Anne Frank sot është siriane

Anne Frank sot është siriane
  • 27 August 2016 - 07:51

Shkruan: Nicholas Kristof

Frika e pashpirt nga refugjatët

Frika nga terrorizmi ka bërë që refugjatët myslimanë të mos jenë të dëshiruar në Perëndim

"Askush nuk e merr familjen e vet duke e fshehur në qendër të një qyteti të okupuar, përpos nëse nuk ka zgjidhje të tjera”, thotë Mattie J. Bekink, këshilltar i Shtëpisë Anne Frank në Amsterdam. “Askush nuk e vendos fëmijën e vet në një barkë që luhatet, për ta kaluar Mesdheun, përpos nëse nuk janë të dëshpëruar”

Më 30 prill të vitit 1941, një çifut këtu në Amsterdam ia shkroi një letër dëshpëruese një miku amerikan, duke e lutur që t’i ndihmonte të emigronte në SHBA.

“SHBA-ja është vendi i vetëm ku do të mund të shkonim, kryesisht për hatër të fëmijëve”, shkruante ai.

Këtë lutje për ndihmë e gjeti një vullnetare në vitin 2005, derisa rendiste dosjet e vjetra të refugjatëve të Luftës II Botërore në Nju- Jork. Ajo dukej vetëm edhe një dosje, si dosjet e tjera, derisa nuk i pa emrat e fëmijëve.

“Oh, Zoti im”, tha ajo. “Kjo qenka dosja e Anne Frankut”. Aty kishte edhe letra të tjera, të shkruara nga Otto Frank, i cili me ngulm kërkonte ndihmë për të ikur nga persekutimi nazist, dhe për ta marrë një vizë për Amerikë, Britani, apo Kanada, por që nuk kishte marrë asnjë ndihmë, për shkak të indiferencës globale ndaj refugjatëve çifutë.

Të gjithë ne e dimë se fëmijët e familjes Frank u vranë nga nazistët, por ajo që dihet më pak, është sesi u vulos fati i Anne-s për shkak të një frike të pashpirt nga refugjatët, që janë njerëzit më të dëshpëruar në botë.

Ju duket e ngjashme kjo situatë?

Presidenti Obama u përbetua se do t’i pranonte 10,000 refugjatë sirianë, gjë që është një shifër e vogël, vetëm një e pesta e 1% të numrit të përgjithshëm të refugjatëve dhe Hillary Clinton sugjeroi që të merreshin më shumë. Donald Trump vazhdimisht i ka kritikuar ata për gatishmërinë që të pranojnë refugjatë sirianë, dhe ka apeluar për ndalimin e hyrjes së myslimanëve në SHBA. Frika nga terrorizmi ka bërë që refugjatët myslimanë të mos jenë të dëshiruar në Perëndim dhe askush nuk i do ata, sikur që nuk e donin as edhe një adoleshente gjermane-holandeze, me emrin Anne.

Paralelet mes çifutëve dhe sirianëve

“Askush nuk e merr familjen e vet duke e fshehur në qendër të një qyteti të okupuar, përpos nëse nuk ka zgjidhje tjera”, thotë Mattie J. Bekink, këshilltar i Shtëpisë Anne Frank në Amsterdam. “Askush nuk e vendos fëmijën e vet në një barkë që luhatet, për ta kaluar Mesdheun, përpos nëse nuk janë të dëshpëruar”.

Duke qenë edhe vet bir i refugjatëve të Luftës II Botërore, kam studiuar histerinë anti-refugjate të viteve 1930 dhe ’40. Sikur që thotë Bekink, paralelet me gjendjen e tashme janë tronditëse.

Për familjen Frank, një jetë e re në Amerikë dukej e mundshme. Anne kishte studiuar anglishten, derisa i ati i saj po ashtu e fliste këtë gjuhë, meqë kishte jetuar dikur në Menhetën dhe ishte mik i ngushtë me Nathan Straus Jr., një zyrtar në administratën e presidentit Franklin Roosevelt.

Pengesë në këtë drejtim ishte kujdesi i tepruar amerikan ndaj refugjatëve që ishte më i madh sesa simpatia. Pas pogromit të Natës së Kristaltë të vitit 1938 kundër çifutëve, një anketë tregoi se 94% e amerikanëve ishin kundër trajtimit nazist të çifutëve, por 72% megjithatë kishin vërejtje ndaj pranimit të një numri të madh të çifutëve.

Arsyet e refuzimit të tyre ishin të njëjta me ato të tashmet, për refuzimin e sirianëve, apo banorëve të Hondurasit: ne nuk mund ta paguajmë këtë, duhet që së pari të kujdesemi për amerikanët, nuk mund ta pranojmë gjithkënd, ata do të na i marrin vendet e punës, ata janë të rrezikshëm dhe ndryshe nga ne.

“Nëse vazhdon që të jetë shtëpi e azilantëve dhe të të varfërve të botës, SHBA-ja shumë shpejt do ta shkatërrojë ekonominë e vet”, tërhiqte vërejtjen Oda njujorkeze e tregtisë në vitin 1934.

Disa lexues mund të thonë se çifutët nuk ishin sikur që janë refugjatët sirianë tani. Gjatë viteve 1930 dhe 40, bota ishte në kaos dhe çifutët gjerësisht konsideroheshin komunistë, apo bile edhe nazistë. Ekzistonte frika që Gjermania do ta infiltronte SHBA-në me spiunë dhe me sabotues, nën mbulesën se ata ishin refugjatë çifutë.

As mediet nuk bënë mjaft për humanizmin e refugjatëve

“Kur të rrezikohet siguria e vendit, është krejtësisht e justifikueshme që të largohet çdo faktor i dyshimtë, në të mirën e vendit, sesa në të mirën e të huajve”, udhëzonte Departamenti i shtetit në vitin 1941. “New York Times” citonte në vitin 1938 mbesën e presidentit Ulysses S. Grant, derisa tërhiqte vërejtjen nga “të ashtuquajturit refugjatë çifutë”, duke bërë me dije se ata ishin komunistë, “që vijnë në vendin tonë për t’iu bashkuar radhëve të atyre që urrejnë institucionet tona dhe që duan t’i shkatërrojnë ato”.

As mediet nuk bënë mjaft për humanizmin e refugjatëve, por për fat të keq, ndihmuan në përhapjen e ksenofobisë. “Times” botonte një artikull në faqen e parë rreth rrezikut që çifutët të bëheshin spiunë të nazistëve, derisa “Washington Post” publikonte një editorial ku falënderohej Departamenti i Shtetit që kishte penguar ardhjen e nazistëve, të maskuar si refugjatë.

Në një ambient të tillë politik, zyrtarët dhe politikanët humbën tërë njerëzinë e tyre.

“Le të përkujdeset Evropa vet për evropianët”, thoshte senatori Robert Reynolds, një demokrat nga Karolina veriore, i cili po ashtu i denonconte çifutët. Përfaqësuesi Stephen Pace, demokrat nga Gjeorgjia, kishte shkuar një hap më tej, duke paraqitur legjislacionin që thërriste për deportimin e “çdo të huaji në SHBA”.

Një zyrtar i Departamentit të Shtetit, Breckinridge Long, vazhdimisht ashpërsonte kushtet për refugjatët çifutë. Në këtë klimë, Otto Frank nuk arriti që të merrte vizat për anëtarët e tij të familjes, të cilët pjesërisht ishin viktimë të paranojës amerikane, demagogjisë dhe indiferencës.

Historia përsëritet. Sikur që kam thënë disa herë, hezitimi i presidentit Obama që të bëjë më shumë, për t’i dhënë fund kasaphanës në Siri, vë një hije të zezë mbi trashëgiminë e tij dhe thjesht, nuk ekziston asnjë arsyetim për dështimin global të botës për t’u siguruar që fëmijët e refugjatëve sirianë në vendet fqinje, të paktën të shkollohen.

Sot, për marren tonë të përgjithshme, Anne Frank është vajzë siriane.