Vaji i ullirit,arma sekrete kundër kancerit? - Shëndetësia - Kosova Sot
Vaji i ullirit,arma sekrete kundër kancerit?

Vaji i ullirit,arma sekrete kundër kancerit?

Ndjekja e një diete mesdhetare është cilësuar prej shumë kohësh si sekreti i jetëgjatësisë dhe shëndetit të mirë. Dhe tani, shkencëtarët mund të kenë gjetur një nga arsyet përse ndodh kjo. 

Një ingredient në vajin e ullirit ekstravegjetal, oleokantali, vret qelizat kancerogjene pa dëmtuar ato të shëndetshme, zbuluan shkencëtarët.

Oleokantali funksionon duke shkëputur një pjesë të qelizës së kancerit të quajtur lisozomë, që vepron si një vend grumbullimi i mbetjeve të qelizës, duke çliruar proteina që shkaktojnë vdekjen.

Kur shkencëtarët e aplikuan atë në qelizat kancerogjene në laborator, qelizat u shkatërruan shumë shpejt, nga 30 minuta deri në një orë.

“Lisozoma është vendi i grumbullimit të mbetjeve ose qendra e riciklimit e qelizës”, tha shkencëtari Paul Breslin, nga Universiteti Rutgers në SHBA.

“Sapo hap njërën prej tyre çlirohen edhe të tjerat. Lisozoma është e izoluar në qelizë sepse është shumë toksike. Nëse shkëput membranën, lisozoma ndahet, pjesa e brendshme e saj rrjedh jashtë”, sqaroi ai.

Është plot enzima agresive që mund të shkatërrojnë gjithçka që i vjen në kontakt. “Megjithatë, oleokantali nuk i dëmton qelizat e shëndetshme, por i pezullon ciklet e jetës përkohësisht”, thanë kërkuesit.

“Ai i vë në gjumë”, sqaroi profesor Breslin, studimi i të cilit u botua në revistën e Onkologjisë Molekulare dhe Qelizore.

“Pas një dite, qelizat e shëndetshme vazhdojnë ciklet e tyre. Qelizat e kancerit kanë lisozoma më të mëdha dhe më aktive dhe ka diçka te to që i bën më të prekshme sesa qelizat e shëndetshme, por ne nuk e dimë ende”.

Kërkuesit thanë se hapi tjetër është që të shkohet përtej kushteve laboratorike dhe të tregohet se oleokantali mund të vrasë qelizat kancerogjene dhe mund të tkurrë tumoret te kafshët.

Një studim nga Universiteti i Harvardit me 26,000 pjesëmarrës, i cili kreu analiza për një periudhë 8-vjeçare, zbuloi se ngrënia e yndyrave të mira si ato që gjenden në vajin e ullirit, mund të pakësojë zhvillimin e kancerit me 9 për qind.

Muajin e kaluar, një studim zbuloi se ngrënia e peshkut, sallatave dhe vajit të ullirit dhe shoqërimi me një gotë verë, mund të ndryshojë jetën e burrave që vuajnë nga impotenca.

Ushqimet e shëndetshme pastrojnë enët e gjakut, veçanërisht në organin gjenital mashkullor, gjë që i detyron meshkujt të hanë më mirë sesa të pinë ilaçe stimuluese të aktivitetit seksual.

Studime të tjera kanë treguar se mbajtja e një diete mesdhetare mund të pakësojë shanset e zhvillimit të sëmundjes së zemrës, dy llojeve të diabetit, presionit të lartë të gjakut dhe sëmundjes së Alzheimerit.

Studimi i publikuar në BMJ vitin e kaluar, zbuloi se ngrënia e dietës mesdhetare rriste jetëgjatësinë pasi mbronte ADN-në nga dëmtimi.

Akademikët e Harvardit studiuan 4676 gra të moshës së mesme, duke krahasuar zakonet e tyre të të ngrënit me përbërjen e qelizave. Ata analizuan telomeret e tyre (mbulesa biologjike të gjetura në fund të kromozomeve që mbrojnë ADN-në nga brenda).

Teksa ne plakemi, këto mbulesa shkurtohen, duke shkaktuar dëmtimin e ADN-së dhe duke shtuar shanset e sëmundjeve të lidhura me moshën, si diabeti, Alzheimeri dhe sëmundjet e zemrës.

Kërkimi zbuloi se gratë që ushqeheshin me dieta me sasi të vogël yndyrash dhe të pasura me fruta dhe perime, kishin të tilla mbulesa më të gjata për të mbrojtur ADN-në. Por kjo ishte më e dukshme tek ato që ndiqnin një dietë mesdhetare me fruta, perime, fruta të thata dhe thjerrëza.

(Kosova Sot)

3 orë e 38 minuta më parë
23/09/18