< Lepuri arktik - OK KIDS - Kosova Sot
Lepuri arktik

Lepuri arktik

Emri: Lepuri arktik

Emri shkencor: Lepus arcticus

Pesha mesatare: 3 deri 7 kg

Gjatësia mesatare: 50 deri 70 cm

Jetëgjatësia mesatare: 4-5 vjet

A e dini? Lepujt arktik kanë qerpikë të zinj, të cilët i mbrojnë sytë e tyre nga drita e fortë e diellit, sikur edhe syzat e diellit.

Të dhëna të përgjithshme

Lëkura e lepurit arktik ndryshon ngjyrën lehtësisht nga stina në stinë. Gjatë dimrit, gëzofi i tij ka ngjyrë të bardhë të shkëlqyeshme, kurse gjatë verës ajo merr një ngjyrë të hirtë. Përkundër ndryshimeve stinore, bishti i lepurit arktik mbetet gjithmonë i bardhë, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Sytë e tyre gjenden në të dyja anët e kokës, gjë që këtyre lepujve u jep një pamje prej 360 shkallësh, pa e kthyer kokën fare.

Zakonisht këta lepuj lëvizin së pari me këmbët e përparme, e më pas edhe me ato të pasme, pra kërcejnë. Kur ndjejnë ndonjë rrezik, këta lepuj në fillim ngrihen në këmbët e pasme, për ta analizuar terrenin, e më pas ikin si vetëtima. Lepuri arktik mund të kërcejë deri në 2,1 metra përnjëherë dhe mund të vrapojë rreth 60 kilometra në orë.

Këmbët masive të pasme të lepurit arktik e luajnë rolin e këpucëve të borës, duke u ndihmuar atyre që të mos fundosen në borë.

Këmbët e përparme të këtij lepuri janë të pajisura me kthetra të fuqishme, të cilat i mundësojnë atij që të gërmojë nën borë, për të gjetur ushqim.

Ambienti jetësor/sjellja

Sikur që mund të kuptohet nga emri i tyre, lepujt arktikë jetojnë në zona të ftohta. Ata i preferojnë zonat e thata në tundra dhe i evitojnë kënetat.

Këta lepuj janë në gjendje që t’u përballojnë dimrave tepër të ftohtë. Gjatë dimrit ka pak dritë dielli dhe temperaturat mund të bien deri në -40°C. Falë gëzofit të tyre të bardhë, këta lepuj mund t’u përballojnë këtyre temperaturave të ulëta, si dhe mund të mos vërehen nga kafshët grabitqare, për shkak se ngjyra e tyre përshtatet me ngjyrën e borës.

Për dallim nga gjitarët e tjerë, lepujt nuk bëjnë gjumë dimëror. Falë shqisës së tyre mjaft të zhvilluar të nuhatjes, lepujt arktikë janë në gjendje t’i nuhatin ushqimet thellë nën borë dhe akull. Ata ushqehen me gjethe të ndryshme, me rrënjë dhe me shelg.

Ata jetojnë në grupe, por megjithatë e ruajnë hapësirën e tyre individuale. Lepujt shpërndahen me qëllim që të shumohen, ku çdo çift e preferon vendin e tij të veçantë. Të vegjlit e lepujve lindin në pranverë dhe e arrijnë madhësinë përfundimtare për gjashtë muaj. Pasi ta kenë mbushur një vit, ata janë në gjendje që të shumohen.

Ku jetojnë lepujt arktikë

Lepujt arktikë jetojnë në Njufaundlend dhe Labrador, pastaj në ishujt Ellesmere dhe në territoret veriperëndimore, ku të gjitha këto vende janë tundra. 

(Kosova Sot)

8 orë e 24 minuta më parë