Problemet në aleancën Rusi - Iran, rast që duhet shfrytëzuar nga Trumpi - Opinione - Kosova Sot
Problemet në aleancën Rusi - Iran, rast që duhet shfrytëzuar nga Trumpi

Problemet në aleancën Rusi - Iran, rast që duhet shfrytëzuar nga Trumpi

Shkruan: Josh Cohen

NJË ALEANCË STRATEGJIKE

Problemi i Putinit është se Irani shiit dhe Arabia Saudite sunite janë të përfshira në një garë për ndikim në Lindjen e Mesme

Administrata Trump duhet të tentojë që të shfrytëzojë dallimet e ndryshme midis Rusisë dhe Iranit, për ta rrezikuar partneritetin e këtyre dy vendeve midis tyre. Kjo kërkon që Uashingtoni të mbetet aktiv në Lindjen e Mesme dhe ta largojë perceptimin se është duke e braktisur këtë regjion
I rani dhe Rusia nuk e kanë fshehur dëshirën e tyre që ta anashkalojnë SHBA-në në Lindjen e Mesme. "Bashkëpunimi ynë mund ta izolojë Amerikën", i tha Lideri Suprem Ayatollah Ali Khamenei, Vladimir Putinit gjatë vizitës së këtij të fundit në Teheran. Putini, nga ana e tij, i ka paraqitur marrëdhëniet Moskë-Teheran si 'shumë produktive'. Nuk ka dyshim se aleanca e tyre e ka shpaguar veten në Siri, ku bashkëpunimi ushtarak midis Moskës dhe Teheranit e ndryshoi fatin e luftës në favor të aleatit të tyre të përbashkët, Bashar al-Assad, duke e detyruar SHBA-në që të heqë dorë nga qëllimi i saj, i rrëzimit të Assadit nga pushteti. Sido që të jetë, derisa Uashingtoni duhet të jetë i kujdesshëm nga raportet midis Rusisë dhe Iranit, kjo është më pak një aleancë strategjike, sesa një martesë me interes, e cila tanimë ka filluar t'i shfaqë çarjet e para. Në Siri, mposhtja e ISIS-it duket se ka vënë në pah rëndësinë e dallimeve në qëllime dhe taktika midis Putinit dhe Khameinit. Qëllimet përfundimtare të Moskës përfshijnë parandalimin e ndryshimit të regjimit, promovimin e ndikimit rus në Lindjen e Mesme, si dhe mbajtjen e bazave ushtarake ruse në Siri. 

Gatishmëria e Rusisë

Duke i arritur këto qëllime, shpreson Putin, do të mund të arrijë përfitime diplomatike në Perëndim dhe do ta inkurajojë SHBA-në që ta njohë Rusinë si të barabartë. Megjithatë, derisa Moska e konsideron Assadin të jetë lider legjitim, interesi kryesor i Putinit qëndron te ruajtja dhe forcimi i institucioneve shtetërore siriane, sesa të personalitetit të Assadit; rusët bile iu kanë sugjeruar homologëve të tyre në Perëndim, se Moska do ta pranonte largimin e Assadit, përderisa një gjë e tillë të ndodhte si pjesë e një procesi të gjithmbarshëm paqësor. Në anën tjetër, iranianët e konsiderojnë largimin e Assad'it si 'vijë të kuqe' dhe besojnë se mbajtja e liderit sirian në pushtet, mbetet faktor kyç për dy objektivat kryesore të tyre. Qëllimi i parë është mbajtja e aftësisë për ta furnizuar filialin e kamotshëm shiit Hezbollah me armatim, derisa ndërtohet një korridor të lirë shiit nga Irani deri në Mesdhe - një zhvillim për të cilin Irani ka frikë se një qeveri e re nuk do ta lejonte. Së dyti, Irani beson se prania e tij në Siri është kritike për aftësinë e Sirisë për të bërë presion ndaj Izraelit. Irani dëshiron ta ruajë aftësinë për ta sulmuar shtetin çifut si nga Libani, po ashtu edhe nga Siria, nga ku del edhe përkushtimi i Iranit për të mbajtur policinë joshtetërore shiite në Siri. Trupat e Gardës iraniane revolucionare (IRGC) duan t'i shndërrojnë këto grupe në një forcë të institucionalizuar politike dhe ushtarake, të ngjashme me Hezbollahun në Liban. Derisa janë duke u aktualizuar negociatat diplomatike rreth të së ardhmes së Sirisë, dallimet midis qëllimeve ruse dhe iraniane rrezikojnë që të intensifikohen. Irani, në veçanti, beson se gatishmëria e Rusisë që të punojë me vendet, si Turqia, mund t'i rrezikojë interesat e Iranit në Siri. Liderët e Iranit po ashtu janë të shqetësuar rreth raportit të Putinit me presidentin Donald Trump; njoftimet nga mediat iraniane bëjnë me dije se Teherani ishte i zemëruar rreth vendimit të Putinit për ta njoftuar presidentin amerikan rreth qëllimeve të Moskës, para mbajtjes së samitit në Soçi, në nëntorin e kaluar, midis Putinit, presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan dhe presidentit iranian, Hassan Rouhani. Gatishmëria e Rusisë për të punuar me partnerë të shumtë në Siri, është shembull i një qasjeje më të gjerë të Rusisë në Lindjen e Mesme, gjë që një analist i dalluar rus e përshkruan si "dogmë të fleksibilitetit" - diçka në pajtim me qasjen transaksionale të Putinit ndaj politikës së jashtme. Një shembull i kësaj është edhe dëshira e Moskës që të mbajë raporte të mira me Arabinë Saudite sunite. Putini beson se bashkëpunimi i Rusisë me Arabinë Saudite nevojitet për ta kufizuar prodhimin e naftës dhe për ngritjen e çmimeve të saj, gjë që atij i nevojitet për arritjen e qëllimit të dyfishtë, të forcimit të ushtrisë së Rusisë, derisa e forcon edhe shtetin rus për nga brenda. Problemi i Putinit është se Irani shiit dhe Arabia Saudite sunite janë të përfshira në një garë për ndikim në Lindjen e Mesme. 

Putin ka një raport të mirë personal me Netanyahun

Nën lidershipin e Putinit, Rusia po ashtu ka zhvilluar raportet më të mira ndonjëherë me Izraelin. Putini e ka vizituar Izraelin dy herë dhe e ka pritur kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu disa herë për të diskutuar interesat e Izraelit në Siri. Thuhet se Putin ka një raport të mirë personal me Netanyahun, prandaj ka kërkuar si nga Assad po ashtu edhe nga Hezbollahu që të mos ndërmarrin sulme hakmarrëse kundër sulmeve izraelite në Siri. Bile Putin dëshiron arritjen e një marrëveshjeje e cila do t'i pengonte fuqitë e huaja që ta përdornin Sirinë si bazë për sulm ndaj ndonjë shteti fqinj, gjë që bie ndesh direkt me qëllimet e Iranit për ta përdorë Sirinë si bazë për të ushtruar presion ndaj kufirit verior të Izraelit. Megjithatë, duke pasur parasysh armiqësitë e thella midis Izraelit dhe Iranit, është e qartë se marrëdhëniet e mira të Moskës me shtetin çifut mund t'i përkeqësojnë tensionet në marrëdhëniet midis Rusisë dhe Iranit. Ajo që i përkeqëson tensionet aktuale midis Rusisë dhe Iranit, është një mosbesim historik i gjatë midis dy vendeve. Konfliktet ruso-persiane në shekullin XVIII dhe XIX rezultoi me marrjen e Kaukazit nga ana e Rusisë, humbje e cila ende vazhdon që ta rëndojë psikikën iraniane. Pas Revolucionit islamik të Iranit, në vitin 1979, marrëdhëniet midis dy shteteve u tensionuan, kryesisht për shkak se, në konfliktin midis Iranit dhe Irakut, Rusia kishte favorizuar Irakun. Dhe, përkundër asaj se është e vërtetë që marrëdhëniet midis Rusisë dhe Iranit janë përmirësuar dukshëm pas rënies së BRSS-së, Teherani ende nuk ka harruar se Moska kishte mbështetur sanksionet kundër Iranit, në lidhje me programin e tij bërthamor dhe kishte suspenduar disa marrëveshje me Iranin, me qëllim të përmirësimit të raporteve të Rusisë me SHBA-në. Administrata Trump duhet të tentojë që të shfrytëzojë dallimet e ndryshme midis Rusisë dhe Iranit, për ta rrezikuar partneritetin e këtyre dy vendeve midis tyre. Së pari, kjo kërkon që Uashingtoni të mbetet aktiv në Lindjen e Mesme dhe ta largojë perceptimin se është duke e braktisur këtë regjion. SHBA-ja po ashtu duhet të mundohet që t'i përmirësojë raportet me Rusinë, duke luajtur edhe në kartën e mungesës së besimit të Iranit ndaj Rusisë dhe të frikës së Teheranit se Moska, në fund, mund ta 'shesë' Iranin për hir të përmirësimit të raporteve të Rusisë me Perëndimin. Thjesht, duke ia bërë me dije Putinit se SHBA-ja është e gatshme që ta trajtojë Rusinë si të barabartë, mund të arrihet përmirësim në këtë drejtim. Trump po ashtu duhet t'ia rikujtojë Putinit rreth çarjeve të deritashme në raportet midis Iranit dhe Rusisë, duke e pyetur se a është me të vërtetë në interes të Rusisë për të mbështetur objektivat sektare iraniane në Siri. Kjo nuk do të jetë e lehtë, por nëse politikëbërësit në Uashington luajnë mirë me kartat e tyre, ata mund ta rrezikojnë aleancën strategjike të cilën kaq qartazi e duan Teherani dhe Moska. 

(Josh Cohen ka qenë oficer i projekteve për USAID-in, i angazhuar në projektet e reformave në ish-BRSS) 

(Kosova Sot) 

12 orë e 1 minuta më parë
27/05/18