Aliji i lumtur te Kaiserslautern

  • 26 July 2016 - 17:21
Aliji i lumtur te Kaiserslautern

Naser Aliji është i lumtur për zgjedhjen e tij. Kalimi te Kaiserslautern gjatë kësaj vere mund t’i japë një tjetër rrjedhë karrierës së mbrojtësit të kombëtares shqiptare.

22-vjeçari në një intervistë për kanalin zyrtar të klubit është shfaqur shumë optimist për aventurën e tij të re. Aliji shpreson që në këtë sezon ai dhe Kaiserslauterni të sigurojnë ngjitjen në Bundesligën e parë.

Për të firmosur një kontratë tre vjeçare me Kaiserslauternin, kuqeziu la përfundimisht Baselin, por Aliji kurrsesi nuk pendohet për zgjedhjen e tij sepse pavarësisht pozitave në të cilat ndodhet klubi nga Fritz Walter Stadion është një emër i madh i futbollit gjerman që në të kaluarën ka fituar edhe Bundesligën.

“Dëshiroja një aventurë të re në karrierën time dhe kalimi te Kaiserslauterni ka qenë ai i duhuri, theksoi Naser Aliji.

Djaloshi i lindur në Kumanovë ka bërë paraqitje shumë të mira në krahun e majtë të mbrojtjes gjatë sfidave miqësore që ka zhvilluar me Kaiserlauternin në këtë periudhë dhe trajneri Tayfun Korkut shpeshherë ka thuror elozhe në drejtim të Alijit.

“Ndodhem në një skuadër të mirë dhe me traditë shpresoj të bëj paraqitje sa më të mira këtu”, shtoi më tej mbrojtësi shqiptar.

Naser Aliji në fund të intervistës së tij u kthye të fliste edhe për kampionatin evropian ku ai përjetoi një eksperiencë të paharrueshme me kombëtaren shqiptare. “Ishte diçka fantastike, një ëndërr e bërë realitet për ne”, deklaroi 22-vjeçari.

(Kosova Sot)