Si të mbroheni nga pickimet e insekteve gjatë verës

  • 01 August 2015 - 15:52
Si të mbroheni nga pickimet e insekteve gjatë verës

Alergjitë nga thumbimet e insekteve mund të jenë dramatike, ndërsa nëse nuk reagohet në kohë mund të jenë edhe fatale. Nëse dyshoni se jeni alergjik në thumbimin e ndonjë insekti, duhet të bëni alegro-testin. Metoda më e saktë dhe më e sigurt është me marrjen e gjakut dhe matjes së sasisë së përgjithshme të antitrupave, të cilat veprojnë në helmet e insekteve.

Bleta, grerëza

Simptoma më e rënda e alergjisë si rezultat i pickimit nga bleta, grerëza ose edhe strumbullari, është shoku shoku anafilaktik, që shoqërohet me dhimbje të fuqishme në vendin e thumbuar, ënjtje, dhimbja e kokës, frymëmarrje të vështirësuar, dezorientim, tharje të fytit, rënie të shtypjes së gjakut dhe me humbje të vetëdijes.

E një rëndësie të veçantë është që personat alergjik të mbajnë me veti injeksion adrenaline, me qëllim që vetë të mund të marrin ndihmë të shpejtë, para se të drejtohen në ambulancën më të afërt.

bleta

Sipas mjekëve, më të rrezikshme janë thumbimet në pjesën e qafës dhe kokës, veçanërisht në fytyrë dhe rreth buzëve, pasi që këto pjesë më së shumti janë të pasura me enë gjaku, ashtu që helmi shpejt arrin në qarkullimin e përgjithshëm të gjakut.

Ekspertët thonë se personat të cilët nuk janë alergjikë dhe të cilëve duhet t’u jepet ndihmë e parë, këtë mund ta bëjnë duke vendosur akull në vendin e thumbuar, duke marrë tabletë të ndonjë antihistaminiku (grup barnash antialergjike si cetirizinë ose loratadinë). Vendi i pickuar duhet të lyhet me yndyrë ose krem kortikosteroidësh ose antihistaminikësh, dhe pacientët duhet të paraqiten tek mjeku me qëllim që ta vlerësojë nëse terapia duhet të vazhdohet apo ndërpritet.

Mushkonja

mushkonja

Thumbimi nga mushkonja nuk është shumë i rrezikshëm, por edhe prej tyre duhet të mbroheni duke vendosur vaj eterik, për shembull livandë, ose duke e lyer me produkte repetentë, që pengojnë kapjen e insekteve në lëkurën tuaj, transmeton Shekulli.

Në vendet ku ju ka kafshuar mushkonja, menjëherë paraqiten disa puçrra të kuqe, të cilat nuk duhet t’i shtrydhni pasi mund të prekeni dhe nga infeksioni bakterial.

Merimanga

merimanga

Nëse ju pickon ndonjë merimangë detyrimisht duhet ta lyeni vendin me ndonjë krem ose yndyrë kortikosteroide, të vendosi ndonjë gjë të ftohtë ose preparate të cilat përmbajnë mentol, dhe të paraqiteni tek mjeku për të marrë mjekimin e duhur.