Lazanja me peshk dhe kungulleshka

  • 26 July 2016 - 12:26
Lazanja me peshk dhe kungulleshka

Lazanjat për shkak të kohës së gjatë së përgatitjes mund të quhen vërtet një pjatë familjare, pjatë festash që kërkon përkushtim. Peshku që përdora për keto lazanja ishte një miks, por ju mund të përdorni vetëm një lloj ose të tjerë që dëshironi.

Përbërësit:

1 pako me peta lazanje
300 g salmon
300 g peshk “peskatriçe”
400 g karkaleca
2 thelpinj hudhër
1 spec djegës i thatë
2 lugë vaj ulliri
2 kungulleshka
pak kripë dhe piper të zi
300 g beshamel
disa lugë pesto
2 lugë djathë parmixhano i grirë
 

Përgatitja:

Pasi përgatitët peston dhe beshamelën përgatisni mbushjen me peshk.

Priteni peshkun në copa të vogla dhe vendoseni të kaurdiset në një tigan me pak vaj ulliri, spec djegës dhe hudhra, 2-3 minuta, jo më shumë, pasi peshku do të vazhdojë gatimin edhe në furrë. Hidhini në kripë dhe hiqni hudhrën dhe specin djegës.

Grini me rende kungulleshkat dhe ruajini mënjanë.

Vendosni në zjarr në tenxhere me ujë me kripë dhe pak vaj ulliri, zieni 1 minutë lazanjat e freskëta në të dhe hapini në një beze të njomë larg njëra-tjetrës që mos të ngjiten.

Filloni kompozoni lazanjën. Lyeni fundin e tavës që keni zgjedhur me beshamel dhe spërkateni me pesto, shtroni një rresht me lazanja, spërkateni përsëri me beshamel, pesto, shtoni kungulleshkat e grira, shtroni petët e lazanjës. Spërkateni përsëri  me beshamel, pesto, shtoni mbushjen me peshk e kështu me radhë duke kombinuar përbërësit ndërmjet tyre dhe petat e lazanjës. Sipërfaqen mbulojeni me beshamel, spërkateni me pesto dhe kungulleshka të grira. Shtoni edhe djathin e grirë në gjithë sipërfaqen e saj dhe nëse ju ka ngelur lëng nga mbushja me peshk shtojeni te anët e lazanjës që mos të thahen.

Piqeni në furrën e nxehur më parë në 180°C për 40-45 minuta.

Lëreni të pushojë dhe të ftohet paksa para se ta prisni dhe ta shërbeni.

(Kosova Sot)