Përgjigjja më e mirë ndaj agresionit rus është kontrolli

Përgjigjja më e mirë ndaj agresionit rus është kontrolli
  • 18 October 2016 - 07:52

Shkruan:Ivo Daalder

RUSIA SOT ËSHTË SHUMË MË E DOBËT SESA BASHKIMI SOVJETIK

Marrëdhëniet në mes të SHBA-së dhe Rusisë kanë mbërritur në pikën më të ultë në 30 vjetët e fundit
Derisa përpjekjet për ta integruar Rusinë në sistemin perëndimor kanë qenë një eksperiment që ia ka vlejtur, ai ka dështuar. Integrimi është frika më e madhe e zotëri Putin-it, pasi do ta rrezikonte kontrollin e tij mbi sistemin rus. Sikur pararendësit e tij sovjetikë, ai ka nevojë për antagonizmin perëndimor për të qenë i mbrojtur në shtëpi.

Marrëdhëniet në mes të SHBA-së dhe Rusisë kanë mbërritur në pikën më të ultë në 30 vjetët e fundit. Asnjëherë që prej kur Ronald Reagan dhe Mikhail Gorbachev i kishin filluar përpjekjet për t'i dhënë fund luftës së ftohtë, marrëdhëniet mes këtyre dy vendeve nuk kanë qenë më të këqija. Më 7 tetor, shefi i shërbimit inteligjent të Shteteve të Bashkuara, James Clapper, ka bërë të ditur që "zyrtarë të lartë" të Kremlinit kanë autorizuar hakimet në emailet e individëve dhe institucioneve amerikane, për të ndërhyrë në procesin e zgjedhjeve. Këto deklarata të tij kanë ardhur pas vendimit të sekretarit të shtetit, John Kerry, që t'i jep fund përpjekjeve bilaterale për të negociuar fundin e luftimeve brutale në Siri dhe akuzimet e tij që veprimet ushtarake të Rusisë në Alepo kanë çuar në krime të luftës. Si reagim, presidenti rus Vladimir Putin, i ka dhënë fund pjesëmarrjes së tij në marrëveshjen me SHBA-në për rregullimin e plutoniumit të shkallës së armëve. Pastaj Moska ka dërguar sisteme me kapacitete nukleare në Kaliningrad, që gjendet në mes të Polonisë dhe shteteve baltike, duke paraqitur kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj aleatëve më të ekspozuar të NATO-s.

Reagimet e dobëta të Perëndimit 

Kjo gjë tregon sa shumë janë përkeqësuar marrëdhëniet që prej aneksimit ilegal të Krimesë dhe pushtimit të Ukrainës në fillim të vitit 2014. Deri më tani, as Uashingtoni e as aleatët evropianë nuk kanë prodhuar reagim koherent ndaj sjelljeve të rrezikshme të Rusisë. NATO ka ndërmarrë disa hapa për ta fuqizuar mbrojtjen e elatëve të vet në lindje dhe anëtarët evropianë kanë filluar t'i ndryshojnë kahun rrëshqitjes disadekadëshe në shpenzimet në fushën e mbrojtjes. SHBA-ja dhe Kanadaja i janë bashkuar BE-së në vënien e sanksioneve ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës dhe rrëzimit të aeroplanit të Malajzisë në korrik të vitit 2014. Mirëpo, asnjëra prej këtyre nuk përbën ndonjë strategji koherente. Shumë prej tyre, veçanërisht në Evropë, besojnë që angazhimi politik dhe ekonomik, me gjasë do ta sjellë Moskën drejt një qëndrimi konstruktiv. Derisa përpjekjet për ta integruar Rusinë në sistemin perëndimor kanë qenë një eksperiment që ia ka vlejtur, ai ka dështuar. Integrimi është frika më e madhe e zotëri Putin-it, pasi që do ta rrezikonte kontrollin e tij mbi sistemin rus. Sikur pararendësit e tij sovjetikë, ai ka nevojë për antagonizmin perëndimor për të qenë i mbrojtur në shtëpi. Atëherë, cili do të ishte reagimi ndaj sjelljeve të Rusisë? Përgjigjja është strategjia e kontrollit. 

Qendra e fuqisë sonë është uniteti perëndimor

Në vitin 1946, diplomati amerikan George Kennan kishte argumentuar që kontrolli ka qenë i nevojshëm në reagimin ndaj sistemit sovjetik që ka qenë duke çuar në drejtim të zgjerimit të jashtëm për shkak të dobësisë së brendshme. Sjellja e Moskës në familjen e kombeve, siç ka provuar Franklin Roosevelt, ka qenë e destinuar për të dështuar. Presioni i jashtëm do të çonte në ndryshimet e brendshme, që ishin të nevojshme për t'i ndryshuar sjelljet e jashtme të sovjetikëve. Gjatë luftës së ftohtë, dilema më e madhe për SHBA-në dhe aleatët e saj ka qenë nëse do të duhej të kundërshtohej zgjerimi kurdo dhe kudo që ndodhte, apo të izolohej Moska në aspektin diplomatik dhe ekonomik, duke fuqizuar interesat amerikane në Evropë dhe Azi. Edhe sot, debati është deri diku i njëjtë. Disa pretendojnë që duhet ta kundërshtojmë Rusinë kudo që e manifeston fuqinë e vet - në Ukrainë, Siri dhe hapësirën kibernetike. Të tjerët mendojnë që duhet ta fuqizojmë NATO-n dhe ta shfrytë- zojmë ekonominë në rënie të Rusisë dhe mungesën e joshjes ideologjike, që është përhapur gjithandej. 

Pika më e dobët e Rusisë është ekonomia

Tani, sikur atëherë, kontrolli duhet të jetë një strategji afatgjate, që mbahet më së miri duke theksuar fuqitë perëndimore dhe dobësitë e Rusisë. Qendra e fuqisë sonë është uniteti perëndimor. Për këtë arsye presidenti amerikan Barack Obama dhe liderët tjerë të NATO-s kanë pasur të drejtë kur pushtimi të Ukrainës i janë përgjigjur me rritje të mbrojtjes së aleancës. Pika më e dobët e Rusisë është ekonomia, që është e varur në nxjerrjen e resurseve; një regjim i fuqishëm i sanksioneve do ta dëmtojë Moskën. Ne duhet ta kuptojmë që Rusia është një fuqi e pasigurt, e nxitur nga dobësitë e brendshme. Kontrollit i janë nevojitur 40 vjet për ta sjellë ndryshimin në sjelljet e sovjetikëve dhe si rrjedhojë edhe rënien e Bashkimit Sovjetik. Rusia sot është shumë më e dobët sesa Bashkimi Sovjetik atëherë, mirëpo do të nevojiten vite deri sa ajo t'i ndryshojë sjelljet. Sikur atëherë, kontrolli kërkon durim dhe qëndrueshmëri për të pasur sukses. (Ivo Daalder është president i Këshillit të Çikagos për çështje globale dhe ish-përfaqësues i përhershëm i SHBA-së në NATO) 

(Kosova Sot)