Takimi i Rambos me mafio-oligarkun Shpend Jahti - Opinione - Kosova Sot
Takimi i Rambos me mafio-oligarkun Shpend Jahti

Takimi i Rambos me mafio-oligarkun Shpend Jahti

SHKRUAN: RESHAT BADALLAJZHURIANI

Vizita te derdimeni i Devollit, Shpend Ahmeti, është me hile

Po ç´dreqin shkove dhe u takove me mafiooligarkun, me pjellën titiste, me matrapazin, rrenacakun,përçarësin që futi pyka dhe copëtoi klubin e tij në 20 e ca pjesë, me bishtdredhurin që shiti tokat në zemër të Prishtinës, qindra hektarë si të ishte malli i babës Ali, dhënie tenderësh, leje ndërtimi, argatit të bandës serbiane, që quhet Devolli

Udhën që po e ndjek Rambo, apo si po i thonë disa kryeministër i vendit, me një kope marramendëse, ministra e zv.ministra më së shumti se çdo shtet i botës, nuk e kam fjalën për shtetet që kanë deri në pesëdhjetë milionë banorë, por po ia kalon Kinës, Indisë, Amerikës, që nuk e mban mend askush, duke vjelë pameritueshëm djersën e popullit. Rambo punën e nisi me yrysh, nejse njëherë e mori një shpuzë dhe pastronte xhamat e ndërtesës së Qeverisë që e kishin përlyer ca banditë, ishte lodhur ca, po sa për të shpërblyer me para nuk ishte. Rambo futi në Qeveri dhëndurë, baxhanakë, baxhanakesha, si i thonë kah Gjakova shumë ilake kinse për ta bërë Kosovën si Zvicra dhe vërtet e "mbajti" fjalën, shkoi në Zvicër, por jo për të marrë yrnek se si punohet atje që nuk ta jep lekun pa të dalë shpirti dhe nuk kishte parë për ilaç edhe shefat që kanë mijëra punëtorë me kollare, ata nuk kanë kohë as për kollare e as për t´i lyer flokët me xhel. Por, Rambo e kishte marrë shoqen e tij Anitën, fëmijët dhe një djalë të konakut të tij, djalin e Dautit, dhe ia kishin mësyrë hotelit më luksoz dhe më të shtrenjtë në botë, që është mërzi të paguajnë edhe Lordët. Nejse, Rambo s´ka problem për atë punë, se është më i pasur se sheikët e Dubait dhe mos të guxojë dikush të thotë jo, paguan darkën jo më pak se 6000 (me shkronja gjashtëmijë e ca), sepse mos po e ngatërron me gjashtëqind frankë zvicerane.

Ia rriti rrogën edhe pashait të madh

Rambo po thonë se është bërë kryeministër, se që moti ka thënë :"Ja do të bëhem, ja do të vdes " dhe askund as kam parë dhe as kam dëgjuar që dikush për veten e tij, pa marre fare, do të thoshte në publik se do të bëhet kryeministër i Kosovës. U bë, po, mos harroni se si u bë. Kush jeton në Kosovë ose edhe në Zelandën e Re, kush e ka ndjekur u bë me pazare tamam, si në çylhan të Prizrenit, bile edhe më zi. Nejse, Rambo e harroi fukarallëkun E KOSOVËS, që kishte prekur mish e asht dhe nuk çau trapin, e rriti rrogën, bile e caktoi edhe sa se nuk i dilnin as për kollare, ua rriti edhe argatëve të tij, e në fund rriti rrogën edhe të pashait të madh, Hashimit të Brojës, kurse ata çlirimtarë, veteranë të luftës, që kishin lënë gjymtyrët kundër bandave çetnike serbiane dhe mercenarëve rusë, pyesnin të shkretët;"A kanë dalë rrogat,kur dalin,kemi nevojë për të ushqyer fëmijët...", nuk çau trapin e legenin. Rriti rrogën e tij sa deshi dhe kush punon në Perëndim le të pyet se sa % mund të rritet rroga në shtetet më të fuqishme të botës, pyesni dhe lajmërohuni. Rambo dhe disa dallkaukë të tjerë të tipit bashibozukë ngritin krye edhe kundër Amerikës. Ehu, burri i botës! Po sa i fortë është. O Rambo, këtu duhet vepruar fiqiri, jo muskuli, ka ikur koha e atyre që ngrenë thasë mielli në mulli dhe që i bartnin deri te shtëpia me magar. Foli ambasadori amerikan, foli Amerika, o Adriatik, më fal, o Rambo. Po ke lënë namin e burrë. Pirolla te qoftë! Dhe, Amerika i tregoi dhëmbët. Lëre torbë që ke paluar e kravata me firmë, për të shëtitur atje përtej oqeanit, dhe u takoheshe me burra shteti për të mirën e Kosovës, po rri nën hije dhe mrizohu te pishat e Deçanit. Ani, më pyet e di që përgjigjet me kryeneçësi :S´ka gajle, unë e bëra timin. Do t´i vë dry burri botës Gjykatës Speciale. Po nuk shtyhet bjeshka me gjoks.

Iu vërsulën Kosovës si llavë ujqish për ta plaçkitur

Përse ngritësh kundër kësaj gjykate? Kush e solli këtë, askush tjetër pos juve që e sollët, që dikush po ju thotë parti politike, ndërkaq, unë i quaj banda politike. Kush nënshkroi dhe i hapi rrugë kësaj gjykate,përse pranuat që kjo gjykatë të mos merret me krimet e kriminelëve botërorë, çetniket që vranë e prenë, dhunuan mijëra femra shqiptare dhe dogjën tokën me çdo gjë të gjallë. Vetëm përse ju digjet bishti. Mos Rambo, mos pashë tokë e qiell. Ktheu në udhën e Zotit. Mos lë nam, o Rambo, e mos qofsh e burrë! Gabim pas gabimi bëre, more burrë! Po ç´dreqin shkove dhe u takove me mafio-oligarkun, me pjellën titiste, me matrapazin, rrenacakun,përçarësin që futi pyka dhe copëtoi klubin e tij në 20 e ca pjesë, me bishtdredhurin që shiti tokat në zemër të Prishtinës, qindra hektarë si të ishte malli i babës Ali, dhënie tenderësh, leje ndërtimi, argatit të bandës serbiane, që quhet Devolli. Deshe të tregosh politikë, që po bëj unë nuk e ka bërë askush. Jo, o Rambo, se nuk mund të shesësh dushkun për gogla. Popullit po i intereson një jetë më e mirë, të zhduket papunësia, të ndërtohen spitalet, shkollat... U takove me mafio-oligarkun Shpend Jahtin duke e ditur se ka dallavere në dëm të Kosovës, me bandën më mafioze me afera e skandale korruptive jo vetëm në Ballkan, po kaloi edhe kufijtë e saj në Gjykatën e Arbitrazhit. Rambo do të shohësh më vonë hilen e kësaj bande dhe të kanaleve të nëntokës kriminale. Pazari ka për të dalë ndryshe. Mbaje mend që po të thotë Zhuriani! Për të mirën tënde. Pra, mos harro se pas këtij takimi me mafio-oligarkun Shpend Jahti është banda serbiane Devolli. Jo. Unë jam gabim. Në fakt, ata të kanë ndërsyer ty për të përforcuar rrjetin e hajnisë që e kanë lëshuar tamam si të merimangës në çdo cep të Kosovës. Hairin ja pafsh, desha të të them se ke për t´ia pa sherrin. Merrni yrnek te kroati i luftës ANTE GOTOVINA (lexo në këtë gazetë nga Reshat Badallaj-Zhuriani), që e lutën pas luftës të marrë ndonjë pozitë. Rambo, e LUTËN, më kupto, jo ai që kërkoi vetë, po të përsëris e lutën. Jo i tha burri botës, Ante Gotovina:"Për të ruajtur karakterin e luftës dhe për të ruajtur fytyrën time nuk dua as poste dhe nuk merrem me politikë...". Kështu e tha për të Madhin Zot, Rambo! Dhe, përse nuk doli asnjë bir nëne në Kosovë të thotë kështu, por iu vërsulën Kosovës si llavë ujqish për ta plaçkitur dhe të vrapojnë si zagarët pas kockave dhe nëpër fushata parazgjedhore të lehin si qentë pas hënës...! Rambo, mos ma merr për të keq, për tokë e për qiell, duke të lutur nxite atë Halil Topuzin t´i kundërvihet këtij opinioni se ai tellall i yti të ka futur në terr dhe nuk do të shohësh dritë. Ky kasneci yt, Halil Topuzi m'i thotë ca fjalë nëpër 'Facebook', që unë nuk humbi kohë t´i gjuaj sa qeni leh...!
Për këto që flas e shkruaj mbaj përgjegjësi morale, penale e juridike.

(Kosova Sot) 

9 orë e 44 minuta më parë
21/02/18