Pas pranimit të tabelave RKS vjen një goditje tjetër e rëndë ndërkombëtare kundër Serbisë

Pas pranimit të tabelave RKS vjen një goditje tjetër e rëndë ndërkombëtare kundër Serbisë
Pas pranimit të tabelave RKS vjen një goditje tjetër e rëndë ndërkombëtare kundër Serbisë

Gani Qarri

  • 06 January 2024 - 20:03

Shkruan: ANALISTI- Gani Qarri 

Vendimi reciprok, mes Serbisë dhe Kosovës për zbatimin e plotë të marrëveshjes për lëvizjen e lirë, duke hequr së fundi barrierën e pa kuptimtë të mbulimit të tabelave të automjeteve, po dëshmon se kur është në pyetje presioni serioz ndërkombëtar, edhe suksesi në zbatimin e marrëveshjeve të dakorduara është i pa shmangshëm, madje qoftë edhe me detyrim apo sanksionim, mund të implementohet! 

-Siç dihet nga procesi i bisedimeve të zhvilluara ndër vite, marrëveshjet për çështjen e lëvizjes së Lirë, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ishin arritur, qysh më 2011, në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve, por për plot 13 vite, ajo ishte bllokuar dhe nuk zbatohej nga pala serbe, duke mos lejuar futjen e automjeteve me tabela të shtetit të Kosovës në territorin e Serbisë. Madje pas tensioneve që shkaktoi Serbia, në muajin shtator të vitit 2021, për çështjen e targave ilegale në veri të Kosovës, vetëm me ndërmjetësimin e BE-së u arrit pajtimi i përkohshme për mbulimin e targave, që në fakt, ishte paraparë të mbetej në fuqi për gjashtë muaj derisa grupet punuese të Kosovës dhe Serbisë të gjenin një zgjidhje afatgjate.

Marrëveshja e ashtuquajtur e përkohshme, bëri që shoferët me targa të Kosovës dhe ata me targa të Serbisë, të vendosnin letra ngjitëse mbi simbolet shtetërore në targa, sa herë që kalonin kufirin e shteteve reciproke, e cila në vend të 6 muajve, zgjati plotë dy vjet, sepse ishte pala serbe, ajo që edhe pas kalimit të afatit të paraparë kohor, përsëri nuk lejonte automjetet me akronimin Republika e Kosovës- RKS, të qarkullojnë nëpër territorin e Serbisë. Vetëm këmbëngulja e Qeverisë së Kosovës për reciprocitet të matur hap pas hapi, në zbatimin e secilës marrëveshje të arritur me Serbinë, dhe presioni i shtuar ndërkombëtar, bënë që fillimisht në veri të Kosovës, të zëvendësohen targat ilegale të lëshuara nga Serbia, akt i cili detyroi Serbinë që nga 1 janari i vitit 2024,të marr vendimin e heqjes së ndalesës, dhe të lejojë edhe qarkullimin e lirë të automjeteve me tabelat e shtetit të Kosovës, në territorin e Serbisë. Gjithashtu, edhe Qeveria e Kosovës, këtë javë mori vendim për lejimin e dyanshëm të automjeteve për qarkullim të lirë me tabelat që i lëshojnë shtetet reciproke, akt i cili është parë me shumë pozitivitet nga Bashkimi Evropian, dhe cilësuar si hap që mundë të hap rrugë edhe për lëvizje të tjera pozitive në zhvillimin e dialogut, për arritje të marrëveshjeve dhe zbatimin e tyre pa kushte, deri të njohja reciproke. Edhe Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka reaguar lidhur me vendimet e të dyja qeverive, Kosovës dhe Serbisë për të larguar letrat ngjitëse në targa të automjeteve, dhe lejimin me targat RKS në Serbi, për çka Cramon theksoi se ky është edhe një hap më shumë, drejt pranimit të realitetit që Serbia edhe de facto e njeh Kosovën si shtet të pavarur.

Nuk ka më ngjitëse në tabela të automjeteve kur udhëtoni nga Kosova në Serbi e anasjelltas dhe ajo që ishte dizajnuar si masë e përkohshme tani është përfundimisht e tejkaluar, pra një hap më shumë drejt realitetit, në të cilin Serbia de facto e njeh Kosovën si shtet dhe kontribuon për paqe dhe përparim në rajon”, është shprehur zonja Viola von Cramon. Mirëpo, për të arritur deri te ky moment me mjaft domethënie, është dashur presion i pa ndashëm mbi palën serbe, e cila madje me kokëfortësi, ka mobilizuar edhe grupet kriminale për bllokimin e rrugëve. Lamtumirën letrave ngjitëse ("stikersave") në automjete mes Kosovës dhe Serbisë ua ka dhënë përfundimisht edhe ambasadori gjerman në vendin tonë, i cili e mirëpriti vendimin e Kosovës dhe Serbisë për pranimin analog të targave. Kjo dëshmon se, tanimë është koha e fundit që faktori ndërkombëtar të heq dorë nga improvizimet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe nëse dëshiron rezultate në dialog, duhet ta detyroi me kushte konkrete edhe qeverinë e re serbe, që pritet të konsolidohet pas zgjedhjeve të fundit, për të qenë e detyruar, të bashkëpunojë me faktorin ndërkombëtar.

Përndryshe edhe qeveria pasuese, njëjtë si ajo e deritanishmja, mund ti sabotojë apo edhe bllokojë marrëveshjet e arritura, zbatimi i të cilave, po nuk u bë në plotëni, nuk mund të qojë as te normalizimi i plotë i raporteve ndërshtetërore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si vende fqinje. Prandaj, pavarësisht mënyrës së interpretimit të njohjes, qoftë de fakto, e nënkuptuar, de jure, apo e nënshkruar, për të  arritur deri në këtë pikë SHBA dhe BE, duhet detyruar palën serbe, që ta heq Kosovën urgjentisht, edhe nga preambula e kushtetutës serbe, me të cilën mashtron kot veten, se kinse Kosova është “pjesë” e Serbisë, kur dihet mirëfilli se nga 22 korriku i vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, si organi më i lartë juridik i OKB-së, ka vulosur përjetësisht dhe në mënyrë të pakthyeshme, pavarësinë e Kosovës, një nga datat më të rëndësishme për popullin dhe shtetin tonë të ri, e cila shënohet në çdo përvjetor, si akti më i ndritshëm historik i vulosjes së pavarësisë të Republikës së Kosovës!
 
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".