Sa do të ndikojë në sport dalja e Britanisë nga BE-ja?

  • 25 June 2016 - 09:08
Sa do të ndikojë në sport dalja e Britanisë nga BE-ja?

Vota "Brexit" sigurisht që do të ketë ndikimet e saj edhe në sportin anglez. Ekspertët financiarë shkruajnë se dalja nga BE-ja mund të ndryshojë pamjen e Ligës Premiere, një nga kampionatet më të ndjekura në bote. Efekti i parë dhe i menjëhershëm i referendumit është zhvlerësimi i stërlinës britanike. Kjo do të thotë se klubet e Ligës Premiere do ta kenë më të vështirë të blejnë lojtarë nga pjesa tjetër e Evropës, pasi çmimi për ta do të jetë më i lartë. Nëse vlera e Paul Pogba-s është 120 milionë euro, për shkak të zhvlerësimit të stërlinës, anglezët do ta blejnë 40 milionë euro më shtrenjtë.

"Brexit" hap të tjerë skenarë Efekti i dytë është direkt te lojtarët e Ligës Premiere. Për momentin 65% e futbollistëve në këtë kampionat vijnë nga vendet jashtë Britanisë. Deri tani lojtarët me pasaportë evropiane luanin pa asnjë problem në Ligën Premiere, por "Brexit" hap të tjerë skenarë. Rasti më i keq është që të gjithë lojtarët evropianë si Payet, De Gea, Fabregas, Martial, Nasri apo Mignolet të konsiderohen ekstra komunitarë dhe tani e tutje ata duhet të aplikojnë për leje pune. Problemi tjetër është se tani e tutje në Ligën Premiere nuk do të mund të shohim talente poshtë moshës 18 vjeç. Sipas rregullave të FIFA-s lojtarët e kësaj moshe nuk mund të transferohen apo të luajnë në kampionatet jashtë Bashkimit Evropian. "Brexit" do të ndikojë shumë edhe në ragbi dhe në kriket, pasi sipas një marrëveshjeje të vitit 2003, sportistë nga Afrika, Karaibe dhe ishujt e Paqësorit gëzonin të njëjtat të drejta si lojtarët e BE-së.

Bale kthehet në ekstrakomunitar Dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian i hap një problem të madh Real Madrid-it dhe Gareth Bale-t. Kjo për faktin se futbollisti uellsian tashmë do të konsiderohet një ekstrakomunitar dhe në këtë pikë klubi madrilen del zbuluar. Kjo sepse Real-i e ka të plotësuar numrin e ekstrakomunitarëve me James Rodriguez, Danilo e Casemiro. Gjithsesi, dalja e Britanisë nga BE-ja nuk do të ndodhë brenda 24 orësh dhe parashikohet që bisedimet në lidhje me këtë pikë do të zgjasin, por është e sigurt se futbollisti uellsian preket shumë nga ky vendim i popullsisë britanike dhe si pasojë ndikon edhe në planet e klubit madrilen, duke qenë se drejtuesit e tij i kanë ofruar rinovimin Bale deri në vitin 2023. Në këtë moment, legjislacioni evropian u lejon qytetarëve që të lëvizin lirisht drejt 28 vendeve të BE-së pa pasur nevojën e kontrolleve kufitare dhe i autorizon ata që të qëndrojnë në këto vende deri në 3 muaj pa asnjë lloj kushti. Por, nëse kalohen këto 3 muaj, atëherë është e nevojshme që personat të kenë një kontratë pune për të vijuar qëndrimin në një nga vendet e BE-së. 

(Kosova Sot)