< Angela Merkel nuk do ta shpëtojë Britaninë - Opinione - Kosova Sot
Angela Merkel nuk do ta shpėtojė Britaninė

Angela Merkel nuk do ta shpėtojė Britaninė

Në negociatat e kohëve të fundit midis BEsë dhe Britanisë së Madhe është bërë normë që Londra ta bazojë besimin e saj te Berlini, e në veçanti te Angela Merkel, për arritjen e marrëveshjes të cilën është duke e kërkuar Britania. Por, kjo është një keqllogaritje. Të gjithë analistët që thonë se britanikët duhet t'i përfitojnë gjermanët dhe ta kuptojnë të menduarit gjerman duhet ta dinë se Britania ka një tendencë për të keqinterpretuar pozicionin e Gjermanisë rreth BE-së, rrënjësisht dhe vazhdimisht. Historikisht, kjo ka përfunduar në zhgënjim dhe tani jemi afër përsëritjes së një gjëje të tillë. Gjatë kampanjës për referendumin britanik vitin e kaluar, politikanët që mbështetnin Brexit-in, si dhe analistët, vazhdimisht përsëritnin se nuk kishte asgjë për t'u frikësuar. Një marrëveshje do të sigurohej lehtë, meqë Berlini do të përkujdesej që kjo të ndodhte. Bilanci i madh pozitiv tregtar i Gjermanisë me Britaninë merrej për bazë për një qëndrim dhe mendim të tillë. Sekretari Brexit David Davis kishte shkuar deri atje sa që thoshte se, një ditë pas referendumit, ai do të shkonte në Berlin për arritjen e një marrëveshjeje bilaterale tregtare. Edhe me kalimin e kohës një qëndrim i tillë mbetet mbizotërues. Por, nëse taktika e bisedimeve Brexit nënkupton mbështetjen te Berlini për arritjen e suksesit, atëherë kjo d.m.th. se shumë njerëz në "Westminster" as që e kanë marrë mundin të dëgjojnë çka janë duke thënë politikanët gjermanë, apo liderët e industrisë.

Qasje pa tarifa

Britania ka humbur shumë kohë duke u mbështetur te prodhuesit gjermanë të automobilave, të cilët gjoja do të lobonin te Merkel për një qasje pa tarifa në Britani. Në vend të kësaj, Federata e industrive gjermane ua ka tërhequr vërejtjen 100,000 anëtarëve të saj që të përgatiten për një "Brexit të vështirë". Britania ka humbur edhe më shumë kohë duke i thënë vetes se, sapo të mbahen zgjedhjet nacionale në Gjermani, Merkel do ta 'ndreqë' Brexitin, apo se partneri i saj i vogël i koalicionit, Partia e lirë demokratike, FDP, do ta shpenzojë kapitalin e saj të mbetur politik duke u angazhuar për një "marrëveshje të mirë" me Britaninë. Kjo është po ajo FDP, e cila kishte paguar furgonët që të shëtisnin nëpër Londër, pak pas mbajtjes së referendumit, duke i siguruar bizneset që "Ta ruajnë qetësinë dhe të zhvendosen në Berlin". Gabimi tjetër ishte bërë këtë verë, kur negociatorët britanikë vendosën se Komisioni evropian ishte duke luajtur lojë të vështirë dhe se ai do të kalonte përmbi kokën e negociatorit kryesor, Michel Barnier, duke iu drejtuar drejt liderëve të BE-së - Merkelit dhe presidentit francez Emmanuel Macron. Më pas u kuptua lajthitja e kësaj taktike: kanë qenë Berlini dhe Parisi ata që kanë bërë presion të madh që të siguroheshin se bisedimet Brexit të mos mund të kalonin në fazën e dytë (për marrëdhëniet e ardhshme tregtare) derisa Britania të mos adresonte sa duhej çështjet që gjendeshin në tavolinë gjatë fazës së parë (divorcit). Në fakt, me rastin e mbledhjes së krerëve të shteteve të BE-së në Bruksel, këtë javë, u vendos që nuk ka pasur 'progres të mjaftueshëm' për të çuar përpara bisedimet në fazën e dytë. Por, shtypi britanik ka vazhduar me komente pajtuese nga Merkel, në orët e hershme të së premtes në mëngjes.

Disponimi ka ndryshuar

 Në mënyrën e saj tipike ala Merkel, kancelarja gjermane na siguroi se është në interesin e të gjithëve që ta arrijmë një marrëveshje të mirë dhe se të dyja palët duhet të 'lëvizin'. Duke iu drejtuar kryeministres Theresa May, konkluzionet e samitit të Këshillit evropian theksojnë se BE-ja do të jetë e gatshme që të shkojë përpara në lidhje me kornizën e së ardhmes. Kjo d.m.th. se disponimi ka ndryshuar. Kjo filloi me fjalimin e May'it në Firence të Italisë, fjalim të cilin BE-ja e interpretoi si moment kur Britania filloi që të bëhej më realiste. Dhe, kjo u përforcua me anë të "ofensivës me sharm" të May'it gjatë javës së kaluar, që përfshiu një darkë të momentit të fundit me negociatorin kryesor të BE-së për Brexit, Barnier, dhe me presidentin e Komisionit evropian, Jean-Claude Juncker të hënën, si dhe telefonatat me Merkelin dhe Macronin gjatë fundjavës. Por, që kjo të interpretohet si lëvizje fundamentale të qëndrimit substancial të Gjermanisë, do të ishte gabim i madh. Nuk është në interesin afatgjatë strategjik politik dhe ekonomik të Berlinit që t'ia ofrojë Britanisë një lloj të tillë të marrëveshjes, që ishte thënë se do të ishte lehtë për t'u arritur. Shkalla e qasjes të cilën në fund do ta ketë Britania ndaj tregut të përbashkët të BE-së do të varet nga shkalla deri në të cilën Britania do të jetë e gatshme që t'iu përmbahet normave rregulluese. Prandaj, derisa Merkel në mënyrë simultane të mishërojë shpresën dhe frikën për Britaninë e Brexitit, ajo nuk do të jetë ajo që do ta shpëtojë Britaninë nga e ashtuquajtura humnerë, nëse qeveria britanike vazhdon që ta kundërshtojë arritjen e marrëveshjes.

(Nina Schick është komentatore politike evropiane dhe këshilltare që është duke specializuar në politikën e BE-së, politikën gjermane dhe Brexitin)

(Kosova Sot)

23 orë e 40 minuta më parë