Çfarë është Krishtlindja? - Opinione - Kosova Sot
 Çfarë është Krishtlindja?

Çfarë është Krishtlindja?

Shkruan: Ardian Nokaj 

 

 Jezusi është Shpëtimtari ynë sot, po aq shumë sa ç’ishte Shpëtimtar edhe për barinjtë, që e panë 

për herë të parë në grazhd. Ata e dinin se Perëndia iu kishte dhënë privilegjin e mrekullueshëm, që të 

qëndronin përpara Shpëtimtarit të botës.

 

“Tani, në po atë krahinë ishin disa barinj që rrinin jashtë, në fusha, dhe natën ruanin kopenë e tyre. Dhe 

ja, një engjëll i Zotit iu paraqit atyre dhe lavdia e Zotit shkëlqeu rreth tyre e ata i zuri një frikë e madhe. 

Por, engjëlli u tha atyre: “Mos druani, sepse unë po ju lajmëroj një gëzim të madh për të gjithë popullin; 

sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti. Dhe, kjo do t’ju vlejë si 

shenjë: ju do të gjeni një fëmijë të mbështjellur me pelena, të shtrirë në një grazhd” (Luka 2:8-12). 

 

Shumica e njerëzve e dinë se ç’kuptim ka festa e Krishtlindjeve, por a e kuptojnë ata vërtet se kush 

ishte dhe se kush është ajo foshnjë, që barinjtë e gjetën të shtrirë në grazhd? Shumica e kartolinave të 

Krishtlindjeve as që  e përmendin fare faktin se ky fëmijë u lind prej Marisë. Këngët, zbukurimet 

dhe dhuratat e shumta nuk arrijnë ta dëshmojnë dot siç duhet faktin se kjo foshnjë është Yeshuah(që ka 

kuptimin Zoti shpëton) , Shpëtimtari i njerëzimit. Por, Bibla na thotë se Biri i Perëndisë zbriti nga Qielli si 

Njeri, për të kaluar kohë me ne. Në ditën e lindjes së Jezusit, engjëjt u gëzuan pa masë nga kjo ngjarje 

e mrekullueshme. Pavarësisht se ç’mund të mendojnë njerëzit për Krishtlindjet, ajo natë e lindjes së 

Jezusit ishte nata kur Perëndia u shfaq në formë njerëzore. “Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë 

Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi. Ai (fjala) ishte në fillim me Perëndinë… Dhe Fjala u bë mish dhe 

banoi ndër ne” (Gjoni 1:1-2, 14). Le t’iu hedhim një sy titujve, që engjëjt i dhanë emrit të Jezusit, nga 

vargjet e Luka 2:8-12. 

 

 Shpëtimtar 

“Sepse, Biri i njeriut erdhi të kërkojë dhe të shpëtojë atë që kishte humbur” (Luka 19:10). Ky varg na 

tregon pikërisht se kë erdhi të shpëtojë Jezusi. Nuk erdhi për njerëzit fetarë, që e konsideronin veten të 

drejtë në sytë e Perëndisë, prandaj edhe e mohonin Shpëtimtarin. Përkundrazi, Ai erdhi për të çliruar 

mëkatarët. “Unë nuk erdha t’i thërras të pendohen të drejtët, por mëkatarët” (Luka 5:32). Erdhi për t’i 

çliruar të pashpresët, të dobëtët dhe ata që nuk i donte kush. “Nuk janë të shëndoshet që kanë nevojë 

për mjekun, por të sëmurët; unë nuk erdha për të thirrur të drejtët, por mëkatarët për pendim” (Marku 

2:17).  

Jezusi është Shpëtimtari ynë sot, po aq shumë sa ç’ishte Shpëtimtar edhe për barinjtë, që e panë për 

herë të parë në grazhd. Ata e dinin se Perëndia iu kishte dhënë privilegjin e mrekullueshëm, që të 

qëndronin përpara Shpëtimtarit të botës. Një bekim i tillë është i vlefshëm edhe për secilin prej nesh sot, 

sepse, nëpërmjet Jezusit, e dimë se jemi të pranuar nga Perëndia. “Për lëvdim të lavdisë së hirit të tij, me 

të cilin na bëri të pëlqyer në të dashurin Birin e tij” (Efesianëve 1:6). Fakti që Ai është Shpëtimtari ynë, 

na tregon se Ai na çliron prej fuqisë së mëkatit,  d.m.th . mëkati nuk ka më autoritet mbi ata që besojnë. 

“Atij që na deshi dhe na lau nga mëkatet tona në gjakun e tij” (Zbulesa 1:6)… “Duke ditur se jo me anë 

gjërash që prishen, si argjendi ose ari, jeni shpenguar nga mënyra e kotë e të jetuarit të trashëguar nga 

etërit, por nga gjaku i çmuar i Krishtit, si të Qengjit të patëmetë dhe të panjollë” (1 Pjetrit 1:18-19). Ky 

Shpëtimtar i ruan të gjithë ata, që e ndjekin, që i besojnë dhe që i binden. “Gjithçka që më jep Ati do të 

vijë tek unë; dhe atë që vjen tek unë, unë nuk do ta nxjerr jashtë kurrë” (Gjoni 6:37). Tek vazhdojmë t’i 

besojmë Atij, Ai na mban të sigurt.  

 

Krishti 

Krishti, Mesia është Kryeprifti ynë,  d.m.th . me besim mund t’i kërkojmë Atij gjithçka, duke e ditur se 

Perëndia na i dëgjon lutjet dhe se Ai iu përgjigjet atyre sipas vullnetit të Tij. “Në të vërtetë, në të vërtetë 

po ju them se çdo gjë që t’i kërkoni Atit në emrin tim, ai do t’jua japë” (Gjoni 16:23). Është një bekim i 

mrekullueshëm ta dish se Krishti lutet për të gjithë ata që i besojnë, prandaj, ngaqë jemi në Të, Ai ka 

për të na përfaqësuar përpara fronit të lavdisë. “Prandaj edhe mund të shpëtojë plotësisht ata që me anë 

të tij i afrohen Perëndisë, sepse gjithmonë rron që të ndërmjetësojë për ta” (Hebrenjve 7:25)… “Kemi 

një avokat te Ati, Jezu Krishtin të drejtin” (1 Gjonit 2:1). 

 

 Zoti 

Engjëlli e kuptoi se ajo foshnjë në grazhd ishte vetë Zoti, ndaj edhe i inkurajoi barinjtë që ta besonin të 

njëjtin fakt. Ai fëmijë që dukej si një foshnjë e dobët, ishte, në fakt, Zoti Sovran i të gjithëve. Tek 

Zbulesa 1:8, Jezusi na thotë: “Unë jam Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi”, thotë Zoti “që është dhe 

që ishte dhe që vjen, i Plotfuqishmi”. Le të mos e harrojmë se Jezusi duhet të jetë Zot i gjithçkaje, ose 

përndryshe, Ai nuk është Zot i asgjëje! “MBRETI I MBRETËRVE dhe ZOTI I ZOTËRVE” (Zbulesa 

19:16)… “Jezu Krishtit, që është Zoti i të gjithëve” (Veprat e Apostujve 10:36). 

Fjala “Zot” është një titull i përshtatshëm për Shpëtimtarin tonë, por a e kemi bërë ne vërtet Atë, Zot të 

jetrave tona? A i kemi dhënë Atij leje, që të ketë autoritet të plotë dhe absolut në jetën tonë? Ta quash 

Atë “Zot” me fjalë nuk është njëlloj si ta quash Atë “Zot” me vepra! Duhet të jemi të gatshëm për t’ia 

dorëzuar gjithçka Atij si një ofertë dashurie.  

“O vëllezër, po ju bëj thirrje, nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, ta paraqisni trupin tuaj si fli të gjallë, 

të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia, që është shërbesa juaj e mënçur. Dhe mos u konformoni me këtë 

botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri 

dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë” (Romakëve 12:1-2). A është një urdhër i tillë aq i kushtueshëm? 

Barinjtë ishin të parët, që e panë Zotin, por pavarësisht se kush jemi, Ai, prapëseprapë, duhet të jetë 

Zoti ynë, nëse duam që të hyjmë vërtet në Mbretërinë e Tij. “Jo çdo njeri që më thotë: “Zot, Zot” do të 

hyjë në mbretërinë e qieve; por do të hyjë ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej” (Mateu 

7:21). 

                                

“Shpëtimtari…Krishti…Zoti”  

Si përfundim, ky ishte identiteti i vërtetë i foshnjës së Betlehemit, i shpallur prej engjëllit. Ai fëmijë, i lindur  

më shumë se 2000 vjet më parë, iu ofroi të gjithë atyre që besonin një përvojë jetë-ndryshuese. 

Fatkeqësisht, të paktë janë ata, që e kuptojmë vërtet rëndësinë e ardhjes së Tij. E hedhin poshtë faktin 

se ky fëmijë i vogël ishte Ai, që do të vdiste në kryq për mëkatarët, ndaj edhe Ai nuk mund të jetë 

Krishti i tyre, po qe se ata vetë nuk e bëjnë Atë Zot të tyren. Dhurata më e madhe na u dha atë ditë të 

parë të Krishtlindjeve. “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo 

që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme” (Gjoni 3:16). 

 

(Kosova Sot)

10 orë e 59 minuta më parë
21/07/18