Fitimtar i “Demokracisë” në Shqipëri dhe në Kosovë është korrupsioni

Fitimtar i “Demokracisë” në Shqipëri dhe në Kosovë është korrupsioni
  • 01 June 2016 - 08:15

Shkruan: Skënder S.Kapiti

Korrupsioni në Shqipëri dhe në Kosovë e ka degraduar dhe e ka diskredituar demokracinë, pasi mosrealizimi i demokracisë dhe moskonsolidimi i saj dhe i shtetit ligjor akoma në dy shtetet shqiptare e ka bërë kështu demokracinë si diçka të pamundur dhe si një utopi demokratike, si një demokraci të zhveshur nga demokraciteti, nga patriotizmi dhe interesi kombëtar, si një demokraci jolirie dhe të jomirëqenies shoqërore, si një demokraci praktike e një sistemi politik të korrupsionit, tradhtisë, krimit dhe të mashtrimit e të hipokrizisë. Dhe nëse demokracia po qe se është praktikisht e tillë, ajo nuk ekziston përveçse si pretendim i asaj se çfarë duhet të ishte. Nëse demokracia mposhtet dhe sundohet nga korrupsioni, kështu realisht si në Shqipëri dhe në Kosovë, atëherë demokracia shërben dhe përdoret nga politika si dogmë mashtrimi, ashtu si ishte një dogmë edhe komunizmi, si e pavërteta më e madhe që i bëri hatanë dhe katastrofën gjysmës së njerëzimit. Korrupsioni është armiku më i madh i shoqërisë, sidomos kur shoqëria vuan edhe nga egoizmi negativ dhe qorrollepsja politike.

Lubrifikanti që e lëviz mbrapsht shtetin

Këtu nuk dua të ndalem të them se çfarë është apo nuk është demokracia, se e kanë thënë e stërthënë shumë të tjerë studiues, filozofë, politologë e politikanë të shquar, por me një frazë të shkurtër po e përmend demokracinë si një koncept shumë të madh dhe autoritativ dhe të respektuar, që thotë e që pretendon se përfshin e realizon shumëgjë të mirë e të vyer për popullin, për interesin dhe të mirën e tij deri duke pretenduar se popullit i takon edhe qeverisja, edhe pushteti, dhe se populli duhet të jetë autoriteti e pushteti i pasfidueshëm. Një ditë takova në Gjykatë një person, pasi pothuaj shumicën e shqiptarëve mund t’i gjesh nëpër dyert e gjykatave që japin padrejtësinë, dhe ai më tha: “Çfarë është demokracia nuk e di, por një gjë të sigurt e di, që kjo demokracia në Shqipëri vetëm demokraci nuk është”. Dhe, me të vërtetë mënyra se si është aplikuar dhe se si funksionon demokracia në Shqipëri dhe në Kosovë tregon se vetëm demokraci nuk është, pasi atë e administron dhe e sundon korrupsioni, dhe krimi e tradhtia, që edhe këto janë pjella të korrupsionit. Pra, fitimtari i demokracisë nuk është populli por ryshfeti dhe korrupsioni, hajnia dhe krimi i politikës prej 25 vitesh në Shqipëri dhe prej 17 vitesh në Kosovë.

Fitorja e demokracisë popullore paska qenë mashtrim i madh, pasi demokracia nuk është në popull, sepse demokracinë e sundon korrupsioni, krimi dhe hajnia. Korrupsioni e ka kapur edhe shoqërinë edhe shtetin si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë; korrupsioni shpërndan (merr, grabit e vjedh ) të mira, prona, punë, shërbimet, detyrat, postet, privilegjet, autoritetin dhe pushtetin, korrupsioni fiton tenderat dhe ankandet; korrupsioni fiton mbi ligjin, blen të drejtën, votën dhe pushtetin, korrupsioni qeveris shtetin, shoqërinë, pushtetin, doganat, tatimet etj. Korrupsioni ka uzurpuar dhe e ka prangosur sovranitetin e shtetit dhe të shoqërisë, i ka paralizuar ato, si dhe ka përvetësuar edhe prerogativat e moralit e të patriotizmit. Korrupsioni është motori dhe lubrifikanti që e lëviz mbrapsht shtetin, që e prish drejtësinë, shoqërinë, që ka montuar krimin në politikë, ekonomi dhe në biznese e kudo duke e falimentuar shtetin.

Korrupsioni ka bllokuar zhvillimin, progresin dhe integrimin e shoqërisë dhe të shtetit. Korrupsioni e ka dëbuar popullin nga demokracia dhe demokracia është shumë, shumë larg dhe e paarritshme nga populli. Demokracinë, lirinë dhe drejtësinë i ka fituar korrupsioni dhe korrupsioni i sundon, i qeveris dhe manipulon e spekulon me to, por edhe me vetë veten, me gjoja luftën kundër korrupsionit. Korrupsioni e ka paralizuar demokracinë dhe shtetin, dhe paralizimi e mosfunksionimi i shtetit dhe i demokracisë e ka perfeksionuar dhe fuqizuar politikisht, materialisht dhe financiarisht korrupsionin dhe e ka bërë të pandëshkueshëm e të pasfidueshëm atë. Pra, fitorja e demokracisë në Shqipëri dhe në Kosovë është vetëm një mashtrim i madh.

Paqëndrueshmëria politike

Kur korrupsioni mbërthen dhe e mposht demokracinë siç e ka bërë në dy shtetet shqiptare, atëherë demokracia dështon dhe nga dështimi i demokracisë vijnë pasoja shumë të rënda, probleme, konflikte, trauma dhe fatkeqësi, paqëndrueshmëri politike , varfëri, papunësi dhe mosintegrimi i shoqërisë dhe i shtetit. Dhe  nuk janë këto fenomenet më të zakonshme të realitetit në Shqipëri që kanë si shkaktarë dhe autorë: politikën, politikanët, pushtetarët e shtetarët që e kanë instaluar në sistem korrupsionin, antiligjin dhe antishtetin? Po kjo gjendje e rëndë edhe në Kosovë. Dhe, është fatkeqësi dhe shumë shqetësues fakti se në Kosovë sipas Raportit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, 78% e popullsisë shprehen se janë problem i madh kushtet socio-ekonomike, shkaktare të së cilave janë korrupsioni, papunësia dhe varfëria.

Dhe, po kaq traumatik dhe i rëndë është dhe fakti tjetër ai i cili u publikua nga UNDP (United Nations Development Programme) në Prishtinë më 30 maj 2016 se vetëm 7% e kosovarëve janë të kënaqur nga orientimi i sotëm politik. Dhe, pra, kjo do të thotë se të kënaqur me politikën si në Shqipëri dhe në Kosovë janë një kastë, klikë, apo më saktë një grup i ngushtë dhe i vogël interesi që i kanë kapur dhe i sundojnë politikën, biznesin, ligjin, shtetin, shoqërinë dhe demokracinë. Dhe, pra a mund të pretendohet se kemi sistem demokratik të vërtetë në dy shtetet tona përderisa është montuar realisht ky sistem politiko-korruptiv i pakëndshëm për pjesën më të madhe të popullsisë, si në Shqipëri dhe në Kosovë?

(Kosova Sot)