Brezovica, sfida e radhës për automobilistë

  • 02 July 2016 - 09:36
Brezovica, sfida e radhës për automobilistë

Kampionati i Kosovës në automobilizëm vazhdon këtë javë me garën që do të zhvillohet në shtegun atraktiv të Brezovicës. Është kjo gara e tretë e disiplinës malore, ndërsa e pesta në përgjithësi për kampionatin e sivjetmë. Është e sigurt se, edhe kësaj radhe do të jetë garë me rivalitet të theksuar, ndërkohë që edhe numri i pjesëmarrësve pritet të jetë i madh, shkruan sot gazeta Kosova Sot Online.

Pas Prevallës e Kullës në rrafshin vendor dhe Kampobasos e Kotorit në atë ndërkombëtar, Brezovica është sfida e radhës në shtigjet malore për “kaskaderët” tanë, të cilët nga dita në ditë po dëshmojnë se Kosova ka të ardhme të suksesshme në këtë sport. Në Brezovicë pritet të ketë edhe një risi. Pas një mungese të konsiderueshme, në garë pritet të jetë edhe Besfort Bunjaku i Ferizajt. Madje ai do të garojë me bolidin e tij të ri, që do të jetë i dyti në kampionatin tonë pas Përparim Dushit, i cili sivjet po garon me Formula 3.

Në mënyrë që gara të zhvillohet në mënyrën më të mirë të mundshme, Federata e Auto Sportit e Kosovës i ka marrë të gjitha masat e nevojshme, madje është intervenuar edhe në vendet ku asfalti ka qenë i dëmtuar. Po ashtu, në organizimin e garës do të ndihmojnë edhe Policia e Kosovës, Ndihma e Shpejtë dhe Brigada e Zjarrfikësve. Gara zhvillohet të shtunën dhe të dielën me fillim në orën 12:00, ndërsa rruga do të jetë e mbyllur për veturat civile, por gjithsesi do të lirohet në intervale të shkurtra kohore, në mënyrë që kalimtarët e rastit të presin sa më pak që është e mundur.

(Kosova Sot)