Albin Kurti e Shpend Ahmeti, bashkëpunëtorë me të dyshuarin serb për krime lufte

Albin Kurti e Shpend Ahmeti, bashkëpunëtorë me të dyshuarin serb për krime lufte
  • 18 September 2017 - 08:06

SHKRUAN: RESHAT SAHITAJ

Albin Kurti dhe Shpend Ahmeti janë të vetmit personalitete të cilët u ngritën në majat e larta të jetës politike shqiptare, me një shpejtësi marramendëse, pa e pasur opinioni ynë as dyshimin më të vogël se pas tyre qëndronte propaganda e Shërbimit serb. Pas lirimit nga burgu, Albin Kurtin populli e priti si shpëtimtarin e Kosovës, edhe pse Kosova ishte çliruar, sepse populli i respekton dhe i nderon atdhetarët e devotshëm, pavarësisht se askujt prej nesh nuk i shkonte ndërmend se po e adhuronim një patriot të fabrikuar, po e prisnim një individ pa ndjenja dhe emocione, një njeri që ishte shndërruar në robot, ku tanimë askush, as shokët më të afërm, nuk i bënin përshtypje, madje as Adem Demaçi, të cilin e manipuloi djallëzisht.

Biseda ime e fundit me Albin Kurtin

Pa iu rikthyer detajeve të aktiviteteve të viteve të më hershme, që i kam ndihmuar Albin Kurtit në institucionet ndërkombëtare, e veçmas në Parlamentin Evropian, dua të theksoj se ky individ më kishte lënë impresione shumë të mira mbi luftën e tij për çlirimin e Kosovës. Asokohe ishte i padjallëzuar, dëgjonte me përkushtim, ishte i shoqërueshëm, e madje gjithnjë qeshte që të bënte të kuptoje se ishte i arsyeshëm dhe energjik. Sjelljet e tij dhe energjia e tij e dikurshme, më sillte ndërmend vitet e rinisë sime, andaj edhe pas luftës me Albinin vazhdonim të takoheshim duke folur me kënaqësi për fenomenet negative që po i përjetonte atdheu ynë. Që rrethi tij të zgjerohej me intelektualë, një ditë prej ditësh e ftova Albinin në një kafene të dorës së dytë në qendër të Prishtinës. Miku im i kamotshëm, Rushit Ramabaja, ia shprehu devotshmërinë duke e lavdëruar për aktivitetet e tij patriotike që po zhvillonte Albini me rininë shqiptare dhe në fund të bisedës e krahasoi me Skënderbeun. Lirimi i tij nga burgu i Serbisë dhe pritja që ia kishte bërë populli vërtet kishte një ngjashmëri që të bënim një krahasim të tillë. Fjalët tona superlative për të buronin nga thellësia e shpirtit, sepse ne e dëshironim një rini të shëndoshë e të pakorruptuar, që do ta shpëtonte këtë popull nga klane të ndryshme mafioze politike të thelluara në pushtet. Më kalimin e kohës dhe forcimin e tij politik, Albini ndryshoi qëndrimet, ndryshoi sjelljet dhe mënyrën e strategjisë së tij që të luftonte për çka ishte zotuar dhe propaganduar. Këto ndryshime radikale më shqetësonin, andaj më nuk kisha dëshirë ta takoja, por në mesazhin tim të fundit telefonik i shkrova: "Dikush ngrihet shpejt për t'u rrëzuar shpejt, e ky je ti, ndërsa dikush me aktivitete sistematike historia nuk do ta harrojë kurrë, e ky jam unë".

VV-ja e ka shndërruar Kosovën në teatër shekspirian

Gjatë viteve të paraluftës, Ibrahim Rugova e kishte imazhin e një lideri pacifist pas të cilit u radhitën tërë shqiptarët. Adem Demaçi, duke mos dashur të imponohej forcës më të madhe politike shqiptare në mënyrë që ajo të mos zbehej, qëndroi anash disa vjet, mirëpo me kalimin e kohës Demaçi u radhit aty ku e kërkonte atdheu, në UÇK, si krahu politik i ushtrisë sonë, e bashkë me të edhe Albin Kurti. Dalja nga burgu i Albin Kurtit do të shënonte një kthesë në klasën politike kosovare, kur zhvillimet politike po vendnumëronin, e ekonomia po shkatërrohej skajshmërisht. Aktivitetet e Albin Kurtit kundër korrupsionit, kundër mafisë politike po e ngritnin gjithnjë e më tepër imazhin e tij, siç u ngritën dikur disa komandantë të luftës pa i ditur opinion ynë qëllimet finale të tyre, që sot janë bërë publike të një pjese dërmuese. Sikur Albin Kurti të vazhdonte siç e kishte filluar do të mbetej lider i pakontestueshëm, por fatkeqësisht për të ai që ka investuar në ngritjen e tij, kërkon edhe llogari. Për t'u ngritur Albin Kurti është dashur që rinia jonë e zhgënjyer nga papunësia të konfrontoheshin me forcat e rendit dhe të derdhej gjaku i katër militantëve, që do e rriste numrin e partisë në zgjedhjet e fundit, por do të jetë e pamjaftueshme për kapjen e pushtetit. Albin Kurti, i mësuar të mos ngopej me gjakun e derdhur, do ta hartojë një strategji të re e të sofistikuar që quhet "Nxitje për shpërngulje masive". Në ballë të këtij plani do ta përdorin Shqipe Pantinën, e cila vetëm disa orë pas marrëveshjes për krijimin e Qeverisë do të dalë me deklarata bombastikePopulli po shpërngulët. Militantët e paguar do t'ia mësyjnë Stacionit të Autobusëve për ta shndërruar në skenë të teatrit, të cilët do shajnë shtetin dhe ofendojnë personalitetet politike, e ndër duar mbanin valixhe të zbrazura, pikërisht si në teatër. I njëjti skenar është përgatitur edhe herën e kaluar, ku nga Kosova u shpërngulën mbi njëqindmijë, por atëherë askujt nuk i ka shkuar ndërmend se Albin Kurti ishte pas asaj tragjedie kombëtare. A ishte tragjedi? Natyrisht që ishte tragjedi më e fortë se e Shekspirit, sepse Albini e kishte shndërruar tërë territorin tonë në skenë të teatrit, ndërsa Shekspiri ngjarjet i kishte imagjinuar. Gjatë shpërnguljeve masive të viteve të '50-ta, historianët tanë Rankoviqin e quanin gjakpirës të shqiptarëve, por Rankoviqi nuk e shpërnguli popullin e tij, ai pinte gjakun e shqiptarit. Po Albini?! Albini është më gjakpirës se Rankoviqi! Albinit po i duhet gjaku i popullit të tij për ngritjen personale! Albini nga etja për pushtet është shndërruar në lubi. Nga etja për pushtet Albini është shndërruar në monstër që e ka instaluar frikën dhe shqetësimin në popullin e tij. A ndjente dhimbje Albin Kurti për shqiptarët që po i shisnin shtëpitë e tyre? A ndjente dhimbje Albin Kurti që shumë fëmijë vdiqën rrugëve malore, duke kaluar kufirin? A ndjente dhimbje Albin Kurti kur vdisnin pleqtë të ngrirë nga të ftohtët e ktheheshin në arkivole ?! Jo, përkundrazi, Albin Kurti shkonte dhe i vizitonte familjet që pësonin tragjedi dhe u fliste kundër Qeverisë, pa e ditur askush prej nesh se pas kësaj tragjedie ishte vetë Albin Kurti. Jo, Albin Kurti nuk ndjente dhimbje, sepse ishte mësuar të ngrihej me gjakun dhe në tragjedinë tonë të krijuar nga strategjia e tij politike makiaveliste, ku qëllimi e arsyeton metodat dhe mjetet.

Parlamenti i Kosovës, arenë gladiatorësh

Për të arritur pushtetin VV-ja, përveç gjakderdhjes së bijve më të mirë shqiptarë, në skenën politike e futi edhe përdorimin e forcës fizike. Patriotizëm e quajnë çdonjërin që ka aftësi fizike të rrokullisin vetura të kundërshtarëve, çdonjërin që kundërshtarit ia tregon muskujt, dhe militantët që fizikisht rrahin gratë e ministrave, duke e përfshirë edhe gazin lotsjellës në Kuvend. Duke krijuar situatë shqetësuese në territorin tonë të pasluftës, Albini e ka përpiluar strategjinë e aplikimit të forcës që përdorej gjatë kohës së okupimit. E njëjta metodë përdorej nga policia serbe, ku në marsin e vitit 1989, Kuvendi ishte i rrethuar me tanke, ndërsa brenda më militantët e partisë së Milosheviqit. Për të krijuar situatë provokuese policia serbe maltretonte gra, fëmijë si dhe pengonte liderët shqiptarë për të vepruar në forma të ndryshme diplomatike. E njëjta politikë represive është duke u zhvilluar nga VV-ja e Albin Kurtit ku me asnjë personalitet politik nuk është i garantuar se nuk do të gjuhet rrugës duke shkuar në punë. Asnjë gjyqtar nuk e ka jetën e sigurt nëse mendon të dënojë militantët e VVsë, e të cilët nuk e pranojnë as flamurin, e as ligjet e Kosovës. Në kohën e pushtimit nuk i kemi njohur ligjet e pushtuesit, por sot po marrin rroga nga Kosova e nga ky flamur. Nëse VV-ja nuk e njeh këtë flamur dhe këtë shtet, duhet të refuzojnë të marrin rroga, duhet të refuzojnë të marrin pjesë në Kuvend e në komisione të ndryshme ku fitojnë para të majme. Ajo që më së shumti bie në sy është kur Fisnik Ismaili me fjalorin e tij debil e kërcënues herë pas here shkruan në faqen e tij të FB-së. Fisnik Ismaili i tregon muskujt e tij thuajse forca fizike është faktor determinant i politikës sonë. Nuk është vështirë të rrahet fizikisht asnjë njeri në botë, por është vështirë t'i qëndrosh pas aktit të tillë, sepse Kosova është e vogël dhe sot askush askujt nuk i frikësohet, ngase një plumb muskujt i shndërron në ushqim të krimbave. Forca qëndron në mendje dhe shpaloset përmes ngjyrës së pendës. Kuvendi nuk duhet të jetë arenë e gladiatorëve, por arenë e gjuhës diplomatike për zhvillimin e shtetit dhe mirëqenien e qytetarëve.

Pse heshtin Albini dhe Shpend Ahmeti për Nenad Rikallon?!

Më kujtohet Albin Kurti gjatë kohës kur bënte performancë në sheshin "Nënë Tereza" me një gomar dhe e bënte krahasimin e qeverisë me gomar. Ishte një spektakël që i ngjante teatrove shëtitëse të rrugëve gjatë shekujve të mëparshëm në Itali e në Francë, kur ende teatri nuk e kishte fituar statusin që e ka sot. Askush prej nesh nuk e dinim se Albini dhe Shpend Ahmeti e kishin themeluar një asociacion për bashkim-vëllazërimin e jetës në Kosovë e të financuar nga Serbia dhe kapitalistët serbë të Austrisë. Po të ishin Albin Kurti dhe Shpend Ahmeti patriotë, siç pretendojnë, kurrë emrat e tyre nuk do kishin figuruar në të njëjtën listë me Nenad Rikallon! Për këtë po ia rikujtoj Albin Kurtit se emri im kurrë nuk ka figuruar askund ku kam menduar se aty gjendet një shqiptar i dyshimtë, e i cili asokohe e frekuentonte ambasadën jugosllave. Nuk po them se Nenand Rikallo është kriminel, përderisa AKI-ja të dalin me komunikatë zyrtare për veprimet e tij në të kaluarën, por Albini ka qenë i njohur se paratë për atë asociacion kanë prejardhje të dyshimtë dhe destruktive për çështjen kombëtare. Ne po i quajmë hajna e kriminelë këta që e shfrytëzuan Fondin "Vendlindja Thërret" dhe "Tre përqindëshin", po Albini qenka financuar direkt nga kapitalistët serbë austriakë. Dhe, Fisnik Isamili shkruan qysh po i hamë ne këto fore. Këto nuk janë fore, por janë fakte. Këto nuk janë rrena, por të vërteta, e me para të tyre Albini e Shpendi u ngjitën shkallëve të politikës së varfër shqiptare, ku sot një numër i madh deputetësh e ministrash nuk e meritojnë titullin që e kanë, sepse janë turp i Kosovës. Mendoj se Albini nuk përgjigjet, sepse ka frikë se i dalin edhe gjëra të tjera, ende të panjohura për ne. Albini mendon se ata që i kanë ndihmuar të ngrihet do t'i mbajnë të mbyllura dosjet sekrete, e në fakt Serbia e ka humbur busullën dhe jo vetëm që shërbëtorët e tyre shqiptarë herë pas here po i denoncon, por edhe serbët e vet nuk po i dhimbsen. Serbia ka plane afatgjate për mbajtjen e Kosovës nën kontroll, dhe njërin e zbret e tjetrin e ngrit, sipas strategjisë së tyre afatgjate. Ngjarjet e fundit kanë ndikuar që të zbulohen planet e VV-së së Albin Kurtit dhe Shpend Ahmetit, të cilët rrënjët nuk i paskan pasur në Kosovë, por gjetiu. Ngjarjet e fundit, e sidomos nxitja për shpërngulje masive dhe financimi i Albin Kurtit nga kapitalistët serbë austriakë dukshëm do ta dobësojë VV-në dhe populli do ta ndëshkojë në zgjedhjet e tetorit.

Pse serbët e Drenicës e votuan VV-në ?

Nuk ka asnjë sekret se në zgjedhjet e 11 qershorit të këtij viti VV-ja ka pasur më shumë vota nga serbët se sa Lista Serbe. Dihet se të paktë janë serbët të cilët veprojnë pa urdhra nga Beogradi. Po të ishte VV-ja radikale ndaj interesave të Serbisë, siç pretendojnë, serbët me shumicë nuk do ta votonin VV-në. Gjatë zgjedhjeve të para demokratike pas luftës në Kosovë, vetëm katër serbë kanë votuar për Ibrahim Rugovën, gjë që për vëzhguesit e huaj ishte befasi. Pse nuk u frikësuan serbët ta votonin VV-në në regjionin e Drenicës? Mendoj se çdo gjë është e planifikuar dhe e programuar që më parë. Që nga pas lufta e këtej, serbët që jetojnë në Drenicë nuk i kanë kushtet e këqija, por janë në gjendje shumë më të mire se shqiptarët e asaj ane. Albin Kurti, duke i frikësuar se vështirë do ta thyente bastionin e PDK-së në Drenicë, dyshoj që të ketë kërkuar përforcime nga Serbia në mënyrë që serbët të votojnë VV-në. Ky është vetëm mendimi im dhe dyshimi im, e nëse Albini ka ndonjë version tjetër do të ishte mirë të informonte sa më parë elektoratin e tij e jo mua, se si serbët e votuan Albin Kurtin për kryeministër dhe VV-në për pushtet qendror? Albini e ka shumë lehtë të më kundërshtojë, por e ka shumë vështirë të sqarohet para elektoratit të tij. Madje, Albini e ka shumë lehtë edhe të mbrohet, sepse në debatet televizive kurrë nuk pyetët për relacionet e tij me Nenad Rikallon. Kurrë nuk pyetët për nxitjen e shpërnguljeve tanimë të konfirmuara se militantët e tij ishin ata që shkonin me valixhe të zbrazura. Kurrë nuk pyetët pse serbët e votuan VV-në, e shumë pyetje të tjera ende enigmatike për opinionin tonë. Albin Kurti dhe Shpend Ahmeti janë personalitetet më destruktive në Kosovën e pasluftës.

 (Kosova Sot)