“Lufta” e Madridit në Milano

  • 28 May 2016 - 09:18
“Lufta” e Madridit në Milano

Finalja e Ligës së Kampionëve: Real M. - Atletico M. (20:45)

Momenti vendimtar ka ardhur. Edicioni fantastik në futbollin evropian do të mbyllet me ‘qershinë mbi tortë’, ku Real Madrid dhe Atletico Madrid duan trofeun më të çmuar për klube, Ligën e Kampionëve. “Mbretërit” e kërkojnë trofeun e 11-të në histori, derisa “Los Colchoneros” për herë të parë në finalen e tretë të tyre. Dy skuadrat janë jashtëzakonisht të motivuara dhe dëshirojnë fitore në finalen e madhe

Në “San Siro” pritet të jetë spektakël sonte mbrëma

“San Siro” është tempulli, ku zhvillohet ndeshja më e rëndësishme për këtë edicion, finalja e Ligës së Kampionëve. Shumë skuadra e deshën finalen, por këtij qëllimi ia arritën vetëm dy skuadrat nga Madridi, Real-i dhe Atletico. Edicioni i gjatë, por edhe shumë i bukur në futbollin evropian, mbyllet me këtë superndeshje, që do të tërheqë vëmendjen e gjithë adhuruesve të futbollit. Stadiumi në Milano është gati për këtë finale të madhe, ku do të ketë edhe program artistik me yje të skenës botërore, si Alicia Keys e Andrea Bocelli, por edhe shumë yje të futbollit botëror. Interesimi i medieve ndërkombëtare si gjithmonë është i jashtëzakonshëm, derisa të gjitha biletat janë shitur kohë më parë. Atyre do t’ua kenë lakmi edhe miliona teleshikues në mbarë botën. Franco Baresi dhe Javier Zanetti do të sjellin në stadium trofeun e Ligës së Kampionëve, derisa himnin do ta këndojë Bocelli. Kampion aktual është Barcelona, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

 

Image

 

Rekordet e Real-it

Për herë të dytë në tri vitet e fundit skuadrat rivale të qytetit do të ndeshen në finale të kësaj gare. Në vitin 2014 në Portugali ishin “Mbretërit” që festuan, duke fituar 4:1 pas kohës shtesë, madje me Ramos që barazoi në minutën e 94-t (1:1), duke çuar takimin në vazhdime, ku Real-i fitoi trofeun e dhjetë në histori apo të njohur si “La Decima”. Kjo është hera e gjashtë që dy skuadra nga i njëjti shtet ndeshen në finale, ku Real-i ka triumfuar dy herë, duke mundur Valencia-n dhe Atletico-n. “Mbretërit” 13 herë kanë depërtuar në finale dhe dhjetë herë prej tyre kanë dalë fitues, duke qenë skuadra më e trofeshme në këtë garë. Për Atletico-n kjo është hera e tretë që arrijnë në finale dhe në dy finalet e kaluara nuk arritën të fitojnë. “Los Colchoneros” fituan dy herë Ligën e Evropës (UEFA Cup), derisa dy herë humbën në finale, kurse kanë të fituar edhe dy herë Superkupën e Evropës, më 2010 dhe 2012. Këto dy skuadra janë takuar gjithsej 202 herë në të gjitha garat, me Real-in që ka 102 fitore, 51 për Atletico-n dhe 49 barazime. Sidoqoftë, hera e fundit që Real-i ka fituar ndaj rivalit lokal është pikërisht në finalen e para dy viteve dhe më pas pesë herë fitoi Atletico dhe kishte tri barazime. Këtë edicion një herë fitoi Atletico në “Santiago Bernabue” 1:0, kurse në “Vicente Calderon” ndeshja përfundoi pa fitues 1:1.

 

Image

 

Zidane apo Simeone

Zinedine Zidane mund të bëhet njeriu i shtatë që fiton Ligën e Kampionëve si futbollist dhe trajner. Nëse Cristiano Ronaldo arrin të shënojë, do të bëhet futbollisti i parë që shënon në tri finale të Ligës së Kampionëve. Këtë edicion ai ka shënuar 16 gola. Në garat ndërkombëtare, Atletico në 13 ndeshje ndaj skuadrave spanjolle  ka shtatë fitore, tri barazime dhe tri humbje. Diego Simeone mund të bëhet trajneri i tretë joevropian që fiton Ligën e Kampionëve, derisa këtë më parë e kishin bërë argjentinasit: Luis Carniglia dhe Helenio Herrera. Fernando Torres mund të fitojë këtë garë për herë të dytë, pasi në vitin 2012 e fitoi me Chelsea-n. Zidane dhe Simeone si lojtarë janë ndeshur tetë herë, kur francezi luante në Juventus e argjentinasi në Inter dhe Lazio. Simeone ka katër fitore, dy humbje dhe dy barazime. Zidane dhe Simeone u përballen një herë këtë edicion, ku më i suksesshëm ishte Simeone, duke fituar 1:0 në “Bernabeu”. Simoene si trajner ka statistika mjaft të mira me Real-in me shtatë fitore, pesë barazime dhe shtatë humbje, por në dhjetë ndeshjet e fundit ka humbur vetëm një herë. Zidane nuk ka humbur asnj herë ndaj Atletico-s si lojtar, duke pasur gjashtë fitore dhe dy barazime. Takimi i sotëm fillon nga ora 20:45, derisa dy trajnerët nuk kanë telashe me lëndime, përveç Varane, që mungon për “Mbretërit”.  

Image

 

 

“Mbretërit”, e motivuar

Trajneri i Real-it, Zinedine Zidane, ka lavdëruar Diego Simeone-n, derisa shtoi se në finale janë shumë të motivuar dhe duan fitore. “Simeone ka gjithçka çka i duhet një trajneri. Ai është njëri nga trajnerët më të mirë në botë. Unë ende kam për të mësuar, dhe kam dëshirë të madhe të përmirësohem. Për finale mund të flitet shumë. Vetë arritja këtu do të thotë se ne duam të fitojmë trofeun, derisa rëndësia e kësaj gare është e madhe. Do të ishte madhështore të përfundojmë edicionin me këtë trofe. Lojtarët janë të motivuar dhe relaksuar. Ne mendojmë vetëm për fitore”, u shpreh francezi. Cristiano Ronaldo ka thënë se Liga e Kampionëve është ëndërr e të gjithëve. “Nëse ne fitojmë Ligën e Kampionëve, atëherë kjo ka vlerë më shumë se dy titujt e Barcelona-s. Liga e Kampionëve është ëndërr e të gjithëve. Unë po ju them nga zemra, nuk do ta ndërroja me asgjë. Jam zemëruar që nuk e arrita Luis Suarez-in. Unë isha afër. Por, më duhet ta përgëzoj atë, ai ka pasur edicion të mrekullueshëm”, theksoi Ronaldo.

Nuk ka hakmarrje, por fitore

Trajneri i Atletico-s, Diego Simeone, ka thënë se nuk mendojnë hakmarrje, por është një mundësi e mirë për të fituar. “Në futboll ashtu si në jetën e përditshme, nuk ka hakmarrje, por mundësi të reja. Hakmarrje më duket një fjalë negative, sepse të kujton gjithmonë disfatën, momentet e këqija, ndërsa kur thua një tjetër mundësi, flet për optimizëm, për siguri dhe besim. Ndoshta Real-i është ndryshe nga Barcelona dhe Bayern-i. Është një skuadër me e drejtpërdrejtë dhe shumë e rrezikshme në goditjet standarde, pa harruar dhe qëndrueshmërinë në fazën mbrojtëse me Pepe dhe Ramos, ndërsa prania e Casemiro-s i ka dhënë më shumë ekuilibër një ekipi që ka potencial të jashtëzakonshëm sulmues”, u shpreh argjentinasi, i cili kthehet pas një kohe në “San Siro”, pasi si futbollist ka lënë gjurmë në këtë stadium me Inter-in. Fernando Torres ka thënë se kjo është ndeshja më e rëndësishme në karrierën e tij. “Pa asnjë dyshim mund të them se kjo është ndeshja më e rëndësishme në karrierën time. Kjo skuadër më ka dhënë shumëçka. Kam qenë pjesë e kësaj skuadre nga mosha 5-vjeçare. Do të bëj çmos që të fitojmë për tifozët tanë”, deklaroi Torres. 

Statistika

- Real Madrid ka arritur në finalen e Ligës së Kampionëve për herë të 14-të, më shumë se çdo ekip tjetër. Ata kanë fituar 10 herë

- Atletico Madrid ka arritur në finalen e Ligës së Kampionëve për herë të tretë (1974, 2014, 2016). Ata deri më tani kanë humbur dy finale të mëparshme (ndaj Bayern-it dhe Real-it)

- Kjo është hera e tretë në katër vitet e fundit që finalja e Ligës së Kampionëve është vendosur nga ekipet nga i njëjti shtet

- Trofeu do ta marrë një ekip spanjoll, që do thotë se ky trofe do të shkojë në Spanjë për edicionin e tretë radhazi. Rekordi mbahet nga Anglia, duke e fituar gjashtë vite radhazi nga viti 1977 deri vitin 1982

- Atletico ka fituar shtatë nga 16 ndeshjet e fundit kundër Real Madrid-it, në të gjitha garat (5 barazime, 4 humbje). Ata kishin dështuar të fitojnë në 25 ndeshjet e mëparshme ndaj Real-it (6 barazime, 19 humbje)

- Real Madrid ka fituar vetëm dy nga 12 ndeshjet e fundit zyrtare kundër Atletico-s, por të dyja fitoret kanë ardhur në Ligën e Kampionëve

-600 mijë euro do të fitojë secili futbollist i Real-it, nëse triumfojnë sonte. Trajneri Zinedine Zidane do të përfitojë 1 milion e 400 mijë.  

 (Kosova Sot)