Katërfishohet numri i aplikuesve për pasaporta brenda ditës

  • 06 May 2016 - 19:07
Katërfishohet numri i aplikuesve për pasaporta brenda ditës

Fluks i madh në Gjakovë për pajisje me dokumente personale.
 "Tash po bëhet mirë që po hiqen vizat. Në pasaportën e vjetër kam afat përdorimi edhe tre vjet, por sot, së bashku me gruan, aplikuam për pasaportë biometrike, pasi, siç na thanë, vetëm me atë mund të udhëtohet pa viza", fliste me shumë entuziazëm Rasim Uka,  raporton Gazeta Kosova Sot


Dita e mërkurë, 4 maji, ishte dita kur për kosovarët, më në fund, filluan të hapen dyert për dalje nga getoja, në të cilën janë tash e 17 vite. Publikimi i rekomandimit të Komisionit Evropian për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, është paralajmërimi më i mirë se ata shumë shpejt do të mund të udhëtojnë pa viza në shtetet e Shengenit. Kuptohet, siç ndodh zakonisht kur është në pyetje Kosova, edhe kësaj here janë përcaktuar dy kushte që ne duhet t'i përmbushim që të mund të lëvizim lirisht në shumicën e vendeve të Evropës. Të bindur se këto kushte do t'i përmbushim, atëherë shpresohet se, që nga korriku ose gushti, lëvizja e kosovarëve jashtë kufijve të shtetit të tyre do të lehtësohet shumë.

Për një pasaportë biometrike paguhen 30 euro Ky rekomandim i Komisionit Evropian, por edhe më herët, paralajmërimi se një rekomandim i tillë do të jepet shumë shpejt, ka bërë që në Komunën e Gjakovës të rritet shumë interesimi i qytetarëve për t'u pajisur me pasaporta biometrike, të cilat mundësojnë udhëtimin pa viza, kur ato përfundimisht të hiqen. Kështu, që nga e marta, dita e parë e punës në këtë muaj, në qendrën për pajisje me dokumente personale në Gjakovë, numri i atyre që brenda ditës aplikojnë për pasaporta është rritur shumë, gati është katërfishuar. "Deri para një apo dy javësh, kemi pasur mesatarisht nga 26 deri në 30 aplikues për pasaporta, ndërsa që nga e marta ky numër është rritur ndjeshëm. Kështu vetëm gjatë ditës së mërkurë, për pasaportë biometrike kanë aplikuar më shumë se 100 veta", na kanë thënë zyrtarët e kësaj qendre, duke shtuar se pavarësisht rritjes së interesimit, nuk presin që të ketë pritje për pajisje me pasaportë ditë.

Fakti se kohë më parë kalimi i kufirit me Maqedoninë është mundësuar me leje personale biometrike, ka bërë që të rritet edhe numri i të interesuarave për të pajisur me këso lejesh. Siç mësuam nga zyrtarët e kësaj qendre, me pasaportë biometrike mund të pajisen edhe ata që ende kanë afat shfrytëzimi në pasaportën e vjetër të Kosovës. Pagesa për pasaportë të re për persona të moshës madhore është 30 euro, për persona deri në 18 vjeçe, 20 euro ndërsa për pensionist 15 euro. Për leje te re të njoftimit paguhen 10 euro. Ata që janë të interesuar që me pasaportë të pajisen me procedurë të shpejtuar, brenda 72 orësh, duhet të paguajnë gjithsej 80 euro. Mezi presin t'i vizitojnë të afërmit në Perëndim Të enjten nga mesdita, në sportelet e qendrës për pajisje me dokumente personale në Gjakovë, hasëm qytetarë të moshave të ndryshme, por megjithatë binte në sy se dominonin ata të moshës mbi 40-vjeçare. "Po bëhen gati 10 vjet që djali më jeton dhe punon në Gjermani, dhe unë ende nuk kam pasur mundësi të shkoj asnjë herë tek ai. Në fillim as unë e as djali nuk ishim shumë të interesuar që të shkoj atje, pasi ai ende nuk ishte stabilizuar. Mirëpo, po bëhen thuaja dy vite që djali është stabilizuar në punë, ka një banesë të mirë dhe ka mundësi të më gostit mua dhe nënën e vet, prandaj dy herë kemi provuar të marrim vizën për Gjermani, por nuk ia kemi dalë.

Tash po bëhet mirë që po hiqen vizat. Në pasaportën e vjetër kam afat përdorimi edhe tre vjet, por sot, së bashku me gruan, aplikuam për pasaportë biometrike, pasi, siç na thanë, vetëm me atë mund të udhëtohet pa viza", fliste me shumë entuziazëm Rasim Uka, duke shtuar se është i gëzuar që, siç tha ai "ma mbërrini ymri edhe këtë". Në sportelin përbri, në radhë priste edhe Hamdi Morina, që siç thotë, mezi pret të shkojë te djali, nusja e nipi në Belgjikë, por është i vetëdijshëm se, së paku edhe për disa muaj, këtë nuk mund ta bëjë. "Dëgjova se është përmendur korriku ose gushti, afati kur do të mund të udhëtojmë pa viza. Meqenëse e llogarita se kam kohë, sot do të aplikoj së pari për leje të njoftimit biometrike, dhe menjëherë pasi ta marrë atë, pas një jave apo 10 dite, do të aplikoj edhe për pasaportë biometrike. Kuptohet se jam shumë i gëzuar që erdhi kjo ditë, por, megjithatë dua të them se, shumë gjatë kanë luajtur me ne. Asnjë herë nuk e kam kuptuar se çka kanë më shumë se ne, serbët, malazezët apo maqedonasit që atyre para nesh iu hoqën vizat? Mirëpo, populli thotë - më mirë vonë se kurrë", shprehet Hamdiu.

(Kosova Sot)