TC "Kosova e Re", investimi më i madh në vend, apo mashtrimi me numra! - Opinione - Kosova Sot
TC "Kosova e Re", investimi mė i madh nė vend, apo mashtrimi me numra!

TC "Kosova e Re", investimi mė i madh nė vend, apo mashtrimi me numra!

SHKRUAN: FATON BISLIMI

Në një intervistë për emisionin "Puls", pardje, ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Valdrin Lluka, foli kryesisht për termocentralin e ri që pritet të ndërtohet në Kosovë, 'Kosova e Re', duke e cilësuar atë si investimin më të madh të huaj në vend. Ai tutje këtë projekt e vlerësoi edhe si "investim krejtësisht" të firmës së përzgjedhur për ndërtimin dhe operimin e TC "Kosova e Re", 'Contour Global', duke nënvizuar se obligimi financiar i qeverisë ishte thuajse zero për ndërtimin e 'Kosovës së Re'. Por, ministri Lluka theksoi se Qeveria e Kosovës, sipas marrëveshjes, duhet t'i garantojë 'Contour Global' blerje të energjisë nga TC 'Kosova e Re' në vlerë prej 200 milionë euro në vit për 20 vite, si dhe ka për obligim furnizimin me qymyr për prodhim të energjisë. Vlera e përgjithshme e investimit në fjalë - që përfshinë koston e ndërtimit të TC me teknologjinë më moderne botërore - sipas ministrit është një miliard euro. Tani, në shikim të parë, duket se ky është lajm që duhet të na gëzojë të gjithëve. Kosova, sipas këtij përshkrimi si më lart, nuk ka pasur ndonjëherë në historinë e vet ndonjë investim më madhor sesa ky i firmës amerikane 'Contour Global', pra një miliard euro! Sipërfaqësisht, duket se Kosova do ta përfitojë një TC të ri, më modernin të mundshëm, me zero investim vetanak - pra me komplet investim të huaj. Lajm tepër i mirë ky, apo jo? Nëse hulumtojmë pak më shumë sesa përshkrimi sipërfaqësor që po i bëhet një projekti kaq madhor për Kosovën, dalin në pah shumë elemente tjera që na bëjnë ta rimendojmë "mirësinë" që sjellë ky projekt për vendin. Është paksa e çuditshme që Memorandumi i Mirëkuptimit që është nënshkruar nga ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, me 'Contour Global', e që paracakton në princip marrëveshjen për këtë projekt investiv, asnjëherë nuk është bërë publik as nga MZHE e as nga 'Contour Global'.

Më shumë kredi, e shumë pak investim

 Në një raportim të prestigjiozes britanike "The Guardian", të datës 20 korrik 2016, ngiten shumë pikëpyetje për këtë projekt dhe mënyrën në të cilën Qeveria e Kosovës po e procedon atë. Realisht, shkrimi në fjalë hedh në pah një sërë interferimesh të stafit të Bankës Botërore, 'Contour Global', por edhe të Qeverisë së Kosovës vis-a-vis procesit në fjalë, si dhe shpërfaq dilemën e madhe në lidhje me koston e proklamuar të projektit prej një miliard euro, duke theksuar se kjo kosto mund të jetë shumë më e madhe sesa kjo që po thuhet. "The Guardian" rikujton koston e Autostradës së Kombit, që fillimisht ishte proklamuar në vlerë prej rreth 400 milionë euro, e realisht kishte kushtuar rreth 820 milionë euro. A po ndodhë e njëjta edhe me "investimin" e madh të 'Contour Global' për TC 'Kosova e Re'? Një raport i Institutit për Ekonomi të Energjisë dhe Analizës Financiare (IEEFA) me seli në Cleveland, OH të Shteteve të Bashkuara, i publikuar në janar 2016, i cili i është kushtuar projektit të TC 'Kosova e Re', thekson disa elemente të këtij projekti investiv që na bëjnë të mendojmë dy herë në lidhje me "madhështinë" e tij. Sipas raportit të IEEFA-së, kosto e TC 'Kosova e Re', e proklamuar të jetë një miliard euro, është thuajse joreale, edhe nëse konsiderohet se përfshinë vetëm koston e ndërtimit dhe jo atë të financimit të projektit të fjalë. Hulumtimet e kostove të ndërtimit të TC-ve të ngjashme me atë të Kosovës, siç është ai i Shoshtanjit në Slloveni, për shembull ishte proklamuar fillimisht për një kosto prej 637 milionë euro më 2006. Porse kosto reale e ndërtimit të këtij TC që kishte përfunduar më 2014 ishte 1.43 miliardë euro, apo më shumë se dyfishi i kostos së proklamuar fillestare. Një vlerësim i bazuar në modelin e përllogaritjes së kostos gjithëpërfshirëse të ndërtimit të TC-ve, sipas IEEFA-së, thekson se kosto e ndërtimit të TC 'Kosova e Re' nuk mund të jetë më pak se 1.35 miliard euro. Kjo, pasi që, përveç kostos së ndërtimit, kosto gjithëpërfshirëse që realisht duhet pasur parasysh, duhet të përfshijë edhe koston e financimit të projektit-pra shumën që paguhet në emër të interesit për financim të shumës së projektit. E kur jemi të financimi i projektit, jemi mu në pikën ku "investimi i huaj" realisht është më shumë kredi, e shumë pak investim. Sipas raportimit të "The Guardian" si dhe IEEFA-së, financimi i projektit të TC 'Kosova e Re' do të bëhet me huazim fondesh në vlerë prej 70% të shumës së projektit dhe 30% që do të jenë fonde të 'Contour Global'. Kjo nënkupton që 'Contour Global' duhet të huazojë nga kredidhënës (qofshin ato banka apo firma investuese ndërkombëtare) më së paku rreth 700 milionë euro, duke vënë në realizim të projektit pjesën tjetër prej 300 milionë euro nga fondet e veta. Problemi kryesor me këtë plan financimi është fakti se 'Contour Global' ekuitetin e vet e bazon në llogaritë e veta rrjedhëse, duke përfshirë këtu edhe 200 milionëshin vjetor që duhet paguar Qeveria e Kosovës.

Kostoja e financimit të kësaj kredie

 Sipas vlerësimeve të firmave investuese ndërkombëtare si 'Moody's', për shembull, me seli në Nju Jork, 'Contour Global' për shkak të portofolios së vet që ekuitetin e bazon në rrjedhën e parasë nga projektet e veta investive, të cilat realisht mund të kenë problem, siç ishte rasti me TC në Bullgari, kur Qeveria e Bullgarisë dështoi t'i paguaj 'Contour Global'-it shumën e dakorduar vjetore dhe u deshtë të rinegociohej kontrata në fjalë, duke krijuar kështu probleme dhe vonesa serioze në projektet në ndërtim e sipër të 'Contour Global' në Afrikën e Jugut. Për këto arsye dhe për faktin që 'Contour Global' veçse ka kredi (borxhe) në vlerë prej rreth 1.9 miliard euro, kosto e financimit të kredisë prej mese 700 milionë euro nga 'Contour Global' nuk mund të jetë assesi më e lire se interesi vjetor prej rreth 18%, e assesi 7.5% sa ka thënë publikisht Ministria e Zhvillimit Ekonomik. Por, nëse realisht kosto e financimit të kësaj kredie, pra interesi, është 7.5%, atëherë kosto reale duhet të subvencionohet nga kush tjetër, pos nga Qeveria e Kosovës. E vlera e këtij "subvencioni" (për të paguar koston e diferencës së interesit real prej 18% dhe atij të proklamuar me 7.5%) do të ishte jo më pak se 1.6 miliard euro për kohëzgjatjen e marrëveshjes prej 20 viteve. Shto kësaj shumë edhe vlerën e proklamuar të interesit prej 7.5% që është jo më pak se 880 milionë euro, del se totali i kostos së financimit të projektit, pra 70% të vlerës së gjithë projektit, është jo më pak se 2.66 miliardë euro.

Kostoja për Qeverinë e Kosovës

Përveç kësaj, sipas MZHE-së, Kosova ka pranuar që 'Contour Global' t'i paguajë edhe një ratë kthimi (rate of return) prej 18%. Mirëpo, kjo pagesë, që realisht mund të konsiderohet si interes që Qeveria e Kosovës duhet paguar 'Contour Global'-it, nuk është përcaktuar nëse do të paguhet për krejt investimin, pra për vlerën një miliard, apo vetëm për pjesë e 30% që 'Contour Global' është zotuar ta financojë nga fondet e veta. Normalisht, kjo ratë kthimi do të duhej të aplikohej vetëm në 30%. Andaj, kosto për Qeverinë e Kosovës për pagesën e ratës së kthimit (vetëm për ketë pjesën e 30%), është jo më pak se 250 milionë euro. Prandaj, kur i shtojmë kostos së ndërtimit të TC 'Kosova e Re' (prej 1.35 miliard euro) edhe koston e plotë të financimit të projektit (prej 2.91 miliard euro), del se kosto e përgjithshme reale e TC 'Kosova e Re' është rreth 4.26 miliardë euro! Po ashtu, ajo që duhet pasur parasysh mandej është edhe fakti që projekti në fjalë është më shumë një kredi marramendëse për Kosovën sesa një projekt investues. Ky projekt, edhe sipas vlerësimeve të IEEFA-së, por edhe të shumë organizatave tjera të specializuara në energjetikë është barre tepër e madhe për Kosovën. Andaj, ndoshta është mire që MZHE dhe Qeveria e Kosovës të publikojë në mënyrën më transparente të mundshme Memorandumin e Mirëkuptimit të nënshkruar me 'Contour Global' si dhe kontratën që pritet në nënshkruhet këto ditë, ashtu që ky popull yni ta dijë saktë barrën që po merr jo vetëm për veti, por edhe për gjeneratat e ardhshme. E problemi tjetër edhe më madhor ndoshta, pos kostos marramendëse të projektit që në publik po kamuflohet si investim i huaj e po nënvlerësohet nga kosto reale prej mbi 4 miliardë euro në kosto vetëm të ndërtimit në vlerë prej rreth një miliard euro, është edhe fakti që sipas raportit të IEEFA-së do të shkaktonte një rritje prej rreth 33% të kostos së energjisë elektrike për amvisëritë e Kosovës!

Autori është ligjërues universitar në RIT Kosovo (Universitetin Amerikan të Kosovës) në Prishtinë, si dhe studiues pranë Qendrës së Ekselencës së BE-së në Universitetin e Albertës

(Kosova Sot)

15 orë e 6 minuta më parë
17/01/18
aaaaaaaa