Prishjani Prishtinës snobizmin anadollak

Prishjani Prishtinës snobizmin anadollak
  • 28 August 2015 - 11:21

Shkruan:  Bledi Mane-Public Enemy

Shumë prej kosovarëve po pushojnë të qetë nën diellin dhe detrat e Mesdheut. Pasi mbaruan 30 ditët e Ramazanit, pasi lanë përgjysëm punët e papunësisë vërdhuan sa në Ulqin e sa në Durrës, sa në Bodrum e sa në Ksamil të nxihen e të marrin jodin e munguar. Lanë pas tollovitë e intrigave të një politike sharlatane në republikën e tyre të re dhe për pak relaks që u mungonte prej kohësh nxituan drejt brigjeve.

Kosova në mendjen time vizatohet sa dembele aq edhe me fat. Sa e përkëdhelur aq edhe e persekutuar e të gjitha këto e kanë kthyer në fëmijën më nopran të kontinetit aqsa na bën “xheloz” edhe ne shqipfolësit e tjerë ndanë kufirit. Pavarësisht se ende nuk e ka arritur moshën e adoleshencës së pavarësisë së saj, Kosova sillet si një gjimnaziste plot kapriço e cila debaton me mësuesit, braktis orët e mësimit, flirton e ngacmon gjithë dynjanë por kurrësesi nuk e përjashton askush nga shkolla.

Kosova po merr një nam e famë të paparë si eksportuese e boronicës, e luftëtarëve xhihadistë që dynden drejt Isis-it dhe kompeson defiçitet e saj monetare me import droge dhe kurvash. Komuniteti ndërkombëtar ka një qasje të çuditshme me këtë vend sa duket sikur e puth dhe e lëpin në drekë plot epsh ndërsa në darkë e rreh dhe i le shenja nëpër trup. Kosova duket se ia ka pirë lëngun Perëndimit dhe kjo u pa qartë edhe me tollovitjen dhe talljen që klasa politike kosovare i bënte ngritjes së Gjykatë Speciale për krimet e luftës.

Në këtë dynja ku merren dhe jepen interesa madhore mizore, liderët kosovarë kujtuan se mëvetësimi dhe fitorja e sforcuar e lirisë me ndihmën e ndërkombëtarëve, do të mbyllte kapitullin e luftës së tyre për çlirim. Liderët plangprishës kujtuan se bota vetëm do u jepte e do u jepte pa mbarim duke mos llogaritur të kompesueshmen dhe gjeopolitikën delikate të gadishullit.

Të lebetitur se epopeja e luftës moderne kosovare do të zhbëhet prej Gjykatës Speciale, liderët e vjetër të rinj kosovarë aktrojnë dhe vënë alarmin se është duke u bërë nami. Të friksuar se mos ndoshta emrat e disa prej tyre do të jenë në listën e zezë të krimeve, këta liderë prishtinallinj kopje të shëmtuara të liderëve tironc’  harrojnë çfarë ndihme përulëse dhe historike iu dha Kosovës.

Merrni dy pamje krejt të njëjat por të largëta në kohë:

Prill 1999/Eksodi masiv i kosovarëve që lenë tokën e tyre dhe dynden ku të munden të gjejnë shpëtim. Gjithë planeti vihet në lëvizje dhe falë bujarisë amerikano-britanike vetëm pas tre muajsh Kosova çlirohet përjetësisht. Liria u buzëqeshi një kombi të tërë pas 500 vjetësh…
Gusht 2015/Eksodi masiv i refugjatëve sirianë që kalojnë shtete të tëra dhe hallakaten rrugëve të botës qysh nga viti 2011. Planeti nuk e rruan. Askush nuk do t’ia dijë. NATO dremit, Amerika merret me instagramin, Evropa luan kalçeto me Greqinë dhe drama vazhdon…

E vënë re ndryshimin kosovarët, e ndjejnë dashurinë dhe respektin e ndërkombëtarëve, ndjehen me fat dhe të vlerësuar?
Ky Perëndim që harxhoi e harxhon për këtë Kosova pa interesin më të vogël vetëm e vetëm ti bëjë ballë pansllavizmit cinik a duhet dëgjuar e respektuar?

Pse duhet sakrifikuar aq shumë sa edhe sikur Hashimi apo Ramushi të burgosen në emër të çlirimit të të vërtetave historike?
Pse duhet tu tregohemi kokëfortë partnerëve të së ardhmes e të djegim gjithë jorganin vetëm për dy pleshta?

Lufta filloi me Hashimin dhe Ramushin, lufta mbaroi me Hashimin dhe Ramushin, Kosova u çlirua me Hashimin dhe Ramushin, Kosova u pavarësua me Hashimin dhe Ramushin nëpër këmbë dhe ende edhe sot pas 16 vjetësh kjo Kosovë ka nëpër këmbë Hashimin dhe Ramushin. Paskan vdekur gratë dhe burrat e tjerë kosovarë për të bërë rotacionin klasik të politikës apo ende ky dualitet kopjacësh do të na ngjitet si muti pas këpucës edhe në Prishtinë edhe në Tiranë?