Xhemaili 'përleshet' me Lewandowski-n

  • 27 June 2016 - 08:51
Xhemaili 'përleshet' me Lewandowski-n

Zvicra u eliminua nga Kampionati Evropian edhe pse tregoi një lojë të bukur. Por, pas ekzekutimit të penalltive, ku polakët triumfuan me rezultat 5:4, ka ndodhur një përleshje në fushë. Ka qenë futbollisti shqiptar, Blerim Xhemaili, që ka kërkuar shpjegim nga kapiteni i polakëve, Robert Lewandowski. Ishte vetë anëtari i Bayern-it që pas përfundimit të penalltive festoi para tifozëve zviceranë, duke i vënë duart në vesh dhe duke u thënë nuk po ju dëgjoj. Kjo e nervozoi shumë Xhemailin, i cili vrapoi tek Lewandowski, duke u përleshur me të, por aty afër ishte Shani Tarashaj, portieri rezervë Hitz dhe gjyqtari anglez Clatenburg, të cilët e qetësuan situatën.

Pas ndeshjes Xhemaili ka akuzuar polakët për provokim të tifozëve, duke thënë se kjo nuk është e drejtë. "Polakët kanë qenë provokues për tifozët tanë dhe kjo nuk është e drejtë. Ata duhet të kenë respekt dhe kjo është arsyeja që unë kërkova nga ta respekt", deklaroi Xhemaili pas ndeshjes. Por, Xhemaili nuk ishte i vetmi që ka kritikuar futbollistët polakë. Edhe Xherdan Shaqiri ka thënë se sjellja e tyre nuk ishte aspak e mirë. "Nuk e di çfarë të them. Ata janë futbollistë profesionistë. Ata e dinë që duhet të shkojnë te pjesa tjetër e stadiumit për të festuar. Çfarë mund të them?", u shpreh përfaqësuesi zviceran.

(Kosova Sot)