Preparatet natyrore, efikase kundër djegieve të shkallës së parë

  • E.K /
  • 18 March 2024 - 09:50
Preparatet natyrore, efikase kundër djegieve të shkallës së parë

Djegiet e shkallës së parë janë më të lehtat dhe njihen edhe me emrin djegiet sipërfaqësore. Nëse nuk kanë përfshirë një sipërfaqe të madhe të trupit, mund t'i trajtoni edhe vetë, në shtëpi.

UJI I FTOHTË I ÇEZMËS

Posa të digjeni, vendoseni pjesën e djegur nën ujë të ftohtë që rrjedh. Kjo do ta parandalojë përkeqësimin e djegies dhe do ta zvogëlojë dhembjen. Nëse jeni djegur në ndonjë vend, të cilin nuk mund ta vendosni nën çezme, atëherë aty vendosni kompresa të lagëta. 

LËNGU I FRESKËT I PATATEVE

Njëri ndër preparatet më efikase shtëpiake për trajtimin e djegieve të vogla, është lëngu i freskët i patateve. Sapo të digjeni, gërryejeni një pjesë të patates dhe vendoseni atë masë në vendin e djegur. Nëse patatja është e ftohtë, efekti mund të jetë më i madh.

MJALTI I PASTËR

Një mënyrë e thjeshtë dhe e shpejtë për ta trajtuar një djegie të shkallës së parë, është duke vendosur sasi të konsiderueshme të mjaltit në vendin e djegur. Nuk është sekret që mjalti përmban sasi të madhe të antioksiduesve, të cilët ndihmojnë në shërimin e lëkurës së dëmtuar. Mjalti ka edhe veti antibakteriale. 

QESKAT E LAGËTA TË ÇAJIT TË ZI

Sapo të digjeni, merrni dy qese (filtra) të çajit të zi dhe vendosni në ujë të nxehtë. Lëreni ujin që të ftohet për disa minuta. Pasi që të jenë ftohur, merrni qeskat e çajit të zi dhe vendosni në vendin e djegur, për të qëndruar disa minuta. Taninet, që gjenden në çaj veprojnë kundër ënjtjes dhe dhembjes. 

UTHULLA E ZBUTUR

Një preparat tjetër që gjendet në shtëpi, e që është efikas kundër djegieve t lehta, është uthulla. Përziejeni uthullën me sasi të njëjtë të ujit, merreni një copë pambuku, njomeni në përzierje dhe vendoseni mbi vendin e djegur. Lëreni që të veprojë për disa minuta. 

QUMËSHTI I FTOHTË

Po ashtu është efikas në këtë aspekt. Merreni menjëherë kutinë e qumështit me yndyrë të plotë nga frigoriferi dhe derdhni ca qumësht në vendin ku jeni djegur. Ftohtësia e qumështit do ta zvogëlojë dhembjen, derisa yndyra dhe përbërësit e tjerë të qumështit do ta përshpejtojnë shërimin e lëkurës. 

(Kosova Sot Online)