MSH, 250 mijë euro spitaleve për stenta

  • 04 May 2016 - 09:23
MSH, 250 mijë euro spitaleve për stenta

Rreth 250 mijë euro i ka shpenzuar Ministria e Shëndetësisë për tre muajt e parë të këtij viti për të mjekuar në spitalet private pacientë me sëmundje zemre.

Kjo në pamundësi të trajtimit të gjithë pacientëve me probleme të zemrës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, edhe pse pas skandalit që po e heton Prokuroria, i njohur si “Stenta”, numri i pacientëve që kanë marrë mjekim në QKUK është rritur viteve të fundit.

Megjithatë, trendi i dërgimit të pacientëve në spitalet private nga ato publike ka vazhduar edhe në këta muaj, ndonëse në Prokurori tashmë janë në fazën finale hetimet në lidhje me rastin “Stentat”, ku të dyshuar janë mbi 100 mjekë, kryesisht kardiologë të QKUK-së.

Spitalet e skandalit “stenta”  përfituese të skemave shtetërore

Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar, pas një kërkese për qasje në dokumente publike, se pacientët po vazhdojnë të dërgohen edhe në institucionet private shëndetësore brenda të cilave pati shpërthyer skandali “Stentat”.

“International Medicine Hospital” (Kosovë), “Intermed SHPK- EDA” (Kosovë), të njohura tashmë për skandalin ”Stenta”  edhe pse ende nën hetime, vazhdojnë të përfitojnë nga skemat e Ministrisë së Shëndetësisë, ato madje kanë ndryshuar edhe emra në “Instambul Medicine”  edhe “Intermed SHPK – EDA”

(Kosova Sot)