Votuesit në Shqipëri dhe në Kosovë nuk i gëlltisin më pehlivanllëqet e politikanëve të tyre

Votuesit në Shqipëri dhe në Kosovë nuk i gëlltisin më pehlivanllëqet e politikanëve të tyre
  • 25 October 2016 - 07:58

SHKRUAN: SKËNDER S.KAPITI

Politika është mashtrim pasi ajo gjithmonë ka vetëm një qëllim: për të marrë dhe rrëmbyer pushtetin apo pjesë të tij. Ky është synimi i përjetshëm i politikës, pushteti dhe vetëm ai. Dhe për këto arsye politikanët, sidomos në demokraci duke përjashtuar dhunën, ata përdorin edhe të gjitha amoralitetet e tjera si mashtrimet, gënjeshtrat, korrupsionin , financimet e paligjshme, blerjen e votës , spekulojnë me ligjin , me patriotizmin etj. Sidomos të gjitha këto duke përfshirë edhe presionin dhe dhunën janë përdorur në Shqipëri. Këto mashtrime dhe pehlivanllëqe tashmë dihen. Por sot do të trajtoj ca dredhi e mashtrime të tjera që e karakterizojnë politikën dhe politikanët tanë të Shqipërisë dhe të Kosovës, si të veçantat dhe ato të përbashkëtat që ato kanë; pikërisht atë të spekulimit me patriotizmin dhe me imazhin e kombëtarit si dhe me imazhin që i krijojnë mediatikisht vetes, atë të "imazhit " të patriotit, atë "aktorit" e "faktorit" të rëndësishëm dhe të respektit dhe të përkrahjes që mundohen të fitojnë nga ndërkombë- tarët në përpjekje për të bindur dhe mashtruar me to opinionin dhe votuesit e tyre për të qëndruar apo për të fituar pushtetin, por që tashmë u është grisur maska e mashtrimeve dhe pehlivanllëqeve të tyre.

Politika vlerësohet me rezultate konkrete dhe jo me fasada patriotizmi

Tashmë i ka dalë boja dhe është konsumuar edhe alternativa e politikanëve të Kosovës të cilët mendojnë se fitojnë pikë politike duke marrë tituj e dekorata nderi nga Presidenti i Shqipërisë dhe nga Bashkitë në Shqipëri vetëm për faktin e të qenurit politikan apo pushtetar në Kosovë; edhe duke menduar dhe vetë- mashtruar se duke u paraqitur dhe u vetëreklamuar nëpër ekranet e mediave në Kosovë dhe sidomos në Shqipëri sikur e duan Shqipërinë dhe Bashkimin Kombëtar me qëllim që të fitojnë adhurues, mbështetës dhe vota të votuesve në Kosovë , vetëm e vetëm sa për të përfituar për veten e tyre politikisht si dhe autoritet e pushtet në Kosovë, gjë e cila përbën manipulim dhe spekulim me patriotizmin. Shumë politikanë nga Kosova vijnë në Shqipëri për ta promovuar veten nëpër mediat në Shqipëri por sidomos duke marrë dekorata e tituj nderi dhe me to për t'u ekspozuar prej tyre në opinionin shqiptar të Kosovës si persona që respektohen në Shqipëri pasi mendojnë se kështu edhe mund të ndikojnë te votuesi i Kosovës , te populli i Kosovës duke shfrytëzuar kështu faktin e vërtetë: atë të respektit, dashurisë së jashtëzakonshme dhe të adhurimit që shqiptarët e Kosovës kanë për shtetin amë, Shqipërinë. Mirëpo kjo sjellje e politikanëve të Kosovës nuk shitet më në tregun politik, pasi tashmë prej 17 vitesh Kosova ka Shtetin e vet dhe se politika vlerësohet me rezultate konkrete dhe jo me fasada patriotizmi më. Po ashtu edhe i ka dalë boja dhe është konsumuar tashmë dhe alternativa e politikanëve nga Shqipëria të cilët duan të përfitojnë dhe të krijojnë imazhin e ndikimit, të dëgjimit dhe të respektit gjithëkombë- tar si dhe sidomos për të mashtruar opinionin politik dhe diplomatik ndërkombëtar duke shfrytëzuar dhe manipuluar me "paternalizmin", influencën dhe të ndikimit që me demek ata kanë edhe te shqiptarët e Kosovës e të Maqedonisë me qëllim për të fituar besimin nga ndërkombë- tarët si individë, autor dhe faktor të rëndësishëm stabiliteti ne rajon me qëllim vetëm sa për të marrë prej tyre mbështetje politike, dhe vetëm e vetëm për interesin e ngushtë personal politik dhe për pushtet në Shqipëri.

BE-së më së shumti i intereson stabiliteti se sa demokracia e mirëqenia në Shqipëri e në Kosovë

 Ata përdorin retorikë patriotike dhe nacionaliste për të joshur populizmin dhe admirimin e shqiptarëve të Kosovës, por që te ndërkombëtarët e përdorin dhe e shesin këtë për tu dukur: se ja sa të rëndësishëm jemi ne dhe se sa shumë influencë kemi ne për të sunduar dhe për të ndikuar te shqiptarët edhe te ata jashtë Shqipërisë, në Kosovë dhe në Maqedoni për stabilitetin e rajonit të Ballkanit. Pra, edhe politikanët në Shqipëri manipulojnë me nacionalizmin e shqiptarëve të Kosovës vetëm për të fituar pikë dhe mbështetje politike ndërkombëtare. Kështu ka vepruar gjithnjë politika e Tiranës. Pra politikanët e Shqipërisë nga votuesi shqiptar i Shqipërisë nuk performohen për faktin se ata gëzojnë dhe nëse kanë apo nuk kanë respekt në Kosovë, dekorohet apo jo atje. Politikanët në Shqipëri e dinë se nuk ndikon shumë fakti nëse respektohen apo nuk respektohen ata shumë nga Kosova, pasi publiku dhe votuesi shqiptar në Shqipëri nuk e ka atë ndjesi vëllazërore dhe shpirtërore, respekti dhe admirimi për Kosovën siç e kanë shqiptarët e Kosovës për Shqipërinë Amë. Por politikanët e Shqipërisë respektohen nga shqiptarët e Kosovës për faktin se ata adhurojnë shtetin Amë,Shqipërinë. Politikanët e Shqipërisë gjithnjë e kanë përdorur këtë fakt për t'i treguar Politikës perëndimore se ja sa të rëndësishëm jemi ne edhe në hapësirën etnike ballkanike gjithëshqiptar dhe se sa ndikim kemi ne atje për tu dukur dhe ekspozuar te ata si faktor ndikimi te të gjithë shqiptarët për stabilitetin në Ballkan. Këtë ata mundohen ta shfrytëzojnë vetëm për përfitime politike personale, që edhe në qoftë se ata dështojnë në politikë dhe sidomos në qeverisjen e Shtetit shqiptar të Shqipërisë: ata qëllimin e kanë që të mbështeten, të marrin apo të ruajnë pushtetin në Shqipëri për "faktin" se janë faktor stabiliteti në rajon. Dhe kjo edhe përkrahet nga politika e BE-së pasi asaj më së shumti i intereson stabiliteti se sa demokracia e mirëqenia në Shqipëri, Kosovë ashtu si dhe në shtetet e tjera jashtë BE-së. Ndërsa të dy palët e politikës si ata të Shqipërisë dhe ata të Kosovës kanë të përbashkët servilizmin ndaj politikës perëndimore deri në bindje dhe në nënshtrim, edhe duke shpërdoruar interesat kombëtare madje, vetëm e vetëm që të rrinë në pushtet, duke shpenzuar e shpërdoruar edhe paranë publike për lobingje për veten e tyre dhe për pushtetin e tyre nëpër media të ndryshme, në takime bilaterale e multilaterale politike edhe të parëndësishme dhe të rangjeve të ulëta; nëpër ekspozita fotografike, biznesi dhe në të tjera aktivitete të rëndomta të pajustifikuara për postet dhe detyrat politike e shtetërore që ata mbajnë. Të gjitha këto i bëjnë për t'i krijuar vetes imazhin si personalitete të rëndësishme VIP dhe për të fituar pushtetin qoftë edhe duke vjedhur edhe votat dhe duke manipuluar me rezultatin e tyre, pasi mendojnë se justifikohen para ndërkombëtarëve të cilët si prioritet dhe parësore për ta është ruajtja dhe mbajtja e stabilitetit politik në vendet e prapambetura demokratikisht dhe pa standarde moderne ligjore dhe demokratike siç janë Shqipëria dhe Kosova. Si Shqipëria dhe Kosova janë kampionë Evrope në varfëri, papunësi, korrupsion, moszbatim të ligjit, mosfunksionim të shtetit ligjor dhe të atij demokratik, në mosintegrimin në BE dhe në largimin e qytetarëve të tyre drejt Evropës duke kërkuar azil politik dhe ekonomik atje akoma edhe sot, pasi politikanët shqiptarë dhe shteti akoma nuk ua kanë mundësuar jetën dhe liritë e të drejtat socio-ekonomike dhe juridike në vendet e tyre.

(Kosova Sot)