Xhaka nuk dorëzohet

  • 27 June 2016 - 08:56
Xhaka nuk dorëzohet

Granit Xhaka ka thënë se huqja e penalltisë në humbjen e Zvicrës kundër Polonisë në "Euro 2016" do ta bëjë atë më të fortë dhe ka premtuar se nuk do të tërhiqet nga gjuajtja e penalltive në të ardhmen. Xhaka ka impresionuar gjatë gjithë turneut me pasimet e tij të sakta dhe me elegancën e tij të qetë në mbajtjen e topit, por lojtari zakonisht gjakftohtë humbi nervat dhe dërgoi topin jashtë portës gjatë penalltive ku humbën me rezultat 5:4 ndaj Polonisë. "Më vjen keq prej bashkëlojtarëve të mi, për fansat që kanë udhëtuar të na shohin, për Zvicrën", ka thënë ai për televizionin zviceran "SRF". "Kushdo që më njeh, e di se do të punoj aq shumë sa të kthehem edhe më i fortë. E gjuajtja penalltinë ashtu siç bëj gjithmonë. Por, nuk u lidha si duhet me topin. Ende jam i ri, vetëm 23-vjeçar. Kjo vetëm sa do të më forcojë. Dhe ju premtoj se do të paraqitem sërish në gjuajtje të penalltive", ka shtuar ai. Shaqiri e mbron Xhakën Për Xherdan Shaqirin,

Xhaka mbetet një lojtar i rëndësishëm për helvetët, ndërsa pret që mesfushori i Arsenal-it t'i udhëheqë ata në Kampionat Botëror. "Çdokush mund ta humbë penalltinë dhe ai do të jetë lojtari ynë kryesor në Kampionatin Botëror", ka deklaruar Shaqa. Trajneri i Zvicrës, Vladimir Petkoviq, ka thënë se është i mërzitur për Granit Xhakën, por nuk është faji i tij për humbjen. "Jam i mërzitur për Granit Xhakën, por s'ka të bëjë vetëm me të. Zvicra humbi dhe jam i mërzitur për këtë. Lojtarët dhanë gjithçka dhe treguan çfarë mund të bëjnë në fushë, por fatkeqësisht ne i bëmë disa gabime dhe paguam për to. Pastaj ishte lotaria e penalltive, nëse e humb një, mund të jetë vendimtare", deklaroi Petkoviq. Gazeta e përditshme zvicerane, "Blick", ka shkruar për lojën e dy lojtarëve shqiptarë të Kombëtares së Zvicrës, Xherdan Shqirin dhe Granit Xhakën. "Blick" e falënderon Shaqirin për golin e mahnitshëm që ia mundësoi Zvicrës vazhdimet, pasi ai shënoi gol në minutën e 82-të, por thotë se Xhaka është dështaku i Kombëtares. "Xhaka dështon në penallti!", shkruan "Blick". "Faleminderit Shaq që na e hape derën magjike e cila ishte e mjaftueshme për t'i siguruar vazhdimet. Por, Xhaka i nervozuar na dështoi. E pabesueshme. Jemi eliminuar", shkruan e përditshmja zvicerane. 

(Kosova Sot)