Origjina e pufëve (The Smurfs)

  • 02 November 2017 - 09:20
Origjina e pufëve (The Smurfs)

Pufët vijnë nga mali - dhe nga imagjinata e një vizatuesi belg, me emrin Pejo

Kur ishte 21 vjeç, Pejo e krijoi një strip të quajtur “Johan”, ku flitej rreth një të riu, i cili ishte shërbëtor i një mbreti. Tre vjet më vonë (në vitin 1952), Pejo fillon me shkrimin e më shumë aventurave për Johanin në një strip belg për fëmijë dhe, në vitin 1958, Johan u takua me pufin e parë të tij. Legjenda thotë se Pejo kishte kërkuar nga një vizatues francez që t’ia jepte kripën gjatë ushqimit, por i paaftë që ta gjente fjalën adekuate, ai tha: “Ma jep shtumfin”. Fjala “shtumf” më vonë iu dha banorëve të lumtur të kaltër të malit, të cilët, më pas, kur u përkthyen në anglisht, e morën emrin “Smurf”. Te përkthimi shqip përdoret emri pufët, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Personazhet e kaltra u bënë aq të popullarizuara, sa që Pejo e krijoi një studio vizatimesh, duke ua dhënë të tjerëve gati tërë punën tjetër. Filmi i vizatuar rreth pufëve të vegjël vazhdoi që të sillte para për 18 vjet të tjera. Në vitin 1976, këto personazhe ishin vërejtur nga sipërmarrësi mediatik amerikan Stjuart R. Ros, i cili pa se ky film vizatimor mund të bëhej tepër i popullarizuar, prandaj i bleu të gjitha të drejtat e shfaqjes për Amerikën Veriore. Pufët kukulla, të cilët ai filloi t’i shiste, u treguan shumë të suksesshëm. Rrjeti TV amerikan NBC filloi me shfaqjen e këtij filmi vizatimor në vitin 1981, duke u shfaqur për tetë vjet me radhë. Ky film vizatimor u nominua për shpërblimet “Emmy” dhe fitoi disa shpërblime të tjera. Bile, në vitin 1983, në SHBA u shfaq një film i metrazhit të gjatë, me titull “The Smurfs and the Magic Flute”. Episodet TV më pas u bashkuan në episode më të gjata, siç janë ato me titujt “The Baby Smurf” dhe “Here are the Smurfs”. Shfaqja e këtij filmi të vizatuar u ndërpre në vitin 1989 - gati tridhjetë vjet pas paraqitjes së parë të pufëve.

Pejo vdiq në vitin 1992, por popullariteti i pufëve vazhdoi, duke u paraqitur në parqe të ndryshme, në video-lojëra dhe si kukulla.

(Kosova Sot)