Si ndikoi Bernie në ndryshimin e Hillary-t?

  • 04 May 2016 - 19:59
Si ndikoi Bernie në ndryshimin e Hillary-t?

Clinton në fakt mund të ketë marrë ca mësime të vlefshme nga Bernie Sanders, raporotn Gazeta Kosova Sot
Sanders ka lënë ndikim të përhershëm në kandidaturën e Hillary Clintonit, edhe pse janë të paktë ata në kampin e saj që e pranojnë këtë, raporton Gazeta Kosova Sot


Nuk ka kandidat që dëshiron sfidë të vështirë primare, por Hillary Clinton ka hasur në një barrierë të vështirë në formë të një të vetëquajturi socialist. Por, derisa ajo është duke shkuar përpara, kah zgjedhjet e përgjithshme dhe ballafaqimi me Donald Trump-in, Clinton në fakt mund të ketë marrë ca mësime të vlefshme nga Bernie Sanders.

Mbrëmjen e zgjedhjeve primare në Indiana, Clinton ishte në turne në Apalaçia, duke apeluar te votuesit të cilët ishin magjepsur nga mesazhi anti-tregti nga Sanders, por edhe nga Trump. Përqendrimi i Sanders-it te një pakënaqësi e thellë ekonomike, te pabarazia dhe te një sistem politik të dominuar nga "Big Money", ishte mjaft mbresëlënës. "Le të flasim një efekti 'ripple'. Kjo ka të bëjë me komunitetet e varfra", iu tha Clinton punëtorëve të çelikut në një restorant italian në Ashland të Kentakit. "Nga retorika e saj shihet se Hillary Clinton e ka dëgjuar shumë mirë këtë mesazh", thotë strategu politik, David Axelrod, ish këshilltar i presidentit Barack Obama. "Mbetet sfidë që të binden skeptikët që kjo do të jetë prioritet i vërtetë në Shtëpinë e bardhë, e jo vetëm një retorikë parazgjedhore". Marrëveshjet tregtare Kjo sfidë vërehet sidomos në disa nga çështjet më të rëndësishme për Sanders-in. Sa i përket rrogës minimale, për shembull, Clinton tani e thekson mbështetjen e saj për 'betejën e 15 dollarëve', edhe pse ajo mbështetë rritjen e rrogës minimale federale për 12 dollarë. Sa i përket tregtisë, Clinton është munduar që ta largojë përshtypjen se ajo ka ndryshuar qëndrimin rreth Partneritetit trans-pacifik. Disa votues e kanë pasur të vështirë ta gëlltisin momentin kur ajo citoi vërejtje të veçanta ndaj versionit final të kësaj marrëveshjeje të madhe, të cilën ajo dikur e kishte quajtur "standard të artë" të marrëveshjeve tregtare.

Operativët e Clinton-it mohojnë se ajo ka ndonjë gjë për të mësuar nga Sanders dhe e vejnë në pah qëndrueshmërinë e pozicioneve të saj rreth këtyre çështjeve: ajo ende mbështet disa marrëveshje tregtare; ajo mbështet një rritje të rrogës minimale për 15 dollarë, që do të vendosej në çdo shtet veç e veç; dhe në një fjalim të mbajtur në prill të vitit 2015, ajo e ngriti spektrin e pabarazisë në të ardhura lart në listën e saj të kampanjës, të çështjeve që kërkojnë të adresohen. "Derisa shumica prej jush bëjnë disa puna për t'ia dalë mbanë", kishte thënë ajo para turmës në atë ditë të ngrohtë pranvere, "mund t'i shihni 25 menaxherët kryesorë të fondeve të limituara (hedge) të cilët marrin më shumë para se të gjithë mësuesit e çerdheve në Amerikë dhe, shpesh, paguajnë më pak tatime". Ajo kishte thënë se donte të bëhej presidente "si për njerëzit e suksesshëm, po ashtu edhe për ata që përpiqen të arrijnë sukses". Hillari ka vërejtur zemërimin që ekziston tek e majta Por, që nga atëherë, si pasojë e kritikave të ashpra të Sanders-it ndaj 'Wall Street'-it, për çka ka marrë mbështetje të madhe, retorika e saj në këtë temë është bërë gjithnjë e më e nxehtë. Ajo ka kritikuar korporatat, duke u përbetuar se do t'i luftojë kompanitë farmaceutike të cilat rrisin çmimet e ilaçeve. "Më duket se ajo e ka vërejtur zemërimin që ekziston te e majta", thotë ish - guvernatori i Pensilvanisë, Ed Rendell, një mbështetës i Clinton-it. "Sikur ajo të mos e kishte një kundërshtarë të këtillë, apo sikur kundërshtari i saj të ishte vetëm Martin O'Malley, ajo kurrë nuk do ta kishte mësuar këtë".

Rendell thotë se ajo e ka adresuar këtë zemërim 'pjesërisht', duke theksuar pjesë të të arriturave të saj, të cilat iu bëjnë përshtypje mbështetësve të Sanders-it, duke përfshirë edhe mbështetjen e saj ndaj reformave bankare Dodd-Frank, duke theksuar se reformat që ajo i parasheh për "Wall Street" janë më të ashpra sesa planet e Sanders-it për shpërbërjen e bankave të mëdha. "E njëjta është e vërtetë edhe sa i përket pabarazisë në të ardhura", shton Rendell. "Është evidente se ajo merrej me këtë çështje, por nuk jam i sigurt se sa do të kishte ajo rëndësi për të, sikur të mos ishte sfida e saj në formë të Bernie Sanders-it, prandaj mendoj se ajo ka disa gjëra të mira t'i thotë rreth kësaj teme". Në të njëjtën kohë, ajo është angazhuar për një qëndrim të matur demokrat rreth rritjes së tatimeve për të pasurit, por jo edhe për shtresën e mesme dhe nuk angazhohet për zgjerimin e sigurimit social për të gjithë. "A e di ajo paraprakisht se rrogat kanë ngecur dhe se asaj do t'i duhet që të dalë me një zgjidhje në këtë drejtim? Natyrisht", thotë Lee Miringoff, drejtor i Institutit 'Marist' për opinione publike. Operativët e Clinton-it insistojnë se ata gjithmonë e kanë ditur se do të ketë një betejë të ashpër dhe se kishin planifikuar që të luftonin për çdo votë. Por, sfida 'Sanders' ndikoi te formësimi i betejës së Clinton-it, duke e bërë atë më të gatshme për betejën që e pret këtë vjeshtë.

(Kosova Sot)