Rastet që do t'ju bindin për vërtetësinë e fenomenit të pushtimit nga djajtë

  • A.P /
  • 21 August 2020 - 15:12
Rastet që do t'ju bindin për vërtetësinë e fenomenit të pushtimit nga djajtë

Ekzorcizmi i Robbie Mannheim-it

Shpeshherë thuhet që pushtimi në jetën reale, në të cilin ishte bazuar tregimi i shpalosur në filmin 'The Exorcist', i ka ndodhur një mashkulli, e jo një femre, siç paraqitet në film. Pra, pseudonimet "Roland Doe" dhe "Robbie Mannheim" i referohen djaloshit, i cili kishte përjetuar simptoma të pushtimit në Merillënd në fund të viteve të 1940-a. Nëse mund t'u besojmë dokumenteve në lidhje me këtë rast, halla Robbie-t, Harriet, që ka qenë edhe shoqja më e mirë e djaloshit, e kishte 'njoftuar' atë me tabelën 'Ouija' dhe pas vdekjes së hallës, ngjarje të çuditshme kishin filluar të ndodhin. Fillimisht në shtëpi kishin filluar të dëgjoheshin ecjet e një personi, ndonëse nuk mund të shihej askush, më pas kishte filluar lëvizja e orendive të shtëpisë, ndonëse nuk i prekte askush. Në shtëpi ishte ftuar një pastor, i cili gjatë ritualit të ekzorcizmit ishte lënduar dhe si rrjedhojë ishte detyruar ta ndërpriste procesin. Më vonë në shtëpi kishin shkuar tre jezuitë, njëri prej të cilëve kishte thënë që në trupin e djaloshit ishin shfaqur shkrime të qarta, që thoshin 'ferr' dhe 'djall'. Ritualet e ekzorcizmit ishin nisur plot tridhjetë herë para se më në fund djalli të nxirrej nga trupi i Robbie-t, që vetëm atëherë kishte qenë në gjendje ta jetonte një jetë normale. 

Clara Germana Cele dhe pakti i saj me Djallin

Në vitin 1906 Clara Germana Cele ka qenë një gjashtëmbëdhjetëvjeçare e zakonshme nga Afrika Jugore, para se të fillonte të shpërfaqte disa sjellje shumë të çuditshme dhe tejet të frikshme. Përkundër faktit se kurrë në jetë nuk kishte pasur kontakt me njerëz që i dinin këto gjuhë, ajo kishte filluar të fliste e të kuptonte nga gjuha frënge, gjermane dhe polake. Edhe më çuditshëm, Clara, në mënyrë krejtësisht të pashpjegueshme, kishte qenë në gjendje që të zbulonte sekrete të njerëzve, të cilët nuk i kishte parë më herët. Zëri i saj kishte ndryshuar dhe ajo mund të kërcente shumë, edhe vertikalisht edhe horizontalisht, aq shumë saqë nuk dukej si fuqi njerëzore më. Më vonë në shesh kishte dalë Ati Hörner Erasmus, i cili kishte treguar që Clara paraprakisht i ishte rrëfyer duke i thënë që kishte bërë pakt me djallin, duke e lejuar atë që t'ia pushtonte trupin. Më vonë, Erasmus dhe një tjetër prift ia kishin dalë ta nxirrnin djallin nga trupi i saj, në një ritual që kishte zgjatur plot dy ditë, ku kishte pasur edhe përplasje në mes të djallit dhe priftërinjve.  

Misteri i pazgjidhur i Pat Reading-ut

Rasti i Pat Reading-ut është një nga rastet më intriguese në këtë listë, pasi që kjo nënë nga Konektikati i SHBA-së, në vitet e 1980-a, kishte filluar të shfaqte shenja të pushtimit të djajve, përkundër faktit që paraprakisht nuk kishte marrë pjesë në ndonjë ritual të tillë e as që kishte shfaqur ndonjëherë shenja të problemeve mendore. Për këtë arsye, ka qenë shumë i çuditshëm fakti që ajo kishte filluar të dëgjonte zëra të çuditshëm në shtëpinë e saj, që më pas kishin kaluar në një nivel tjetër, duke shkaktuar lëvizje të orendive në shtëpi dhe sulme ndaj saj. Hetuesi i dukurive paranormale, që kishte shkuar në këtë shtëpi me qëllim të largimit të shpirtit të lig, John Zaffis, kishte raportuar që flokët e Pat-it ishin hequr nga koka e saj dhe në shpinë i ishin shfaqur shenja të kafshimit. Gjashtëmbëdhjetë përpjekjet e priftërinjve për ta larguar shpirtin e lig kishin rezultuar të pasuksesshme dhe deri në vdekje, Pat Reading vazhdimisht ishte sulmuar nga djalli, që ia kishte pushtuar trupin e shpirtin.

(Kosova Sot Online)