Kosova e vjetër në epokën e re!

  • 30 May 2016 - 09:45
Kosova e vjetër në epokën e re!

Lista e përfaqësueses së Kosovës në futboll, që do të luajë kundër Ishujve Faroe, nuk ka ndryshuar pothuaj asgjë nga ajo e vjetra, kur nuk ishim pjesë e UEFA-s e FIFA-s. Ani pse tash jem të barabartë me të gjitha shtetet e botës, anëtare në këto dy institucione të futbollit, Kosova do të vazhdojë të paraqitet me formacionin që ishte edhe në miqësoret e mëparshme, edhe pse ajo llogaritet të ketë shumë lojtarë yje, që luajnë me kombëtaret e tjera,shkruan gazeta Kosova Sot.

Kosova është e kufizuar tash për tash të ftojë lojtarë të rinj, se paku deri në sqarimin e statusit të këtyre lojtarëve nga ana e FIFA-s, nëse ata kanë të drejtë t'i bashkohen Kosovës apo jo. Përzgjedhësi Albert Bunjaki ka zbardhur dje listën e lojtarëve, që do të marrin pjesë në ndeshjen miqë- sore kundër Ishujve Faroe, e cila zhvillohet më 3 qershor në Frankfurt të Gjermanisë. Numri një në banikën e Kosovës e ka pranuar se as këtë herë nuk ka shumë risi, të cilat janë pritur nga adhuruesit futbollit kosovar, megjithatë ai ka sqaruar se në njëfarë forme ishte i detyruar të bëjë zgjedhje të tillë. Përballja ndaj Ishujve Faroe është e para e Kosovës pas pranimit në UEFA e FIFA, dhe me të drejtë është pritur të ketë ndonjë afrim të madh, por ja që këto afrime duhet të priten së paku deri mbas përfundimit të\ Kampionatit Evropian, atëherë kur edhe vendos FIFA për fatin e lojtarëve kosovarë.

Ftesa për të gjithë

Të flitet për Përfaqësuesen e Kosovës dhe mos të hapet tema për futbollistët kosovarë, që luajnë me kombëtaret e tjera, është e pashmangshme. Bunjaki gjatë konferencës së djeshme për shtyp, shumë më
shumë është pyetur për këtë çështje sesa për lojtarët e ftuar tash për tash. "Secili trajner dëshiron t'i ketë futbollistët më të mirë në dispozicion. Unë posa ta marr lejen nga FFK-ja që ligjërisht mund ta ftoj secilin lojtar që dua, do t'i shikojmë se cilin do ta ftoj. Por ju them se nuk ka përjashtim për asnjë futbollist.Pra, çdo lojtar që dëshiron t'i  bashkohet Kosovës, unë nuk do t'ia ndaloj të bëhet pjesë e jona, pa marrë parasysh se nga cila kombëtare vjen", ka thënë Bunjaki, duke folur më pas edhe për listën aktuale, ku e pranojë se edhe këtë herë ka qenë paksa i kufizuar. "Jemi në një situatë të kufizuar. Pas pranimit në UEFA fjala ime e parë ka qenë që duhet të kemi durim dhe t'i respektojmë lojtarët, që do të jenë pjesë e Evropianit. Kjo nuk ka qenë kërkesë vetëm e imja, por edhe vetë e atyre lojtarëve që t'i presim deri mbas kampionatit. Edhe mua po të më ftonte dikush një javë para kampionatit, do t'i thosha jo se dua të luaj në Evropian, kështu që t'i lëmë të qetë njëherë e pastaj vendosim. FFKja është në kontakt me FIFA-n dhe ka bërë kërkesë për lojtarët kosovarë, që luajnë me vendet e tjera, ne jemi në pritje të përgjigjes nga FIFA. Në mënyrë juridike është pamundshme, që unë ta kem sot në listë një lojtar, që është pjesë e kombëtareve të tjera. Për mua është dy minuta punë, ta fus në listë dhe u krye, por kjo mund të na kushtojë me diskualifikim nga eliminatoret. Pra, unë nuk guxoj të rrezikoj ta ftoj një lojtar të kombëtares tjetër pa marrë urdhër nga Federata që gjithçka është në rregull. Kjo është në arsye që në këtë listë
nuk ka shumë risi", ka thënë përzgjedhësi Albert Bunjaki.

Grupi I, është një mini-evropian

Lajmi i keq për Kosovës pa dyshim është se tre muaj pa nisur kualifikimet për Kampionatin Botëror, ajo nuk e di grupin në të cilin do të jetë, lojtarët që ka drejtë t'i ftojë apo jo, e aq më keq as stadiumin, nëse do të mund të luajë në Kosovë apo jashtë vendit nuk e di. Bunjaki e sheh si një problem të madh këtë, por që thekson se ka besim te lojtarët, dhe se do të paraqiten maksimalisht mirë. "Shumë trajnerëve të Evropës t'u thuash se mbas tre muajve do t'i fillosh eliminatorët për Kampionatin Botëror, dhe se nuk e dinë në cilin grup je, nuk e di qysh do të reagonte ai. Unë për vete e ndiej veten shumë mirë, pasi e di që kemi një grup të lojtarëve shumë të mirë. Kështu që ne nuk kemi frikë nga asnjë grup. Pra, kualifikimet për Botëror nisin edhe tre muaj, ndërsa më pas janë ato për Evropian dhe për ne objektivi real është kualifikimi në Evropian. Është më rëndësi të paraqitemi sa më mirë në eliminatorët e Botërorit, në mënyrë që në kualifikimet e Evropianit, të jemi shumë konkurrentë për t'i kaluara ato", ka thënë Bunjaki, sipas të cilit këto eliminatore ndihmojnë edhe në përcaktimin e shortit për Evropian. "Tash jemi në vendin e 210-të dhe nëse kemi performancë të mirë, atëherë do të renditemi ndoshta në vendin e 70-të apo 80-të dhe kjo do të na ndihmonte që të jemi në një grup më të lehtë e jo si këtë herë në grupin I, që unë e quaj një minievropian, pasi në atë grup katër përfaqësuese janë kualifikuar sivjet në Evropian", ka përfunduar Bunjaki. Në anën tjetër, Federata e Futbollit e Kosovës u ka bërë thirrje institucioneve shtetërore ta intensifikojnë punën në rregullimin e infrastrukturës sportive, në mënyrë që Përfaqësuesja e Kosovës dhe klubet tona të mund t'i zhvillojnë ndeshjet ndërkombëtare në vendin tonë e jo të luajnë në shtetet fqinjë. Të shtunën në stadiumin e Prishtinës në finale e Kupës së Kosovës, ishte një delegacion i UEFA-s, i cili e ka inspektuar stadiumin dhe ka dhënë rekomandimet se ku duhet të intervenohet, nëse dëshirojmë që aty të zhvillohen ndeshjet ndërkombëtare.

(Kosova Sot)