rezulton se papunësia arrin deri në 60 për qind.

Mijëra punëkërkues lajmërohen çdo muaj

Në vitin 2015, me ndërmjetësimin e Ministrisë së Punës, mësohet se kanë gjetur punë ndërmjet 6-7 mijë veta, ndërkohë që në tregun e punës çdo vit futen nga 30 mijë të rinj. Në lista e të evidentuarve të papunë në kuadër të Ministrisë së Punës… figurojnë më shumë se 135 mijë veta, ndërsa qytetarët e Kosovës edhe në vitin 2016 po vazhdojnë që të kërkojnë punë. Madje numri i tyre duket se do të jetë goxha i madh. Vetëm brenda një muaji e gjysmë, zyrave të punësimit ia kanë mësyrë rreth 3 mijë persona të të dyja gjinive. “Për më pak se dy muaj në zyrat e punësimin në të gjithë territorin e Kosovës janë lajmëruar 2 mijë e 911 persona punëkërkues. Nga ky numër i përgjithshëm rreth 1176 punëkërkues i takojnë gjinisë femërore”, ka thënë Musa Demiri, zëdhënës në Ministrinë për Punë dhe Mirëqenie Sociale. Derisa nga ky numër gjysma e tyre del të jenë femra. Njohësi i çështjeve të ekonomisë në Kosovë, Ibrahim Rexhepi, ka thënë se qeveria e tanishme ka dështuar në krijimin e një ambienti të përshtatshëm për investime dhe punësim. “Qeveria nuk hap vende pune, por krijon ambient për zhvillim, rritje ekonomike dhe përmirësim të gjendjes sociale përmes punësimit dhe programeve të tjera. Këto asnjërën nuk i ka arritur kjo qeveri”, ka thënë ai.

Ambienti për biznes u përkeqësua Rexhepi thekson se mosfunksionimi i shtetit, gjykatave, korrupsioni, shantazhet si dhe informaliteti ndikojnë drejtpërdrejt në investimet e huaja dhe krijimin e vendeve të reja të punës. "Qeveria ka dështuar në përmirësimin e ambientit për biznes për siguri më të madhe për investimeve, si edhe për rritjen e efikasitetit dhe besueshmërisë te institucionet shtetërore", thotë ai. Ndërkohë që kanë vazhduar ankesat se Qeveria 'Mustafa' po i varfëron qytetarët. Zyrtarë të Lëvizjes 'Vetëvendosje' janë shprehur se shteti ka dështuar në premtimet e dhëna për krijimin e vendeve të reja të punës dhe të një ambienti më të mirë ekonomik. Në përgjigjen e Frashër Krasniqit nga Zyra për Informim e kësaj lëvizje thuhet se planifikimi ekonomik i qeverisjes 'Mustafa-Thaçi' është planifikim, i cili varfëron më shumë qytetarët. "Doli që Qeveria e Kosovës të jetë mjet i Serbisë për realizimin e interesave të veta politike dhe ekonomike brenda Kosovës. Në vend se të merret me rritjen e prodhimit, si parakusht për zhvillim ekonomik dhe për hapje të vendeve të reja të punës ajo negocion me Serbinë", theksoi ai. Sipas zyrtarëve të Lëvizjes 'Vetëvendosje', në Kosovë nuk mund të ketë punësime përderisa nuk krijohet ambient i sigurte për investitorët.

Politikat qeveritare, jostimuluese për ekonominë

Edhe drejtori i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës, Arian Zeka, pajtohet se norma e rritjes ekonomike prej 3.5 për qind nuk do të ndikojë në uljen e varfërisë dhe papunësisë në vend. 'Me normën momentale të rritjes ekonomike, të cilën e kemi shënuar nga viti në vit, e që e cila nuk shkon realisht në këto 4-5 vitet e fundit në më shumë se 3.5 për qind. Kjo normë nuk mjafton që vendi edhe një herë të mburret me të gjitha aktivitetet e saj në mbështetje të një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik. Është thënë shumë shpesh nga gjithë ne që kjo normë duhet të jetë së paku dyshifrore. Nëse nuk mund të arrijmë më të lartë natyrisht për një përmirësim më të shpejtë të mirëqenies së qytetarëve do të ishim shumë më optimistë dhe të themi që në vitin 2016 do të kemi normë më të lartë se 4 deri në 5 për qind", tha Zeka. Sipas tij, Qeveria duhet të fokusohet në nxjerrjen e politikave që do të mundësonin zhvillimin e sektorit privat. Po ashtu, ai thotë se Qeveria deri tash nuk ka treguar dinamikë të zhvillimit të kënaqshëm.

(Kosova Sot)