Paraardhësit e evropianëve modernë jetuan përreth Belgjikës, para 35 000 vjetësh

  • 03 May 2016 - 21:44
Paraardhësit e evropianëve modernë jetuan përreth Belgjikës, para 35 000 vjetësh

Njerëzit modernë kanë mbërritur në Evropë para rreth 45 000 vjetësh, mirëpo shumë pak dihet për mënyrën se si janë shpërndarë ata nëpër kontinent, para se të fillonin të merreshin me ferma. Tani, hulumtuesit që po merren me analizat më të detajuara gjenetike të Evropianëve të Paleolitit kanë zbuluar prejardhjen e njerëzve të hershëm modernë,shkruan gazeta Kosova Sot. 

Ky grup, që ka jetuar në veriperëndim para 35 000 vjetësh, ka kontribuuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në krijimin e evropianëve të ditëve të sotme. Gjatë Epokës së Akullnajave, që ka përfunduar para 12 000 vjetësh, e që kishte përjetuar pikën më të lartë para 25 000 dhe 19 000 vjetësh, kur kishte filluar shkrirja, akullnajat mbulonin Skandinavinë dhe Evropën veriore, deri në Francën veriore. E, më të filluar shkrirja e akullit në fund të Epokës së Akullnajave, regjioni ishte ripopulluar.

Popullimi i evropianëve pas shkrirjes së akullnajave

Për të qenë në gjendje që ta studiojnë këtë ripopullim, David Reich dhe kolegët e tij nga Universiteti i Harvardit kanë analizuar të dhënat nga 51 njerëz modernë, të cilët kanë jetuar para 7 000-45 000 vjetësh. Mbetjet e gjetura nga kjo periudhë përfshijnë tri kafka 31 000 vjet të vjetra nga Republika e Çekisë; pjesën e poshtme të nofullës së një kafke 19 000 vjet të vjetër dhe kafkën e një personi që ka jetuar para 14 000 vjetësh, që është gjendur në verilindje të Italisë. Të dhë- nat gjenetike tregojnë që, duke filluar para 37 000 vjetësh, të gjithë evropianët kanë origjinë nga një popullsi e vetme, që i kishte mbijetuar Epokës së Akullnajave.

Popullsia parësore ka degë të thella në pjesë të ndryshme të Evropës, njëra prej të cilave përfaqësohet nga një mostër nga Belgjika. Në fakt, evropianët e ditëve të sotme kanë origjinë nga ky grup njerëzish, të cilët kanë jetuar në Evropën veriperëndimore para 35 000 vjetësh. Megjithatë, grupi i popullsisë nga e cila kanë rrjedhë evropianët modernë, që ka qenë pjesë e kulturës Aurignaciane, ishte zhvendosur kur një grup tjetër njerëzish, anëtarë të një kulture tjetër, kishin dalë në pah në shumë pjesë të Evropës, para 33 000 vjetësh. Pastaj, para rreth 19 000 vjetësh, një popullsi e ndërlidhur me kulturën Aurignaciane ishte shpërndarë nëpër Evropë. Besohet që këta njerëz e kishin ripopulluar Evropën pas shkrirjes së akullnajave.

Popullsia parahistorike njerëzore ka pasur tre deri në gjashtë për qind të ADN-së së neandertalëve

Bazuar në mostrat e hershme besohet që kjo popullsi ishte zgjeruar nga jugperëndimi - Spanja e ditëve të sotme - pasi që Epoka e Akullnajave kishte filluar të shkonte drejt fundit. Ngjarja e dytë që e kanë vërejtur hulumtuesit ka ngjarë para rreth 14 000 vjetësh kur popullsitë nga juglindja, përreth Turqisë dhe Greqisë, ishin shpërndarë nëpër Evropë, duke i zhvendosur grupet e para të njerëzve. Profesori Reich ka thënë: "Vërejmë një qarkullim të popullsisë në Evropë dhe kësaj here popullsia vjen nga lindja, e jo nga perëndimi. Shohim gjithashtu gjenetika të ndryshme që shpërndahen nëpër Evropë, duke i zhvendosur njerëzit nga jugperëndimi, të cilët kishin qenë të vendosur në ato treva më herët. Këta njerëz kanë mbijetuar në ato zona për disa mijëra vjet, deri në mbërritjen e njerëzve që janë marrë me blegtori e bujqësi".

Studimi, që është publikuar në 'Natyre', ka vërejtur gjithashtu disa përzierje me neandertalët para rreth 45 000 vjetësh, kohë gjatë të cilës njerëzit modernë po përhapeshin nëpër Evropë. Popullsia parahistorike njerëzore ka pasur tre deri në gjashtë për qind të ADN-së së neandertalëve, mirëpo sot shumica e njerëzve kanë vetëm rreth dy për qind. Para hulumtimit të Shkollës së Mjekësisë pranë Universitetit të Harvardit kemi pasur vetëm katër mostra të evropianëve modernë parahistorikë që kanë jetuar para 7,000-45,000 vjetësh dhe si rrjedhojë ka qenë tepër e vështirë që analizohej se si kanë migruar dhe evoluar njerëzit e atëhershëm.

Nëpërmjet përdorimit të një teknike të re, më shumë mostra do të mund të vlerësohen."Përpjekjet për ta përfaqësuar një periudhë kaq të gjerë të historisë së evropianëve me vetëm katër mostra është sikur të përpiqemi ta përmbledhim një film me katër fotografi. Me 51 mostra, gjërat ndryshojmë. Ne mund ta ndjekim një lloj dinamike dhe kemi një ndjesi më të qartë të ndryshimeve me kohën", ka përfunduar profesori Reich.

(Kosova Sot)