A notojnë vezët?

  • 08 November 2017 - 10:21
A notojnë vezët?

Në ujë një vezë a është më shumë si një anije apo si një gur? Përgjigjja varet nga ajo që ndodhet në ujë. Provoni këto tri eksperimente për ta parë edhe vetë. Bëni ato në afërsi të lavamanit të kuzhinës sepse mund të derdhni ujë, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Çka ju duhet?

-Një monedhë

-Një vezë e papjekur (gjithmonë pastroni duart para dhe pasi që ta prekni një vezë të papjekur)

-Një copë të tapës ose një pjesë të një materiali të lehtë mbështjellës të plastikës

-Një lugë (pastrojeni dhe thajeni lugën mes këtyre tri eksperimenteve)

-Dy gota me ujë

-Kripë

-Një faculetë letre

Çka të bëni?

Përdorni një lugë për ta vendosur monedhën, një vezë të papjekur dhe një tapë të shisheve në një gotë ujë. (Nëse nuk keni tapë, përdorni një kapak plastike). Do të shihni që veza dhe monedha do të zhyten ndërsa tapa do të lundrojë. Tani largoni objektet dhe shtoni dy lugë të mëdha me kripë në ujë. Përziejeni derisa të tretet kripa. Tani vendosni objektet në ujin me kripë. Monedha përsëri do të zhytet. Tapa përsëri noton. Por veza nuk zhytet. Ajo lundron në afërsi të pjesës së sipërme të sipërfaqes së ujit. (Nëse nuk e bën këtë shtoni më shumë kripë në ujë.) Largoni objektet përsëri. Përdorni një gotë të madhe e të lartë të ujit dhe mbusheni deri në gjysmë me ujë të kripur. Tani shtoni pak ujë të thjeshtë mbi ujin me kripë pa i përzier mes vete. Ja si mund ta bëni këtë:

Merreni një faculetë të letrës dhe vendoseni njërin kënd të saj në gotën e lartë ashtu që faculeta ta mbulojë sipërfaqen e ujit me kripë. Mbajeni faculetën në vend. Ngadalë shtoni ujë të thjeshtë derisa gota të jetë thuajse plot. Me kujdes tërhiqeni faculetën e letrës. Tani përdoreni letrën për të vendosur objektet në ujë përsëri. Tani, monedha zhytet dhe tapa lundron. Por, tani veza zhytet deri në mes të gotës. Ajo shkon në fund të ujit të thjeshtë, por lundron në krye të ujit me kripë. Shtyjeni vezën poshtë ngadalë me lugë për ta parë se si kthehet në nivelin e njëjtë.

Si funksionon?

Vezët janë më të dendura se uji i thjeshtë. Kjo do të thotë që një vezë peshon më shumë se një sasi e ujit të thjeshtë me të njëjtin vëllim. Në të njëjtën mënyrë një gozhdë është më e rëndë se një shkop i drurit i të njëjtës madhësi, pasi që çeliku është më i dendur dhe ka më shumë peshë në të njëjtën hapësirë, se druri. Në eksperimentin e parë, veza zhytet në ujin e thjeshtë si një balonë e mbushur me ajër që bie poshtë. Por në eksperimentin e dytë, kripa e tretur në ujë e bënë atë më të dendur se vezën. Këtu veza ngritet si një balonë e mbushur me helium, në ajrin e rëndë (uji me kripë). Sigurisht, ju nuk mund ta bëni ujin aq të lehtë sa ta bëni tapën të zhytet ose të aq të dendur sa për të lundruar monedha. Por nëse dëshironi, ju mund t’i provoni të njëjtat eksperimente me një vezë të zier në vend të asaj të pazier. A vëreni dallime?

(Kosova Sot)