Feronikeli, në shumë aspekte para Prishtinës dhe Besës

  • 29 July 2016 - 09:34
Feronikeli, në shumë aspekte para Prishtinës dhe Besës

Kampionët aktualë nuk i frikësohen asnjë skuadre, shpalosin pikat e forta të tyre

“Se çfarë e dallon Feronikelin nga të tjerët mendoj se është atmosfera e jashtëzakonshme brenda ekipit,  komponimi shumë i mirë i lojtarëve, organizimi i shkëlqyer në klub, kushtet fenomenale për punë dhe natyrisht cilësia e lojtarëve. Me një fjalë jemi një hap para të tjerëve”, ka thënë Mark Milicaj

Kampionët vazhdojnë të përgatiten në Ohër për edicionin e ri

Dy tituj kampionë radhazi të fituar jo që e kanë ngopur, por përkundrazi vetëm sa e kanë shtuar apetitin te skuadra e Feronikelit, e cila ka shtuar ritmin e punës me qëllim që edhe në edicionin e ri ta ketë fjalën kryesore në futbollin tonë. Në vazhdën e prezantimit të skuadrave favorite në luftë për titull këtë herë është Feronikeli ai që i shpalos pikat e forta karshi dy rivalëve tash për tash kryesorë në luftë për titull, Prishtinës e Besës. Futbolli gjithmonë sjellë befasi, i tillë mund të jetë edhe në kampionatin e ri, që nis më 20 gusht, mirëpo nëse bazohemi në punën dhe investimet e bëra deri më tash duhet pranuar që fjalën kryesore do ta kenë Feronikeli, Prishtina e Besa. Në numrin e kaluar ishte Prishtina ajo që shpalosi pikat e forta, ndërsa sot është Feronikeli që kundërpërgjigjet. Atmosfera e shkëlqyer brenda ekipit, komponimi mjaft i mirë, organizimi i shkëlqyer i klubit dhe natyrisht cilësia e lojtarëve e bën “Niklin” që edhe sivjet të jetë skuadër e frikshme për çdo rival. Feronikeli aktualisht po përgatitet në Ohër të Maqedonisë, ku nga atje njëri nga futbollistët më në formë, Mark Milicaj, tregon për ambiciet e klubit, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

 

Image

 

Milicaj: “Nikli” një hap para të tjerëve

Feronikeli, për dallim nga Prishtina e Besa, që kanë sjellë lojtarë në numër, por edhe cilësorë, ka angazhuar vetëm 4 sosh, por që duhet pranuar që secili është më i mirë se tjetri. Ardhja e Besnik Krasniqit, Ahmet Halitit, Blerand Kurtishajt dhe Deniz Troshupës në opinion futbolldashës cilësohen si përforcime shumë të mëdha.“Ne për dallim nga rivalët tanë kemi transferuar vetëm 4 futbollistë,  por nëse i shohim për nga cilësia, atëherë do të binden të gjithë se kanë qenë të mjaftueshëm sa për ta shtuar maksimalisht nivelin e skuadrës. Sivjet në sulm do ta kemi Blerand Kurtishajn, i cili në 2-3 vitet e fundit është top golashënuesi i Ligës dhe kjo tregon qartë nivelin e tij. Pastaj janë lojtarët si Besnik Krasniqi e Ahmet Haliti dhe për cilësinë e tyre nuk kemi pse flasim, ndërsa në portë e kemi shtuar konkurrencën, ku është angazhuar Deniz Troshupa. Pra, janë ardhje që duhet t’i bëjnë të gjithë të frikësohen nga ne”, ka thënë futbollisti shumë cilësor i Feronikelit, Mark Milicaj.

 

Image

 

Organizimi i jashtëzakonshëm

Feronikeli, përveç cilësisë së madhe që ka në skuadër,  përkujdeset edhe për një organizim të jashtëzakonshëm përreth klubit dhe kjo e bën “Niklin” një ekip të kompeltuar. Se çfarë kushtesh ofrojnë drejtuesit e skuadrës për lojtarë e dëshmon vetë Milicaj, sipas të cilit atyre nuk iu mungon asgjë.“Se çfarë e dallon Feronikelin nga të tjerët mendoj se është atmosfera e jashtëzakonshme brenda ekipit, komponimi shumë i mirë i lojtarëve, organizimi i shkëlqyer në klub, kushtet fenomenale për punë dhe natyrisht cilësia e lojtarëve. Me një fjalë jemi një hap para dhe kjo është arsyeja që ne nuk kemi pse t’i frikësohemi asnjë skuadre dhe asnjë përforcimi të skuadrave të tjera. Besa e Prishtina, si dy rivalët më të mëdhenj tash për tash, kanë bërë përforcime të mëdha në numër, por duhet t’i presim garat që të fillojnë për të parë sesa të qëlluara janë këto përforcime që kanë bërë”, ka përfunduar mesfushori klinas i Feronikelit, Mark Milicaj.

(Kosova Sot)