Qeveritë që përfaqësojnë veten e jo popullin!

Qeveritë që përfaqësojnë veten e jo popullin!
  • 05 September 2015 - 09:48

Shkruan: Argjend Hasani-Llashtica

Korrupsioni është shndërruar në formë jetese në Kosovë

Qeveritë e shumta të pasluftës jo vetëm se nuk përparuan dhe nuk kanë sjellë zhvillime pozitive në vend, por ato bllokuan dhe monopolizuan të gjitha sferat e jetës në Kosovë, duke e shndërruar Kosovën në oazë të korrupsionit dhe pasurimit personal

Qeveritë e Kosovës të pasluftës, të cilat ishin dhe janë produkt i koalicioneve nga zgjedhjet e lira ligjërisht dhe kushtetushmërisht  janë të thirrura dhe të obliguara që të hartojnë, miratojnë dhe implementojnë politika zhvillimore shtetërore, me qëllim të përmirësimit kualitativ të jetës së qytetarëve të Kosovës, ato në fakt jo vetëm se nuk arritën objektivat e shtetndërtimit për një Kosovë demokratike, stabile dhe me perspektivë ekonomike, ato edhe më shumë e varfëruan Kosovën në çdo segment. Fillimisht shkatërruan ekonominë e Kosovës përmes procesit të privatizimit, keqmenaxhimit të mjeteve financiare, punësimin dhe avancimin e anëtarëve dhe simpatizantëve të partive të tyre politike në sektorin publik si dhe në krye të ndërmarrjeve publike, bënë diskriminimin e kuadrove profesionale të shkolluara në universitetet më të njohura të botës. 

Politikanët inferiorë ndaj aferave të shumta korruptive

Për ironi shumë politikanë të cilët tanimë kanë  dështuar në “biznesin politik” shpëtimin e tyre po e gjejnë përmes rrugëve të dyshimta që të shkollohen dhe të “doktorojnë” në shkencat e ndryshme dhe  vetëpunësohen nëpër universitete të ndryshme publike e private përmes kushtëzimeve dhe presioneve nga më të turpshmet. Këto pushtete lejuan dhe po lejojnë edhe më tutje që “fabrikat” për edukimin e gjeneratave të reja të vazhdojnë të prodhojnë diploma të pavlera (jo të gjitha) si kërpudhat pas shiut. Vetë qeveritarët në emër të shtetndërtimit  jo se ndërtuan por e shkatërruan shëndetësinë e vendit për përfitime të biznesit shëndetësor privat.

Çuditërisht politikanët kosovarë shpeshherë sa herë që bëhet fjalë për afera të ndryshme korruptive ose trajtim të problematikave të ndryshme si varfëria, papunësia dhe emigrimi, ato qëndrojnë inferior dhe qeveria përmes shfrytëzimit të fuqisë politike përmes ushtrimit dhe përdorimit të mekanizmit medial shpërqendrojnë  vëmendjen e opinionit me tema inferiore të parëndësishme për realitetin kosovar si p.sh. liberalizim i vizave, normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë etj. Qeveria e Kosovës si dhe institucionet tjera relevante shtetërore themeluan dhe po themelojnë pandërprerë agjenci joefektive kundër korrupsionit, krijohet përshtypja se këto jo vetëm se nuk e luftojnë por janë vetëm një justifikim për arsyetimin e mosefikasitetin e institucioneve vendore për luftimin e një fenomeni të tillë i cili tanimë ka gërryer çdo segment të jetës në vend. Pra, ky fenomen pra korrupsioni fatkeqësisht është shndërruar edhe në formë jetese në Kosovë.

Shpërndarja e resurseve buxhetore

Një fenomen tjetër që duhet seriozisht  për t’u trajtuar është edhe fenomeni i ndihmave apo donacioneve financiare nga BE të dedikuara për përkrahjen e projekteve të shumta në Kosovë.  Mungesa e një mekanizmit të BE së që ka të bëjë me monitorimin  e mjeteve financiare për përkrahjen e projekteve në sektorin publik dhe privat mbi mënyrën e përdorimit është njëri nga faktorët që ndikon drejtpërsëdrejti edhe në keqpërdorimin e shpeshtë të  këtyre donacioneve dhe si për pasojë  grafiku i rritjes së korrupsionit shënon tendencë rapide në rritje  të hovshme dhe të pandalshme të korrupsionit në vendin tonë. Po ashtu edhe shpërndarja e resurseve buxhetore nga qeveria për ministritë e caktuara si punëdhënës kryesor në Kosovë, ka dëshmuar qartë se vetë qeveria nën ombrellën e saj përmes tenderimeve të ndryshme në për ministri është punëdhënësi kryesor i bizneseve me orientime partiake që janë pjesë e vetë qeverisë. Asnjë qeveri e zgjedhur nga lufta e këtej me ndonjë veprim nuk ka dëshmuar se është e zgjedhur për mbrojtjen e interesave të popullit të saj, por vazhdimisht ato mbronin interesat e vet pjesëtarëve të qeverisë dhe pjesëtarëve  të kabinetit qeveritar si dhe pjesëtarëve të bartësve ose përfaqësuesve lokal. Prandaj qeveritë e shumta të pasluftës pa hezitim dhe pa asnjë lloj përgjegjësie instaluan mentalitetin e të vepruarit autoritar dhe oligarkik. Instaluan mentalitetin e egos personale që në emër të popullit të përfitojnë dhe të mbrojnë interesat personale dhe familjare. Mostransparenca e institucioneve vendore si qeveritare dhe lokale sidomos në fushën e investimeve kapitale janë burimi dhe dëshmia kryesore se si përmes të realizimit të projekteve edhe përkundër planifikimit të ashtuquajtur profesional, teknik dhe financiar ndodhën fryrje dhe tejfryrje të shumave financiare ku me këtë rast edhe politikanët kosovarë u pasuruan për një kohë relativisht të shkurtër. Shumica e politikanëve, përjashtim bëjnë disa politikan, në mënyrë indirekte janë pronarë të disa bizneseve prestigjioze në Kosovë të cilët bëjnë realizimin e tenderëve të cilët tenderë në fakt vetë i shpallin dhe nga to vetë përfitojnë.

Pengimi i investimeve të huaja

Disa institucione dhe agjenci shtetërore të cilat ligjërisht janë të obliguara dhe paguhen për realizimin e projekteve për tërheqjen e investimeve të huaja në Kosovë përmes politikave tërheqëse për investitorët e huaj, këto agjenci shikuar nga aktiviteti dhe rezultatet e tyre na del se jo që kanë promovuar investimet e huaja në Kosovë, por kanë penguar këtë proces përmes procesit të zhvatjes dhe mitos si dhe në disa raste kanë tjetërsuar në mënyrë antiligjore bizneset e investitorëve të huaj. Qeveritë e shumta të pasluftës jo vetëm se nuk përparuan dhe nuk kanë sjellë zhvillime pozitive në vend, ato bllokuan dhe monopolizuan të gjitha sferat e jetës në Kosovë, prandaj si të tillë lirisht mund të konstatojmë se politikanët janë shndërruar në një kastë e cila jeton e pasurohet në kurriz të një populli të lodhur e të shtypur me shekuj me radhë. Politikanët, bartësit e institucioneve lokale e qendrore ka kohë që jo vetëm se nuk merren me zhvillimin e vendit, hapjen e perspektivave të reja për popullin e sidomos për rininë e vendit, por ato i bllokojnë ato.

Një qeveri e cila numëron sukseset e saja në lëmin e zhvillimit ekonomik ndërsa në realitet shënohet stagnim rapid, ajo qeveri është e izoluar në rrethin saj vicioz  duke gëzuar privilegje dhe nuk e ka idenë se si dhe në çfarë kushtesh jeton populli i saj i cili në jetën e përditshme është i atakuar nga problemet esenciale njerëzore.

(Autori është ish-gazetar dhe autor i librit “Kosova në udhëkryq” si dhe autor i shumë librave publistike me tema sociale, politike, ekonomike dhe historike.)