Ancelotti-t po i ecën mirë me Bayern-in

  • 26 July 2016 - 09:04
Ancelotti-t po i ecën mirë me Bayern-in

Carlo Ancelotti jep përshtypjet e tij të para për Bayern Munich-un. Trajneri i bavarezëve ka folur në lidhje me aventurën e tij te skuadra gjermane. Ancelotti ka thënë se Bayern-i është një klub i madh, i cili mbart më vete shumë suksese dhe për të është një nder i madh që po stërvit kampionët e Gjermanisë: "Është një eksperiencë shumë e bukur për mua dhe mezi po e pres nisjen e kampionatit. Bayern-i është një ndër klubet më të mëdha në Evropë. Ndihem mirë këtu, kam në dispozicion një skuadër të kompletuar. Ata stërviten çdo ditë dhe janë shumë të vëmendshëm ndaj këshillave të mia.

Deri më tani mund të them se gjithçka po ecën shumë mirë". Më pas italiani tregoi dhe sekretet që e çojnë një trajner drejt suksesit, duke vënë theksin se është shumë e rëndësishme që të krijosh një marrëdhënie shoqërore me lojtaret dhe ti ndihmosh që ata të shfaqin më të mirën e tyre në fushë: "Personalisht çdo skuadër që kam stërvitur si fillim kam krijuar një marrëdhënie shoqërore me ta. I kam studiuar me kujdes aftësitë e tyre dhe se në cilin pozicion ata mund të japin më të mirën e tyre.

Çdo futbollist ka karakterin e tij dhe detyra e trajnerit është ta kuptojë atë dhe ta menaxhoj sa më mirë". Në fund ish-trajneri i Real Madrid-it u pyet nëse do të këtë ndonjë transferim në radhët e Bayern-it: "E kam thënë edhe më parë, kam një skuadër të kompletuar dhe nuk e kemi të nevojshme të kryejmë blerje të tjera. Do të kërkojmë me çdo kusht që ta nisim sa më mirë këtë edicion të Bundesliga-s, duke fituar Superkupën e Gjermanisë përballë Borussia Dortmund-it".

(Kosova Sot)