Rastet misterioze me kriminelë të paidentifikuar

  • 14 February 2016 - 16:24
Rastet misterioze me kriminelë të paidentifikuar

Personat e përfshirë në rrëfimet rrëqethëse që ua kemi sjellë më poshtë kanë arritur që të zhvillojnë aktivitete kriminale për një periudhë të gjatë kohore, pa u zbuluar nga autoritetet

Joseph Newton Chandler i Tretë

Më 30 korrik të vitit 2002 Joseph Newton Chandler i Tretë ishte gjetur i vdekur dhe të gjitha provat fillestare tregonin që ai kishte bërë vetëvrasje. Më vonë, autopsia kishte treguar shenja të kancerit në trupin e tij, për të cilën ishte besuar që kishte ndikuar në vendimin e tij për të bërë vetëvrasje. Mirëpo, pas hulumtimeve më të thella ishte bërë e ditur që djaloshi me këtë emër kishte vdekur në vitin 1945, kur ishte në moshën nëntëvjeçare, pas një aksidenti me veturë. Si rrjedhojë, ky zbulim i kishte shtyrë hetuesit drejt hulumtimeve më të thella që kishin çuar në zbulimin e ngjashmërive mes personit të vetëvrarë me vrasësin serik, që kishte terrorizuar SHBA-në për vite të tëra – Jack Rrjepësi. Për më tepër, në xhepat e personit të vetëvrarë ishte gjetur edhe emri i njërit prej prokurorëve, që kishte punuar në rastin e Jack-ut, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

 

Image

Dhunuesi serik

Hetimi më i gjatë për dhunim në historinë e Britanisë së Madhe kishte marrë emrin e koduar ‘Operacioni Shqiponja’ dhe ka zgjatur plot 22 vjet. Dhunuesi në fjalë ka qenë përgjegjës për të paktën 17 raste të dhunimit, të cilat janë kryer në vetëm një qytet të Britanisë – në Beth. Gjithçka kishte filluar më 21 maj të vitit 1991 kur e kishte sulmuar një grua 36-vjeçare në veturën e saj. Në fakt, pothuajse të gjitha rastet kishin qenë të tilla, pra dhunuesi i kishte detyruar femrat që ta vozisnin deri në një lokacion të caktuar, ku më pas i kishte dhunuar. Në njërin prej rasteve, në të cilin ai kishte dështuar, prapa kishte lënë një kapelë, me logon e ‘Batman’-it në të, gjë kjo që kishte bërë që ai të konsiderohej ‘Dhunuesi Batman’, ndonëse kjo është gjëja e vetme që dihet për të. Pra, identiteti i këtij dhunuesi të frikshëm nuk është zbuluar asnjëherë, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Image

Shkencëtari ‘Perseus’

Për dekada të tëra, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Sovjetik kishin dërguar një sërë spiunësh te njëri-tjetri. Gjatë Luftës së Dytë Botërore SHBA-ja kishte punuar në Projektin ‘Manhattan’, kur kishin zhvilluar dhe prodhuar bombat e para atomike. Të paktën tre persona që kishin punuar në projekt - Klaus Fuchs, David Greenglass dhe Theodore Hall – ishin konsideruar spiunë. Mirëpo, më vonë, një kolonel i shërbimit inteligjent rus, i quajtur Vladimir Chikov, kishte publikuar një artikull të çuditshëm, ku pretendonte që një spiun rus, për të cilin thuhet që nuk ka qenë asnjëri prej të përmendurve, kishte punuar në projekt dhe kishte kontribuuar në zhvillimin e programit nuklear të Bashkimit Sovjetik, duke ofruar informacione të vjedhura nga amerikanët. Edhe sot e kësaj dite nuk dihet identiteti i shkencëtarit të njohur me nofkën ‘Perseus’, megjithatë, nëse ai ka ekzistuar më të vërtetë, atëherë ai ka qenë shumë i zoti, meqë ka arritur të mos vërehet për plot 70 vjet.

Image

(Kosova Sot)