Evropa midis presidentëve Trump dhe X - Opinione - Kosova Sot
Evropa midis presidentėve Trump dhe X

Evropa midis presidentėve Trump dhe X

KONTINENTI I VJETËR RREZIKON QË TË BËHET VIKTIMË E PËRPJEKJEVE TË KINËS

Shkruan: ZAKI LAIDI

Konferenca e fundit e Organizatës botërore të tregtisë, që u mbajt në dhjetor në Buenos Aires të Argjentinës, ishte një fiasko. Përkundër një agjende të limituar, pjesë- marrësit nuk arritën që të dilnin me një deklaratë të përbashkët. Por, jo të gjithë u zhgënjyen nga një gjë e tillë: Kina mbajti një heshtje diplomatike, derisa SHBA-ja dukej se iu gëzua dështimit të takimit. Ky është një lajm i keq për Evropën, e cila faktikisht ishte e vetme në shprehjen e pakë- naqësisë së saj. Shpesh theksohet se, përballë proteksionizmit të verbër të presidentit Donald Trump, BE-ja ka shansin që ta marrë një rol më të madh udhëheqës ndërkombëtar, duke forcuar pozitën e saj në tregtinë globale. Marrëveshja e lirë tregtare e nënshkruar së fundmi me Japoninë, do t'ia japë BE-së një avantazh të qartë ndaj SHBA-së në bujqësi, si dhe forcimi i lidhjeve tregtare me Meksikën mund ta ketë një efekt të ngjashëm, derisa SHBA-ja rinegocion Marrëveshjen e tregtisë së lirë të Amerikës Veriore (NAFTA). Disa sugjerojnë se, për ta përforcuar edhe më shumë pozitën e vet, Evropa duhet të bashkohet me Kinën, e cila përkundër përmbajtjes së saj në Konferencën e OBT-së, më pas ka tentuar që ta paraqesë veten si kampione të multilateralizmit. Një partneritet kinez-evropian mund të jetë forcë e fuqishme që do ta kompensonte ndikimin negativ amerikan në tregtinë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Por, një partneritet i tillë është larg të qenit i sigurt. Është e vërtetë se Evropa dhe Kina pajtohen në pikëpamjen e përgjithshme rreth globalizimit dhe multilateralizmit. Por, derisa Evropa mbështetë një lloj të 'multilateralizmit mbrojtës', i cili kërkon t'i forcojë rregullat ekzistuese të institucioneve dhe të përforcojë mekanizmat, Kina reziston ndaj ndryshimeve të standardeve ekzistuese, sidomos nëse ato e forcojnë zbatimin e rregullave të cilat mund t'i kufizojnë aftësitë e saj që të përfitojë sa më shumë.

Liderët nën presionin e qytetarëve

Dëshira e Evropës që ta detyrojë Kinën që t'i pranojë rregullat e përbashkëta, i rreshton interesat e saj më afër me ato të SHBA-së, me të cilën ajo ndan një pjesë të madhe të shqetësimeve. Sipas një studimi, të bërë tash vonë, barrierat ndaj qasjes në treg, të ngritura nga Kina, kanë dëmtuar shumë rritjen e eksporteve të BE-së. Por, SHBA-ja dhe BE-ja nuk e kanë vizionin e njëjtë sesi t'i adresojnë këto shqetësime. Me qëllim të limitimit të keqpërdorimit të rregullave të OBT-së nga ana e Kinës, liderët e Evropës duan që të negociojnë rregulla të reja, më të qarta, qoftë nëpërmes kornizës së marrëveshjeve rreth investimeve bilaterale apo me anë të marrëveshjeve shumëpalëshe rreth prokurimit publik. Trump nuk dëshiron reformimin e sistemit, por fundosjen e tij. Në fakt, derisa Trump kërkon që të përdorë marrëveshjet bilaterale për të siguruar zvogëlimin e deficitit tregtar të Amerikës, nuk mund të përjashtohet as mundësia që SHBA-ja të dalë tërësisht nga OBT-ja, gjë që është një skenar shumë i keq për BE-në. Paraardhësi i Trumpit, Barack Obama, e kishte zgjidhjen e tij. Kornizat e reja multilaterale do ta zvogëlonin hapësirën për manovrime nga ana e Kinës. SHBA-ja dhe BE-ja do të ishin në gjendje që të definonin standardet e ekonomisë së re globale, duke e detyruar Kinën që, ose t'i pranonte këto standarde, ose të mbetej prapa. Por, ky projekt tani është rrezikuar keq. Nën presionin e qytetarëve, liderët evropianë kanë filluar që të shprehin shqetësim rreth asaj, p.sh. i mungonte marrëveshjes TTIP në lidhje me rregullat dhe transparencën ambientale dhe sanitare. Duke pasur parasysh interesat e përbashkëta të tyre në konvergjencën rregullatore, sidomos për ta përforcuar pozitën e tyre vis-à-vis Kinës, SHBAja dhe BE-ja, në fund, do të detyrohen që të bashkëpunojnë. Por, përderisa Trump gjendet në pushtet, duke u angazhuar për një reciprocitet bilateral rreth multilateralizmit, një përpjekje e tillë do të jetë e pamundur. Në vend të kësaj, Amerika e Trumpit me gjasë do të vazhdojë që të përfitojë nga ndikimi i saj i madh tregtar, për të siguruar përfitime strategjike, apo politike. Në këtë front, Evropa gjendet në një disavantazh të qartë. Në fund të fundit, BE-ja nuk është shtet dhe ajo nuk flet me një zë rreth çështjeve ndërkombëtare. Nuk përjashtohet mundësia që kinezët, të cilët e flasin qartë gjuhën e real politikës, do të preferojnë më shumë që të plotësojnë kërkesat amerikane ad hoc, sesa kushtet multilaterale të evropianëve.

Vendet evropiane nuk gabojnë kur i mirëpresin investimet kineze

 Në këtë kontekst, prioriteti kryesor i BE-së duhet të jetë unifikimi i pozicioneve të shteteve të saj anëtare, me qëllimin e tejkalimit të barrierave të ngritura nga SHBA-ja dhe të krijimit të sistemeve të përbashkëta për përmbajtjen e Kinës. Por, kjo është më lehtë të thuhet sesa që të bëhet. Sikur që qëndrojnë punët, shumë vende të BE-së rezistojnë ndaj futjes së kufizimeve tregtare, pa marrë parasysh a ka kjo të bëjë me një përkushtim të tepruar ndaj idealeve liberale ekonomike, apo me frikën e rrezikimit të interesave të tyre në Kinë, p.sh. duke themeluar një mekanizëm të BE-së për të menaxhuar investimet e huaja. Këto qeveri nuk kanë asnjë interes ndaj multilateralizmit meqë kanë përqafuar një pikëpamje të ngushtë të interesave të tyre. Ato shpesh duken të fascinuara nga logjika e realpolitikës, të manifestuar nga Trump, presidenti kinez Xi Jinping dhe presidenti rus, Vladimir Putin. Për më tepër, fakti që këto vende shikojnë vetëm interesat e tyre tregtare, mund të shkojë në dëm të rregullave të BE-së për prokurim. Dhe, ato nuk janë të vetmet brenda BE-së. Greqia, për shembull, ka pranuar një sasi të madhe të investimeve kineze. Për këtë shkak, BE-ja refuzoi që të përmendej direkt emri i Kinës në një rezolutë rreth konfliktit në Detin jugor kinez. Dorën në zemër, vendet evropiane nuk gabojnë kur mirëpresin investimet kineze. Por, Kina duhet ta ketë një sjellje reciproke, duke i pritur më mirë investitorët evropianë në Kinë. Për këtë shkak, BE-ja dhe Kina duhet të punojnë në kompletimin e marrëveshjes rreth investimeve bilaterale, të cilën kanë vite që e negociojnë, me një progres të limituar. Një marrëveshje e tillë duhet të mbështetet te rregullat reciproke, duke përfshirë edhe rrënimin e barrierave në tregun kinez. Presidenti francez, Emmanuel Macron, është duke u përpjekur që ta çojë përpara multilateralizmin mbrojtës. Por, nëse tërë BE-ja nuk e përqafon këtë kauzë, atëherë Evropa rrezikon që të bëhet viktimë e përpjekjeve të Kinës për ta përshtatur sistemin multilateral sipas dëshirës së saj, apo edhe më keq, të bëhet viktimë e përpjekjeve të presidentit Trump që ta shpërbëjë në tërësi këtë sistem.

(Zaki Laidi është profesor i Marrëdhënieve ndërkombëtare në "L'Institut d'études politiques de Paris -"Sciences Po")

(Kosova Sot)

10 orë e 23 minuta më parë
18/02/18