FASK-u, ditë e natë po punon për Drag Race

  • 28 July 2016 - 15:28
FASK-u, ditë e natë po punon për Drag Race

Organizimi i garës “Drag Race”, pa asnjë dyshim do të jetë sfida më serioze e Federatës së Auto Sportit të Kosovës për këtë vit.

Fakti që pista në të cilën u mbajt gara në vitin e kaluar është marrë në shfrytëzim nga KFOR-i e ka vështirësuar edhe më shumë punën e FASK-ut, ndërsa kanë mbetur vetëm edhe pak ditë (më 6 e 7 gusht) deri në ditën e garës.

Në anën tjetër, me gjithë kërkesën e bërë, askush nga instituticionet zyrtare ende nuk ka reaguar për të ndihmuar në këtë drejtim.

Në një situatë të tillë, kryetari i FASK-ut, Ismet Rexhepi, po e bën të pamundurën në mënyrë që pista të jetë plotësisht e gatshme para fillimit të garës. Deri sot, atij në ndihmë i ka dalë vetëm një kompani private (Beni Com), e cila ka dy ditë që po punon në pistën ku do të mbahet gara. Muhamet Konushevci, i biri i pronarit të ksëaj firme, Ismet Konushevcit, thotë se ka qenë dëshirë e tyre që të ndihmojnë për aq sa kanë mundësi.

“Megjithëse kemi mjaft obligime, pasi kemi punë të kontraktuar, duke e marrë parasysh rëndësinë e këtij aktiviteti, ne e kemi ndarë një pjesë të punëtorëve si dhe të makinerisë, në mënyrë që me aq sa kemi mundësi të kontribuojmë në organizimin e këtij aktiviteti kaq masiv. Besojmë që edhe të tjerët të reflektojnë pozitivisht, pasi një organizim i tillë kërkon shumë punë, shumë njerëz dhe shumë përkushtim, ndërsa ka mbetur edhe pak kohë“, është shprehur Konushevci, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Image

 

Ndërkaq, kryetari i FASK-ut ka pritur që edhe subjekte tjera të afrohen për ndihmë. “Kemi marrë shumë premtime, por deri tani vetëm ‘Beni Com’ na është afruar. Presim që edhe FSK-ja që ta ndihmojë me pajisjet e saj. Na pret një punë tepër e madhe, sidomos duke marrë parasysh se koha është e shkurtë, por unë besoj që do të ketë njerëz të mirë, të cilët me mundësitë e tyre do të kontribuojnë dhe pista do të jetë e gatshme para 6 gushtit”, ka thënë Rexhepi, i cili më pas ka shtuar: “Kemi qenë të shtyrë për një zgjidhje emergjente, pasi pista tjetër ka kauar në shfrytëzim të KFOR-it, ndërsa ne jemi të detyruar t’i përmbahemi kalendarit të garave, të harmonizuar edhe në përputhje me FIA-n”.

Edhe punëtorët e firmës “Beni Com” u shprehën optimistë se deri punët do të përfundojnë me kohë. “Kemi filluar vetëm para dy ditësh dhe kemi kryer një pjesë të mirë të punës, prandaj besojmë se do do të arrijmë që me kohë ta përfundojmë punën tonë“, ka thënë njëri nga punëtorët.

Ndërkohë, kryetari Rexhepi ka arritur marrëveshje me drejtorin e Aeroportit për shfrytëzimin e parkinut të vjetër si dhe hyrjes nga ana e aeroportit të ri, në mënyrë që ata që do të jenë të pranishëm me 6 e 7 gusht të kenë kushte sa më të mira.  

(Kosova Sot)