Ja çka nuk kanë marrëveshjet me Greqinë dhe Iranin

Ja çka nuk kanë marrëveshjet me Greqinë dhe Iranin
  • 02 August 2015 - 09:31

ANALIZË

Shkruan: Dominique Moisi

Politika fryn rezultatin e arritjeve të saj

Perëndimi tregohet i ashpër me Athinën, por edhe me Teheranin

Përderisa Greqia, pala e dobët në negociata, pa nevojë, është shkatërruar nga partnerët e saj evropianë, në anën tjetër, Irani, që gjithashtu ka qenë palë e dobët në negociata, është shpërblyer me ligjshmëri të re, nga ana e kundërshtarëve perëndimorë. Anëtarët e familjes, siç duket, trajtohen më keq se të huajt

Marrëveshjet e këtij muaji për krizën në Greqi dhe programin nuklear të Iranit, pa asnjë dyshim, janë arritje të rëndësishme. Mirëpo, krahasimet që i kanë shoqëruar këto dy marrëveshje kanë qenë një lloj hiperbole, duke penguar diskutimet racionale për implikimet e tyre në lidhje me Evropën, Lindjen e Mesme si dhe për perspektivën e diplomacisë ndërkombëtare.

Marrëveshja në mes të Greqisë dhe kreditorëve, për shembull, është krahasuar me Traktatin e Versajës, ku Greqia ishte detyruar t’i pranonte kushtet shkatërruese të ‘dorëzimit’. Mirëpo, depresioni ekonomik, përkundër faktit që është shumë i rëndë, nuk është luftë, ndërsa as pozita e Greqisë së sotme nuk mund të krahasohet me atë të gjermanëve të mposhtur në vitin 1918.

Në anën tjetër, oponentët e marrëveshjes për limitimin e aktiviteteve nukleare të Iranit për pesëmbëdhjetë vitet e ardhshme e kanë krahasuar atë me Marrëveshjen e Munihut, ndërsa, mbështetësit e kësaj marrëveshje e kanë krahasuar me përafrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Kinën në vitet e 1970-a. Mirëpo, iranianët nuk janë të ngjashëm me nazistët dhe për momentin nuk ekziston ndonjë rrezik i ngjashëm me Bashkimin Sovjetik, që e kishte shtyrë presidentin amerikan, Richard Nixon, që të shkonte drejt Pekinit në vitin 1972.

 Krahasime të pakrahasueshme

Problematikë të ngjashme përbën edhe tendenca e krahasimit të këtyre dy marrëveshjeve – atë me Iranin dhe atë për Greqinë – me njëra-tjetrën. Përveç kohës së njëjtë, gjatë të cilës janë zhvilluar, ato nuk kanë ndonjë tjetër gjë të përbashkët. Ndërsa, një tjetër gjë e përbashkët mund të jetë fakti se ‘suksesi’ është arritur falë kërcënimeve të jashtme se alternativa tjetër, që në fakt ishte se nuk do të kishte alternativë fare, ishte shumë më e keqe.

Në rastin e Greqisë, negociatat janë shtyrë nga spektri i një Greqie të acaruar, që mëtonte t’i bashkohej kauzës së presidentit Vladimir Putin dhe ambicieve të tij revizioniste, apo edhe të shërbente si kanal evropian për migruesit. Me Iranin, kërcënimi i përparimit të Shtetit Islamik ishte menduar shumë më i rrezikshëm sesa Irani me armë nukleare.

Ndërsa, gjëja tjetër dhe e fundit, që këto dy marrëveshje e kanë të përbashkët, është se nuk janë të kompletuara. Asnjëra prej tyre nuk ka zgjidhur probleme, që të dyja marrëveshjet kanë blerë kohë, kohë të cilën mëtojnë ta përdorin për ta kuptuar nëse Greqia mund të mbes në Eurozonë dhe kohë pa Iranin në klubin nuklear.

 Marrëveshjet si baste

Si rezultat, që të dyja marrëveshjet duken më tepër si baste sesa si marrëveshje. Basti për Greqinë, që ka të bëjë me atë nëse shteti do të ketë mundësi ta mbajë kokën financiare nën ujë, gjatë përpjekjeve për zbatimin e reformave të rënda strukturore që i ka premtuar, do të caktohet i pari. Në fakt, përgjigjja do të bëhet e qartë brenda disa muajsh, apo edhe javësh.

Ndërsa, basti për Iranin, që ka të bëjë me atë nëse ky shtet do të vazhdojë me agresivitetin në lidhje me ambiciet nukleare, me shumë gjasë, do të kërkojë tetë deri në dhjetë vjet për të nxjerrë rezultate. Natyrisht, Irani mund të vazhdojë rrugëtimin e tij duke u bazuar në kushtet e marrëveshjes, pasi që kështu nuk do të ketë sanksioneve, mirëpo çka pas pesëmbëdhjetë vjetësh?

Çdo negociatë ndërkombëtare – qoftë në mes të partnerëve, qoftë në mes kundërshtarësh – e ndjek një logjikë të vetme. Vjen momenti kur procesi i negociatave e krijon dinamikën e vet, duke dalë nga kontrolli i protagonistëve. Ndërsa, sfida e vetme është gjetja e një pike të përbashkët të balancës në mes të palëve.

Këtu dallojnë negociatat për Iranin dhe për Greqinë. Në fakt, përveç dukjes së suksesit në të dyja rastet, rezultatet kanë qenë shumë të ndryshme, për të mos thënë diametralisht të kundërta. Përderisa Greqia, pala e dobët në negociata, pa nevojë, është shkatërruar nga partnerët e saj evropianë, në anën tjetër, Irani, që gjithashtu ka qenë palë e dobët në negociata, është shpërblyer me ligjshmëri të re, nga ana e kundërshtarëve perëndimorë. Anëtarët e familjes, siç duket, trajtohen më keq se të huajt.  

Dikush mund të thotë që marrëveshja me Iranin përfaqëson një ndryshim fundamental të qëndrimit të këtij shteti karshi Perëndimit. Mirëpo, në fakt, sado që Irani mund të duket një partner potencial, ai, për një kohë të gjatë ka qenë një rival i fortë. Regjimi iranian nuk ka vlera perëndimore, e as që do t’i ketë në një të ardhme të afërt. E, në Lindjen e Mesme ekziston një fakt i njohur botërisht që thotë se armiku i armikut tuaj, jo gjithherë është mik, edhe nëse ai armik është Shteti Islamik.

 Irani bëhet i rëndësishëm për Perëndimin

Nëse është e vërtetë që është marrë shumë nga Greqia e shumë pak nga Irani, atëherë duket që kemi të bëjmë me një dallim fundamental në pozicionet e Greqisë dhe Iranit në tavolinat e negociatave, e nuk kemi të bëjmë me mospërputhjen e aftësive të negociatorëve. Irani, çdo ditë e më shumë, po bëhet i nevojshëm për zgjidhjen e problemeve në Lindjen e Mesme, gjë kjo që ia jep këtij shteti një shkallë të cilën Greqia, që për shumëkënd në Evropë është e parëndësishme, nuk e ka.

Kjo e shpjegon faktin pse presidenti amerikan, Barack Obama dhe sekretari i shtetit, John Kerry, kanë qenë shumë të vendosur për arritjen e marrëveshjes me Iranin. Partnerët evropianë të Greqisë, për dallim nga udhëheqësit amerikanë, kanë qenë shumë të përçarë sa i përket asaj nëse Greqisë duhet t’i jepet çlirimi i nevojshëm i borxhit për të mbetur në Eurozonë.

Për të qenë më i saktë, ka pasur përçarje e mosmarrëveshje edhe në mes të pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Gjermanisë. Mirëpo, me Kinën dhe Rusinë në anën e vet, të paktën pjesërisht, Irani do të mund t’i kishte përdorur këto përçarje në të mirë të vetes.

 Greqia e vënë me shpatulla për muri

Greqia nuk e ka pasur një mundësi të tillë. Pa i neglizhuar meritat e presidentit francez, François Hollande dhe kancelares gjermane, Angela Merkel, të cilët kanë qenë vazhdimisht të përfshirë në negociata, kryeministri grek, Alexis Tsipras, nuk e ka pasur mundësinë që ta refuzonte një marrëveshje, që vinte si një mundësi e fundit, sidomos jo kur dihet fakti që ekonomi e Greqisë është krejtësisht e varur në financat zyrtare nga Evropa.

Ndoshta dallimi më i rëndësishëm në mes këtyre dy marrëveshjeve është që fati i Greqisë, ndonëse është i rëndësishëm për ekonominë botërore, më së shumti ka të bëjë me Evropën, ndërsa marrëveshja me Iranin është bërë për parandalimin e pasojave shumë më të mëdha. Që të dy këto marrëveshje janë të pakompletuara dhe të përkohshme, duke shtuar skepticizmin në mesin e kritikëve. Mirëpo, është e qartë që të dy marrëveshjet kanë sjellë rezultatet më të mira, që mund të ishin arritur nga negociatorët. E, siç thotë shprehja koha i shëron plagët, ne kemi arsye për të shpresuar.

(Dominique Moisi është profesor i shkencave politike dhe këshilltar i lartë në Institutin për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Francë)

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta “Kosova Sot”