Reflekto, o Isë!

Reflekto, o Isë!
  • 04 September 2015 - 10:15

Shkruan: Albrim Badallaj

Mbi pjekurinë politike, mungesën e përgjegjësisë dhe izolimin

Lojaliteti dhe demagogjia e kryeministrit Isa Mustafa ka arritur vlerat ekstreme

Në të gjitha marrëveshjet e deritanishme, gjatë bisedimeve, kryeministri ynë është treguar tolerant, duke bërë lëshime e kompromise, jo rrallëherë të pafavorshme për popullatën tonë, e që realisht ai nuk është duke i përfaqësuar. Që nga mënyra e trajtimit të ngërçit politik, ardhja në krye të ekzekutivit, mazhoranca e përçarë, Trepça, ikjet masive, Jabllanoviqi e deri tek bisedimet aktuale për krijimin e Asociacionit të Komunave serbe, nën koordinimin e Bashkësisë Evropiane, Mustafa nuk ka treguar tipare të udhëheqjes së drejtë, duke mos qenë burrështetas real i vendit

Pjekuria politike e liderëve botërorë vërehet nëpër takime me presione të larta e shumëpalëshe. Të tillë kanë qenë presidenti i Francës, Zhak Shirak, e kancelari gjerman Gerhard Shrwder, në bisedimet jetike për zgjerimin e BE-së, në samitin e Nyonit. Interesat ndër-shtetërore siç njihen në zhargonin diplomatik, e që në realitet janë interesa kombëtare të trashëguar nga Evropa e Mesjetës dhe e luftërave, peshojnë shumë më rëndë karshi atyre multilaterale.

Mirëpo në sfondin më të ngushtë, në vendin tonë, herezia më e madhe qëndron në atë se lojaliteti dhe demagogjia e kryeministrit Isa Mustafa ka arritur vlerat ekstreme. Dualist dhe Donkishot, nuk shkojnë të dyja. Në të gjitha marrëveshjet e deritanishme, gjatë bisedimeve, kryeministri ynë është treguar tolerant duke bërë lëshime e kompromise, jo rrallëherë të pafavorshme për popullatën tonë, e që realisht ai nuk është duke i përfaqësuar. Që nga mënyra e trajtimit të ngërçit politik, ardhja në krye të ekzekutivit, mazhoranca e përçarë, Trepça, ikjet masive, Jabllanoviqi e deri tek bisedimet aktuale për krijimin e Asociacionit të Komunave serbe, nën koordinimin e Bashkësisë Evropiane, Mustafa nuk ka treguar tipare të udhëheqjes së drejtë, duke mos qenë burrështetas real i vendit.

Reflekto, o Isë!

Në një takim ku palët arrijnë kompromis për më shpejt se 12 orë, le shumë për të dëshiruar. Direktivat nga lart e arritën qëllimin e tyre, sepse liderët ballkanas janë tejet dorëlirë dhe kokulur kur vjen para tyre superfuqia diplomatike siç është BE-ja. Banaliteti më i madh qëndron në atë se shqiptarët realisht paskan luftuar për më shumë të drejta të minoriteteve. Këtë po e dëshmon koha. Jemi dëshmitar të asaj se si ne populli që para një dekadë e gjysmë, ishim potencialisht të rrezikuar për gjenocid etnik dhe shfarosje, pas luftës kartën e viktimës e spostuam tek minoriteti ardhacak serb. Ku mbetën këngët që nuk lirohet asnjë pëllëmbë toke, apo u gëlltitën nga vetë toka. Trajtimi i kësaj çështjeje, që tani po aktualizohet me rastin e AKS-së, duhet të ketë një vlerësim më të drejtë, duke ia kujtuar edhe bashkësisë ndërkombëtare se vetë Pako e Ahtisarit dhe Kushtetuta e vendit, e punuar në koordinim me miqtë tanë ndërkombëtarë na garanton sovranitet dhe integritet të plotë territorial. Çdo tolerim më tutje do të thotë më shumë humbje. Në këtë rrafsh duhet të përdoret një politikë e egër e tipit gjerman dhe një demokraci më e mirëfilltë e jo vetëm sipërfaqësore.

 Në vendet e BE-së, ku synojmë të inkuadrohemi edhe ne në një të ardhme të afërt, trajtimi i çdo çështjeje që kërkohet të ndryshohet nga Parlamenti apo Qeveria, bëhet me anë të referendumit. Referendumi është treguesi më i mirë i një demokracie të drejtë e liberale, që buron direkt nga populli. E njëjta do duhej të aplikohej si me rastin e Asociacionit të Komunave serbe, po ashtu edhe tek rasti i Demarkacionit me Malin e Zi. Në qoftë se kryeministri ia ka mësyrë që një çështje të tillë si demarkacioni ta bëjë, ashtu siç di vetë ai, pa konsulta ligjore dhe duke i kritikuar pa rreshtuar mediet dhe “opozitarët” e tij, duhet ta ketë parasysh që do e shkel Kushtetutën e vendit, si akti më i lartë ligjor.

Reflekto, o Isë!

Reflekto o kryeministër, duke i lënë anash bizneset e djalit tuaj, e mos i pengo prokurorët në punën e tyre, se tanimë je kryeministër. Nuk je profesor i rregullt në fakultet, ku mungesa juaj arsyetohet, se të zëvendësojnë asistentët, e as që vërehesh. Shumë lindin meshkuj, por pak vdesin burra. Qytetarët e mashtruar, ani pse ishit i dyti në zgjedhje të pranuan ngrohtësisht në krye të ekzekutivit, por cinizmi juaj nuk le shpresë tek ta për ndryshime. Ndrysho dukjen, veshjen, Q7, çfarëdo të mundesh, vetëm e vetëm bëhu i pëlqyer tek populli dhe reflekto karshi interesave të tyre. Numri i ditëve për ju është duke shkuar së prapthi, në regres e duke ju hyrë në thes, siç njihet në zhargonin popullor. Reflekto, para se kjo shoqëri e mbushur energji negative të reflektojë ashtu siç dinë vetë ata, me ajkën e lëvizjeve surrealiste, përdorimin e gjithë mekanizmave demokratik. Trimëri është të reflektosh edhe kundrejt temave që ju i shihni ende si tabu, e ku akuzoheni goxha shumë. Prona private konsiderohet e shenjtë, andaj cenimi i saj është anarki, e kësisoj edhe shtetit tonë i duhet një “kadastër” i mirëfilltë. Me nënshkrimin për krijimin e Asociacionit ju i dhatë dritën e gjelbër krijimit të enklavave kriminale serbe. Ajo pjesë do jetë vatër e lulëzimit të të gjitha këqijave. Pranoje sa më parë se ke dështuar në negociata dhe kërko shkëmbimin e territoreve si masë reciprociteti, duke ua marrë Luginën. Reflekto në një reciprocitet të duhur dhe real. Jeni kthyer në një udhëheqës as minibashkiak bile, sepse popullariteti juaj le shumë për të dëshiruar. I papërgjegjshëm ishit edhe ahere kur nuk mundët të fitonit me duar ne xhepa, i tillë mbete edhe kur tentove të bëheshe puçist, e vazhdove avazin duke e mbrojtur thuajse deri në fund ministrin çetnik Jablanoviq, e si për rastësi shpëtuat kokën tuaj në zgjedhjet e brendshme partiake, që më shumë ngjasonin me Kongreset e Partisë Punës. Përveç asaj që më së miri dini ta bëni kohëve të fundit, duke i dhënë traktorit, kthehu në vete e jep kontribut për atë qe tani e mban titullin akademik. Çdo litër naftë qytetarëve të Kosovës iu kushton +50 centë më shumë, falë tarifave shtetërore dhe si kërkoni të merren me bujqësi për ta zhvilluar vendin. Ushqime të importuara pa asnjë kontroll fare, shëndetësi “agrare” dhe katrahurë sociale. Është realitet se nuk jeni burrështetas sepse shumica e popullatës nuk pajtohen me politikën tuaj, e siç thuhet se politikani është ai person me politikën e të cilit nuk jeni dakord, nëse jeni dakord me të ai është burrështetas. Pra, ju nuk jeni i tillë!

Reflekto, o Isë!

 

Gjykata Speciale, Asociacioni, MSA, Demarkacioni, e shumë çështje të tjera për të vetmen arsye – lëvizjen e lirë të shtresës së pasur të shoqërisë. Biznesmenët mund të udhëtojnë ku të duan nëpër vendet e Shengenit, e sa për shoqërinë e mesme e të varfër kjo çështje është tejet sfiduese. Kriteret për liberalizim të vizave do duhej të ishin ulja e papunësisë, rritja e standardit jetësor, ulja e korrupsionit e siguria juridike. Qytetarët tanë nuk mund të paguajnë biletën e avionit, duke e ditur se do të kenë të drejtë të udhëtojnë vetëm si turist, e le më të shkojnë e të pushojnë. Bastuni i liderit kërkon zotnillëk e kreativitet, e jo dëgjueshmëri të tepruar karshi tjerëve e përulje.

Kafazi, sado i gjerë të jetë, prapë kafaz mbetet. Populli ynë nuk është i izoluar vetëm nga Evropa, sepse liria me varfëri i robëroi për të dytën herë. Gjërat nuk ndryshohen me shkop magjik, por ideali për ndryshime nuk humb asnjëherë, sado që situata të jetë në amulli. Kosova kishte ngritur në këmbë opinionin botëror, por ky imazh u thye e u përbaltos, saqë lodhja juaj pa bërë asnjë progres nuk solli kurrfarë ndryshime në rrafshin e inkuadrimeve euro-atlantike. Bashkësia ndërkombëtare ta jep udhërrëfyesin, mirëpo realisht udhën e përcaktojnë udhëheqësit, sepse populli ka mbetur i ngratë e pa ndikim, ku muaj e vitet për ndryshime janë shndërruar në javë, gjegjësisht ditë, e që s’duan për t’ u ndalur. Kryeministër, guxo dhe ndrysho, se lideri është ai i cili edhe kur të gjithë këshilltarët i thonë të mos e ndërmerr një hap, ai i beson mendimit dhe supozimeve të veta. Një gjë e mirë e liderit është, se ai e sheh vetën në pasqyrë ashtu siç do dëshironte të ishte realisht. Gjithë ata këshilltarë e ministra që i ke emëruar, me grada goxha akademike, nuk po tregohen produktiv fare. Evropa na është bërë një kafshatë e madhe për ne, si molla e Adamit që të jetë në mes të fytit. As nuk po kapërdihet, po as nuk po mundemi ta “vjellim”. Proceset drejt saj janë të dhimbshme dhe sakrifikimi i pasurive të vendit janë te patolerueshme, të ulëta dhe përbëjnë një humbje tejet të madhe për popullin tonë dhe rininë, si e ardhmja e pasuria me e madhe e këtij vendi.

(Autori është sekretar i përgjithshëm i Organizatës për Veprim dhe Progres)